Cilësia e jetës rritet përmes sportit

Prej 20 vjetësh Arben Markaj është praktikues i takuondosë dhe tashmë sekretar i federatës shqiptare të këtij sporti. Ai nxit njerëzit për pasjen e një jete më cilësore përmes sportit

Arlinda Gjypi

Njerëzit e praktikojnë palestrën vetëm kur duan të bien në peshë ose kur kanë probleme me shëndetin. Ose kur duan të shkojnë në plazh dhe të bëjnë një trup të bukur. Por ja që nuk janë vetëm këto rastet kur është mirë të praktikohet sporti. Jeta e përditshme duhet ta ketë pjesë të saj. Arben Markaj, sekretar i Federatës Shqiptare të Takuondosë, thotë se aktualisht më pak se 10% e shqiptarëve janë të ndërgjegjësuar se sporti është shumë i rëndësishëm për shëndetin e tyre.

“Unë e kam filluar takuendonë 20 vjet më parë. Isha gjimnast dhe pastaj fillova ta ndjek këtë disiplinë”, rrëfen ai në një bisedë për gazetën “Shëndet+”. “Sot vazhdoj ende të marr pjesë, por jeta në Tiranë është e vështirë dhe, të jemi të sinqertë, që të ndjekësh sportet kërkon angazhim. Sigurisht, dikush që është edukuar me sportin e gjen edhe kohën e lirë për t’u marrë me të, sepse kjo kohë e lirë është e nevojshme dhe ata që ia dinë vlerën një jete më të mirë, nuk e lënë mënjanë”.

Arben Markaj (3)

Arben Markaj (djathtas)

Kur i thua se nuk duket për moshën që ka, Arbeni ia dedikon një gjëje të tillë pikërisht sportit që ai ka ndjekur, i cili i ka dhënë mundësinë që të jetë më elastik dhe të ndihet edhe më mirë fizikisht. Teksa e pyet nëse edhe i biri 6-vjeçar e ndjek takuondonë, ai thotë se ka shumë dëshirë që edhe djali të bëhet si ai, por nuk dëshirën t’ia imponojë një gjë të tillë. “Im bir sheh rrobat e mia, sheh përkushtimin tim dhe sigurisht besoj se ndikohet nga kjo. Unë nuk dua t’ia imponoj, por nëse do të vijë dita që ta përqafojë takuondonë, tek unë do të gjejë një bibliotekë të pasur, pasi kam kaluar gjithçka duhet të dijë për të”, shprehet Arbeni.

I pyetur se cilat janë moshat që mund ta praktikojnë këtë sport, ai thotë se takuondoja pranon moshat mbi 6 vjeç, që janë të aftë edhe për skenë. “Sigurisht nuk mund të flasim për mosha 3-4 vjeç. Mosha të tilla mundet thjesht të bëjnë lëvizje, por jo të praktikojnë takuondonë pasi janë shumë të vegjël”, vijon ai, ndërsa të rriturit sigurisht që mund ta praktikojnë atë në çdo lloj moshe, pasi takuondoja është e përshtatshme për këdo. “Megjithatë duhet ta pranojmë. Në përgjithësi në vendin tonë koncepti është që vetëm të vegjlit duhet të merren me këto sporte. Ndoshta të ndikuar edhe nga shkelmat, që në takuondo janë parësore. Por, për ata që s’e dinë, në takuondo praktikohet edhe meditimi. Sigurisht, shumica mendojnë se gjithçka janë shqelmat, por në fakt edhe meditimi është i rëndësishëm. Këto seanca nuk janë të përhershme, por janë të rregullta. Për shembull, mund të bëhet një ditë pushim dhe të shkohet diku. Ne kemi praktikuar një seancë meditimi te Shpella e Pëllumbasit dhe ka qenë vërtet diçka e bukur”.

Nëse e pyet për arsyet që një njeri mund ta fillojë takuondonë, Arbeni thotë se janë të ndryshme. Njeriu mund ta ushtrojë për shëndet më të mirë ose për t’u socializuar, sepse kështu njeh njerëz të rinj, ka një shoqëri të re.

(Materialin e plotë mund ta lexoni në numrin e datës 14-30 prill të gazetës “Shëndet+”)

Postime të ngjashme

Mjeku që braktisi Gjermaninë, rikthehet në Divjakë pas 20 vitesh, dr. Shundi: Nuk ka si vendlindja
Infermieria, profesioni që të zgjedh
Elda Skënderi, mjekja që i kupton fëmijët pa folur
Arben Baboci, kirurgu i zemrës së fëmijëve
Arjana Rreli: Zgjodha ëndrrën e babait tim
Festa Mjeshtri: Realiteti vret ëndrrat e grave
Pëllumb Pipero: Odisea, nga repartet ushtarake, në gjirin e elitës mjekësore
Infeksionet në shtatzëni, kur e rrezikojnë bebin