“Dhimbje koke, të vjella…”-Mjeku tregon simptomat e tensionit të syrit

Glaukoma, e njohur si tensioni i syrit, shfaqet përgjithësisht pas moshës 40-vjeçare. Si shkak i goditjes nga një grup sëmundjesh, syrit i shkaktohet një dëmtim progresiv i nervit optik në pikën ku ai lejon syrin të transportojë informacionin vizual në tru.

Nëse lihet pa trajtuar, shumë lloje të glaukomës-tensionit të syrit, zhvillohen (pa paralajmëruar shenja të dukshme te pacienti) drejt përkeqësimit gradual të shikimit, që mund të çojnë deri në verbim. Për sa kohë që nuk trajtohet, dëmtimi i shikimit është përgjithësisht i pakthyeshëm, prandaj shpesh glaukoma përshkruhet si “sëmundje e heshtur e verbërisë”.

Disa forma të glaukomës mund të ndodhin gjatë lindjes (kongenitale) ose gjatë infantilitetit dhe fëmijërisë. Megjithatë, në shumë raste, glaukoma shfaqet pas dekadës së 4-t të jetës, dhe frekuenca e saj rritet me rritjen e moshës. Nuk ka ndonjë ndryshim të përcaktuar qartë në incidencën e glaukomës midis burrave dhe grave.

Nuk ka ende asnjë kurë për glaukomën dhe humbja e shikimit është e pakthyeshme. Megjithatë, mjekimi ose operacioni (tradicional ose me lazer) mund të ndalojnë ose të ulin ritmin e humbjes së mëtejshme të shikimit. Prandaj konstatimi i hershëm është esencial në limitimin e dëmtimit të të parit dhe parandalimin e ecurisë drejt dëmeve të rënda të shikimit apo edhe humbjes së tij.

Mjeku okulist Rubin Topi tha në emisionin GoodMorning Albanians në Euronews Albania se gjenetika është shumë e rëndësishme në rastin e glaukomës, që quhet ndryshe vjedhës i heshtur i shikimit pasi dëmtimi i fibrave optike ndodh në mënyrë graduale.

Ai tregoi disa nga simptomat e tensionit të syrit.

“Është një vjedhës i heshtur i shikimit se dëmtimi i fibrave të nervit optik ndodh në mënyrë graduale. Kur nuk kurohet ka shenja shumë të dukshme, ka një dhimbje të tmerrshme të syrit, dhimbje të kokës deri në të vjella dhe syri ka fituar një presion aq të madh sa po ta prekësh është bërë si gur, imagjinoni një top futbolli që vetëm e fryn. Ka edhe raste ekstreme kur nuk merren masa të menjëhershme kur çahet integriteti i globit okular”, tha mjeku.

 

Postime të ngjashme

8 mënyra të thjeshta për të shmangur sëmundjet
Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën