Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë në Konferencën Kombëtare të Endokrinologjisë: “Algoritmet e Mjekimit të Diabetit Tip 2”, të organizuar nga Shërbimi i Endokrinologjisë dhe Diabetologjisë, Shoqata Shqiptare e Endokrinologjisë dhe Shoqata e Diabetit në Shqipëri. Me temën kryesore, “Diabeti, edukim dhe parandalim”, Ministri Beqaj vuri theksin te rëndësia që kanë nisma të tilla jo vetëm për personelin mjekësor, pasi kjo thirrje shërben për të përmirësuar njohuritë e tyre rreth diabetit dhe për të vënë në praktikë rekomandimet shkencore më të përparuara, por edhe të gjithë organizmat dhe individët që janë përgjegjës për kujdesin ndaj personave me diabet, që të kuptojnë më mirë diabetin dhe të marrin në kontroll sëmundjen dhe faktorët rëndues e shpërthyes së saj. Për personat me diabet, ky slogan ka si qëllim t’i bëjë ata të kuptojnë rëndësinë e edukimit në kontrollin e diabetit nga vetë ata. Për qeverinë dhe organet vendim marrëse ajo është një thirrje për zbatimin e strategjive dhe politikave efektive në parandalimin dhe trajtimin e mirë të diabetit, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve të saj me diabet, ose e personave në risk për diabet. Për publikun e gjerë dhe për mediat, kjo moto është një thirrje për të kuptuar impaktin serioz të diabetit dhe për të bërë të njohur si të parandalohen ose të vonohen diabeti dhe ndërlikimet e tij.
Në vijim do të gjeni fjalën e plotë të Ministrit Beqaj në këtë aktivitet.
Të nderuara mjeke dhe të nderuar mjekë,
Të respektuar profesorë dhe profesionistë të shëndetësisë,
Të nderuar anëtarë të komitetit organizator të Konferencës,
Jam i nderuar që marr pjesë në Konferencën Kombëtare të Endokrinologjisë: “Udhërrëfyesit e Mjekimit të Diabetit,” këtë nismë të lavdërueshme shkencore të organizuar nga Shërbimi i Endokrinologjisë dhe Diabetologjisë, Shoqata Shqiptare e Endokrinologjisë dhe Shoqata e Diabetit në Shqipëri.
Kjo konferencë është një hap i mëtejshëm dhe një mundësi shumë e mirë për përmirësimin e njohurive të personelit mjekësor rreth diabetit dhe zbatimin në praktikë të rekomandimeve shkencore më të përparuara. Gjithashtu, përveç mundësisë së paraqitjes së punëve shkencore dhe diskutimit të gjetjeve të studimeve për trajtimin e patologjive që shoqërojnë diabetin, kjo konferencë krijon edhe mundësinë për rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit për të gjithë organizmat dhe individët që janë përgjegjës për kujdesin ndaj personave me diabet, në mënyrë që të kuptojnë më mirë këtë sëmundje dhe ta marrin në kontroll atë dhe faktorët rëndues e shpërthyes së saj.
Kështu, edukimi dhe ndërgjegjësimi për parandalimin e diabetit ka një rëndësi të dyfishtë, pasi përveçse një sëmundje kronike me kosto të lartë shëndetësore, ajo mbart edhe një kosto të konsiderueshme sociale dhe ekonomike, për shkak se prek të gjithë komunitetin, i cili ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje.
Diabeti është një sëmundje që nëse nuk zbulohet dhe nëse nuk mjekohet në kohë dhe në mënyrë të rregullt mund të shkaktojë ndërlikime serioze si, sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, infeksione urinare, amputime të këmbëve, etj.
Sipas OBSH-së, diabeti prek rreth 5% të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë sot numërohen 200 milion diabetikë dhe në vitin 2025 mendohet të jenë 330 milionë diabetikë ose 6,3 % e popullsisë së botës të jetë prekur nga diabeti. Gjithashtu, po sipas të dhënave të OBSH-së, diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rriten me 50%.
Në këtë këndvështrim, më lejoni të theksoj vëmendjen që Qeveria e re dhe institucioni që unë drejtoj i ka kushtuar rritjes së rolit të shëndetit publik, dhe programeve të parandalimit e të promocionit shëndetësor. Synimi ynë primar është zgjatja e viteve të shëndetshme të jetës së popullatës shqiptare dhe parandalimi i fataliteteve të parakohshme duke rivendosur, ruajtur dhe përmirësuar shëndetin.
Më lejoni të theksoj gjithashtu, rolin që nisma të tilla, si konferenca që po organizoni sot, ka në hartimin, përmirësimin dhe zbatimin e protokolleve të përshtatshme të mjekimit, mungesa e të cilëve reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cilësinë e varfër të kujdesit shëndetësor parësor. Në programin tonë qeverisës jemi zotuar se hartimi dhe zbatimi rigoroz i protokolleve bashkëkohore të mjekimit do të jetë një nga prioritetet kryesore të reformimit të kujdesit shëndetësor parësor.


