Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Call Center, punonjësit trajnohen për organizimin sindikal

Call Center, punonjësit trajnohen për organizimin sindikal

0
Shpërndaje

Për të mbrojtur të drejtat në punë, duhen formuar sindikatat, veprim ky që kërkon guxim nga punëtorët përballë drejtuesve të kompanive përkatëse. Por, një organizim sindikal i punonjësve do të ndihmonte që fillimisht të bëheshin të qarta raportet në mes punëtorëve dhe pronarëve në aspekt individual, e më vonë edhe në raport të të drejtave kolektive të shprehura përmes një kontrate.

Prej disa vitesh, Shoqata “Together for Life” ka monitoruar respektimin e të drejtave të punëmarrësve në Sektorin Call Center. Aktualisht, Sektori Call Center po rezulton një punëdhënës shumë potencial në Shqipëri. Aty janë punësuar rreth 25 000 shtetas dhe të ardhurat që sjell për ekonominë shqiptare ky sektor janë të ndjeshme. Në këndvështrimin ekonomik, pagesat në Sektorin Call Center janë të kënaqshme dhe, në kushtet kur është e vështirë për të gjetur një punë tjetër, jetëgjatësia në një vend pune në këtë sektor është relativisht e gjatë.

Disa nga shqetësimet që lidhen me këtë profesion kanë të bëjnë si me aspektin e presionit nga ngarkesa e punës ashtu edhe me aspektet shëndetësore, fizike apo mendore të shkaktuara nga monotonia, intensiteti i ritmeve, mungesa e perspektivës për karrierë profesionale në këtë sektor, etj. Disa probleme që kanë të bëjnë me kushtet e punës kanë peshën e tyre sikurse janë cilësia teknologjike e pajisjeve audio-video, zhurma në ambientet e punës, etj.

Nga monitorimet ka rezultuar e nevojshme rritja e veprimtarisë kontrolluese të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore për respektimin e të drejtave të punëmarrësve, funksionimi efektiv i Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, nxitja dhe veprimi aktiv i lëvizjeve sindikale për përfaqësimin e interesave të punëmarrësve, rritja e ndërgjegjësimit të punonjësve të këtij sektori për të mbrojtur të drejtat e punës, punën e denjë dhe lirinë sindikale, etj .

Shoqata Together for Life, me mbështetjen e Olof Palme International Center dhe me fonde të Ambasadës Suedeze në Tiranë, ka trajnuar një grup të rinjsh aktivë, lidhur mbi sindikalizmin; rëndësinë e organizimit sindikal; cilat janë detyrimet e sindikatës ndaj anëtarëve të saj; mënyrat e ndryshme të organizimit të sindikatës në mbrojtje të të drejtave të punëmarrësve; garancitë e të qenurit pjesë në një sindikatë dhe çfarë janë kontratat kolektive etj.

Për realizimin e këtij trajnimi shoqata Together for life(TFL) ka bashkëpunuar ngushtë Sindikatën e Telekomunikacionit (TUT). Pasi përveç përgatitjes teorike  të rinjtë e interesuar do të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme të TUT për të parë në praktikë se çfarë do të thotë të jesh sindikalist dhe si.

Por çfarë janë sindikatat dhe çfarë parashikon Ligji Shqiptar?! Për shoqatën Together for Life, avokate Andia Haxhia shpjegon legjislacionin mbi organizimin sindikal, dhe sesi funksionojnë organizatat sindikale.

Andia Haxhia, avokate

Pas viteve 90’ dhe përmbysjes së regjimit totalitar komunist, Shqipëria u fut në rrugën e demokracisë duke u transformuar nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi që mbështetet në tregun e lirë. Baza e re politike dhe ekonomike ndikoi në krijimin e një sistemi të ri ligjor, ku bën pjesë edhe e drejta për punë, mbrojtje shoqërore dhe punësim.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional.

Referuar nenit 49/pika 2 të Kushtetutës së R.SH, “Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës”.

Bazuar në legjislacionin në fuqi, formë e mbrojtjes në punë është organizimi në sindikata, por çdo të kuptojmë me organizatë sindikale?!

Sipas Kodit të Punës, organizatat sindikale janë organizata shoqërore të pavarura, që krijohen si bashkime vullnetare të punëmarrësve, qëllimi i të cilave është përfaqësimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave ekonomikë, profesionalë dhe shoqërorë të anëtarëve të tyre. Gjithashtu, të drejtën e organizimit në sindikata e kanë dhe pensionistët e të papunët.

E drejta për tu organizuar në sindikata është një e drejtë që parashikohet dhe garantohet në rradhë të parë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë:

KREU IV LIRITË DHE TË DREJTAT EKONOMIKE, SOCIALE DHE KULTURORE parashikon:

Të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës.

Po kështu, Kodi i Punës sanksionon në Kreun e III-të/BLIRIA SINDIKALE. BISEDIMET KOLEKTIVE”, neni 10: “Liria sindikale mbrohet me ligj. 2. Askush nuk ka të drejtë: a) të kushtëzojë punësimin e punëmarrësit nëse ai është ose jo ose pushon së qenuri anëtari i një sindikate të krijuar në bazë të ligjit; b) të pushojë ose cenojë të drejtën e punëmarrësit për shkak të anëtarësimit ose jo në një sindikatë të krijuar në bazë të ligjit ose të pjesëmarrjes në veprimtari sindikale duke respektuar legjislacionin në fuqi.”

Pra, siç e shohim, qëllimi i organizimit në sindikata është mbrojtja e interesave të punës!

Por si funksionojnë organizatat sindikale?

Organizatat sindikale funksionojnë duke organizuar lirisht administrimin dhe veprimtarinë e tyre; duke hartuar lirisht programin e tyre por gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Përsa i përket aktit të krijimit dhe statutit, ligji shprehet se duhet të nënshkruhen nga jo më pak se 20 anëtarë themelues dhe fitimi i personalitetit juridik lidhet me momentin e dorëzimit të aktit të krijimit dhe statutit në Gjykatën e Tiranës për njohjen e tyre si person juridik. Personaliteti juridik fitohet pas 60 ditëve nga dorëzimi i statutit në Gjykatën e Tiranës, me përjashtim të rasteve kur gjykata jep vendim të kundërt. Çdo organizatë sindikale duhet të depozitojë një kopje të statutit të saj dhe të vendimit të gjykatës pranë ministrisë përgjegjëse për punën.

Pasi të jenë realizuar hapat e sipërpërmendura, çdo organizatë sindikale e njohur si person juridik mund t’i drejtohet gjykatës për mbrojtjen e interesave të secilit prej anëtarëve të saj, për të arritur zbatimin nga punëdhënësi të dispozitave të ligjit, kontratës kolektive ose individuale të punës.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here