Denisa Canameti
“Nëse është art, nuk është për të gjithë. Dhe nëse është për të gjithë, nuk është art”.
Pavarësisht vëmendjes së ulët qytetare, në Shqipëri gjithashtu bëhet art në kuptimin e vërtetë të fjalës. Në qytetin e Durrësit, në galerinë arteve pamore “Nikolet Vasia”, është çelur ekspozita personale e piktores Zengjine Behaj (Naci).
4 vite këmbëngulje dhe punë intensive për të realizuar plot 60 vepra artistike në teknika të ndryshme, si në vaj, grafikë, por ka dhe një diversitet punimesh, duke u nisur nga piktura realiste deri tek ato që i përkasin artit modern.
Midis punëve të shumta, dallon portreti si një formë e lartë e shprehjes artistike. Çdo detaj është realizuar me shumë mjeshtri, çka tregon bindjen e fuqishme të piktores, për idealizmin e lartë dhe kreativitetin e ndiesur të portretit. Secili portret përshkohet nga një sensibilitet dhe një emocion tejet i rrallë përjetimit të një personazhi real.
Dashamirësit e artit e kulturës gjithashtu kanë vlerësuar pikturat me motive nga Durrësi, por edhe grafikat e Nënë Terezës dhe shumë punime te tjera. Ata kanë marrë mbresa të veçanta nga ngjyrat e çelëta që ka përdorur kryesisht piktorja, hapësirat që kanë vetë tablotë dhe larmia e motiveve. Piktorja thekson se piktura është pasioni i hershëm i saj, pasion që se ka braktisur asnjëherë. Ekspozita e vendosur vetëm 1 orë larg Tiranës, pikërisht në qytetin bregdetar të Durrësit dhe do të qëndrojë e hapur deri më datë 20 nëntor.
“Për të gjithë dashamirësit e artit, nga nesër ora 18.00, gjyshja ime çel ekspozitën personale për 20 ditë me radhë në Galerinë “Nikolet Vasia” Durrës, ku do të jem i pranishëm”. Ky njoftim në rrjete sociale është bërë nga nipi i piktores Zengjine Behaj, Dionis Senjo. E po, diçka të vërtetë duhet të ketë patjetër në shkrimet e portaleve kur thonë se studimet gjenetike kanë zbuluar se fëmijët e trashëgojnë inteligjencën nga kromozomi femër X./ Shendeti.com.al




