Është vlerësuar se çrregullimet e të nxënit prekin 2-10% të popullatës, në varësi të testeve dhe përkufizimeve të çrregullimeve të përdorura.
Çrregullimi i aftësisë së të lexuarit, matematikore dhe të shkruarit:
Karakteristika kryesore e këtyre çrregullimeve është se leximi, aftësitë matematikore, aftësitë për të shkruar janë dukshëm nën nivelin e pritur, duke pasur parasysh moshën kronologjike, inteligjencën e matur dhe shkollimin e individit në përputhje me moshën e tij.
Fëmijët me çrregullime në të nxënë NUK janë fëmijë me prapambetje mendore. Ata mund të kenë inteligjencë mesatare ose të lartë dhe sërish të kenë probleme në lexim, shkrim apo matematikë.
Por mund të ndodhë që fëmija të ketë edhe vështirësi në të nxënë dhe njëkohësisht edhe prapambetje mendore, por këto janë dy gjëra të ndryshme.
Një fëmijë me vështirësi në të nxënë:
- Mund të ketë vështirësi të mësojë alfabetin, fjalët që rimojnë ose të bëjë lidhjen mes shkronjave dhe tingujve korrespondues.
- Mund të bëjë gabime kur lexon me zë të lartë, kur përsërit fjalët dhe frazat dhe kur bën pauza të shpeshta
- Mund të mos kuptojë atë që lexon vetë
- Mund të ketë probleme me gërmëzimin dhe rrokëzimin
- Mund të shkruajë në mënyrë të rrëmujshme dhe të mos e mbajë lapsin normalisht
- Mund të vuajë për të shprehur idetë me shkrim
- Mund të mësojë gjuhën me vështirësi dhe të ketë fjalor të varfër
- Mund të ketë probleme për të lidhur tingujt me shkronjat ose të dallojë ndryshimet e vogla mes fjalëve që tingëllojnë në mënyrë të përafërt
- Mund të ketë vështirësi të kuptojë shakatë, frazat me nënkuptime dhe sarkazmën
- Mund të ketë vështirësi në ndjekjen e udhëzimeve
- Mund të mos ndjekë dot rregullat shoqërore të një bisede, si psh të flasë me radhë
- Mund t’i qëndrojë ngjitur me trup bashkëbiseduesit tjetër
- Mund të ngatërrojë simbolet matematikore dhe të lexojë gabim numrat
- Mund të mos jetë në gjendje të ritregojë një ngjarje sipas rendit të saj
- Mund të mos dijë ku dhe si ta nisë një detyrë dhe si ta vazhdojë atë
- Mund t’i shqiptojë keq fjalët ose të përdorë fjalën e gabuar që tingëllon njësoj me atë që do të thotë
- Mund të ketë probleme me organizimin e mendimeve që do të shprehë ose nuk gjen dot fjalët e duhura gjatë një bisede apo detyre me shkrim
Mësuesit, si individualisht edhe në grupe, duhet të ndihmojnë në gjetjen e një metode të unifikuar duke marrë parasysh strategjitë e mëposhtme:
- Të mirëorganizojnë klasën dhe ruajnë vëmendjen e saj.
- Të paraqesin tema të përgatitura mirë.
- Të demostrojnë pritshmëritë për sjellje të mirë.
- Të kuptojnë karakteristikat e të mësuarit të nxënësve të tyre dhe planifikojnë instruksione të përshtatshme.
- Të theksojnë më shumë sukseset sesa dështimet.
- Të modelojnë sjelljen e duhur.
- Të komunikojnë me nxënësit në mënyrë pozitive, sensitive dhe nxitëse, duke përdorur edhe humorin.


