Denisa Canameti, “Shëndet+”
“Për check-up-in jo vetëm që nuk na kanë njoftuar, por as mjekja e lagjes nuk më cakton një datë”! Janë këto fjalët e një qytetareje nga Lushnja, e cila ka “guxuar” të lërë koment në profilin zyrtar të Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në “Facebook”. Ajo është ankuar se nuk ka mundur që të bëjë check-up-in. Kjo, sepse nuk është njoftuar nga qendrat shëndetësore për datat se kur duhet të paraqitet, por edhe kur ka shkuar vetë që të interesohet, nuk i kanë dhënë zgjidhje.
“Zoti Ministër, për të bërë check up jo vetëm që s’na kanë njoftuar por dhe kur vajta te mjekja e lagjes “Xhevdet Nepravishta” Lushnjë, mjekja e lagjes as më regjistroi duke më thënë që duhet të vish përsëri se janë të zëna rezervimet deri në 26/12/2015. Kur i thashë më cakto një datë për janarin më tha: “Hajde pyet përsëri”. Nuk e di në është kështu ligji që varet kë do mjekja cakton. Me respekt për personin tuaj, jam në pritje”, mbyll komentin e saj qytetarja.
Edhe pse zonja nuk ka marrë përgjigje prej Ministrit duket se një infermiere e QSUT-së është treguar e gatshme që t’i tregojë për situatën në Tiranë. Infermierja është shprehur se në Tiranë “i lusin” pacientët që të bëjnë check-up-in. “Ne i lutemi pacientit për ta bërë këtë shërbim! Ky shërbim është perfekt”, thotë infermierja në koment, e cila rezulton që punon në QSUT dhe nuk ka lidhje fare me check-up-in.
Ndërkohë, i kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, Perin Vogli, drejtor i Shëndetit Publik në Lushnjë, shprehet se check-up-i në këtë qytet funksionon normalisht: “Nuk ka pasur asnjëherë ndërprerje. Bëhen rreth 20 pacientë në ditë vetëm për qytetin dhe rreth 10 pacientë në ditë për çdo qendër shëndetësore. Kaq është mundësia për t’u bërë, sepse një procedurë zgjat 40-45 minuta. Banorët lajmërohen gojarisht nga infermierët që mbulojnë lagjet disa ditë më para se të kenë datën e check-up-it”.
Fushata “Si je” konsiderohet e rëndësishme jo vetëm për shtrirjen që synon të ketë, por edhe për investimin financiar. Përllogaritet që paketa e shërbimeve shëndetësore falas të ketë një kosto prej 18 milionë dollarësh në vit për Fondin e Sigurimeve, i cili mbulon gjithçka.


