Nga mjeku Isuf Kalo:
Të sëmurët me diabet duhet të hanë çdo ditë një sasi sheqernash, ndryshe ushqimi i tyre do të ishte i njëanshëm dhe jo i plotë. Por ata duhet të kenë kujdes dy gjëra:
Së pari, sasia e sheqernave të mos kalojë gjithsej mbi 200-250 gram në ditë. Këto sheqerna duhet të jenë nga ata që thithen nga zorra ngadalë. Përkundrazi, sheqernat që thithen nga zorra shpejt janë kategorikisht të ndaluar për ta.
Së dyti, të sëmurëve me diabet u ndalohen kategorikisht ushqimet e mëposhtme: sheqeri i pastër, të gjitha llojet e pastave me dhe pa sherbet, karamelet, bombonet, çokollatat, biskotat, akulloret, pijet e likernat me sheqer, aranxhatat, llokumet, reçelnat, marmalatat, pekmezi, kompostot. Këto ushqime janë të ndaluara per të gjithë të sëmurët me diabet pa përjashtim, pavarësisht nga forma e diabetit (i “rëndë” i “lehtë” i “shfaqur” apo “i fshehur”, vjetërsia e sëmundjes, mjekimi që marrin (me dietë, kokrra apo insuline), mosha, zakonet e mëparshme të ushqyerjes, kushtet e punës e të jetës etj. Përdorimi i tyre nuk mund të justifikohet në asnjë rast apo rrethanë. (“Kisha festë: ç’të bësh? një rast ishte ky!”) me përjashtim të gjendjeve me hiperglicemi. kur sheqeri ulet së tepërmi në gjak, si dhe në rrethana të veçanta, kur i sëmuri nuk mund të hajë dot ushqim tjetër (të vjella, gjëndje febrile me temperature të lartë).
Shija e ëmbël është mirë të harrohet nga të sëmurët me diabet. Në fund të fundit, kjo është e vetmja “sakrificë” që ata duhet të bëjnë. Për ata që nuk munden të mësohen të pinë kafen, çajin apo qumështin pa sheqer, mund të përdoren, siç do të themi më poshtë, një deri dy kokrra saharinë në ditë, që i ëmbëlson ato, pa rritur gliceminë.


