Denisa Canameti
Testimi i mjekëve ka qenë tema më e diskutuar gjatë këtyre ditëve. Janë vetë mjekët të cilët ndihen të fyer nga kjo nismë, kjo pasi shkolla me vlerësime maksimale, eksperienca e gjatë, si dhe specializimet e shumta brenda dhe jashtë vendit janë test i mjaftueshëm për të dëshmuar aftësinë dhe përgatitjen e tyre. Ndaj dhe ngrenë pyetjen: kush do t’i organizojë konkurset “kundra” nesh?
Mjekët e konsiderojnë si një nismë politike duke synuar reformë në stafin mjekësor, për të hequr nga puna ata mjekë e infermierë që ministri i ka “pikasur”, e për të sjellë më pas në punë mjekë dhe infermierë që, siç shprehen edhe ata vetë, deri para disa ditësh kanë qenë kamarierë kafenesh.
A është paaftësia e mjekëve hallka ku ka ngecur sistemi ynë shëndetësor? Kush e ka testuar komisionin që do të marrë në provim mjekë që kanë ngritur dhe kanë bërë reforma në sistemin shëndetësor shqiptar? A është testimi ai që e ndreq çështjen e kualitetit të mjekëve dhe të infermierëve?
Mjekët shprehen të indinjuar, duke e mohuar kategorikisht futjen në provim edhe nëse kjo do të thotë largim nga vendi i punës.
Çështja e krediteve ka qenë një nga urdhrat e ministrisë që u përshëndet nga mjekët pasi çështja e edukimit në vazhdim mbetet një plagë që duhet parë dhe ndryshuar. Por çfarë nënkupton ministri me edukim në vazhdim? Pikërisht ky urdhër i nxjerrë muaj më parë bie në kundërshtim të plotë me këtë pretendim të qeverisë për të nënshtruar mjekët në provim.
Mjeku Tritan Kalo ka reaguar në rrjetet sociale teksa shpreh revoltën e tij duke u shprehur se formimi i mjekëve është i përditshëm dhe i shumëplanshëm. Kujdesi për formimin e tij, duhet filluar që në bankat e Universitetit, duke mos i lënë ata korridoreve të spitaleve apo kafeneve, por duke qenë të pranishëm në çdo sekondë të rrugëtimit të tyre professional. Kalo e konsideron politizimin e shëndetësisë si një kancer që duhet shkulur sa më parë.
“Testimi i mjekëve, – shprehet Kalo, – është i dështuar që në start, sepse hekurat që ata kanë në shtyllat e punësimit të tyre, janë formëzuar në shtylla betonarmeje.
Zhvillimi paralel i të gjitha fushave të mjekësisë sipas prioriteteve është zëri i tretë pas formimit të mjekëve në bankat e universitetit dhe depolitizimit të mjekësisë, ku ne duhet të ngulmojmë. Jo disa shërbime terciare të kenë në dispozicion dhe teknikat më të fundit, ndërsa disa të tjera të luftojnë edhe për sigurimin e një ampule Prednizolone për mjekimin e të sëmurëve të tyre.
Financimi më adekuat i mjekësisë krahas arsimit është zëri i katërt ku ne duhet të synojmë, për të pasur mjetet e nevojshme në formimin profesional të stafit mjekësor të të gjitha niveleve, për të ofruar një shërbim më cilësor në diagnostikimin dhe mjekimin e të sëmurëve, për të bërë prioritare PARANDALIMIN e shumë prej tyre, për t’u dhënë dinjitetin e duhur bluzave të bardha në nivelin e shpërblimit të mundit dhe djersës së tyre”.
Kalo e mbyll postimin e tij duke shtuar se “mjekësia jonë nuk shërohet nga plagët e shumta të saj me testime, POR me veprime të përditshme”.


