Kryefaqja Box 4 Dieta pa gluten

Dieta pa gluten

0
Shpërndaje

Blerina Bombaj, dietologe

Çfarë është dieta pa gluten

Gluteni është një proteinë specifike të cilën nuk do ta gjeni te veza apo te peshku. Gluteni gjendet në 4 drithërat: grurë, elb, thekër, tërshëre (edhe pse kjo e fundit nuk përmban në vetvete gluten, duke qenë se përgatitet dhe përpunohet në të njëjtin vend me drithërat e tjerë, kategorizohet si e tillë). Dieta pa gluten është pikërisht dieta që eliminon këto 4 drithëra. Për personat qe vuajnë nga alergjia ndaj glutenit ose nga sëmundja “Celiak”, dieta pa gluten është esenciale për mirëqenien e tyre.

Pikat me kritike te Glutenit

Njerëzit me sëmundjen “celiak” duhet të kenë sy shqiponje për të dalluar etiketat e ushqimeve. Përbërësit më të dallueshëm janë gruri, miell gruri, gluten gruri, thekër ose elb. Por disa produkte e kanë glutenin të fshehur. Dy terma për të pasur kujdes janë “malt” i cili bëhet nga elbi dhe “proteinë vegjetale e hidrolizuar” ose “hydrolyzed vegetable protein” e cila shpesh vjen nga gruri. Ndërsa tërshëra nuk përmban gluten, ajo shpesh mund të shkaktojë simptoma si irritim të aparatit tretës, fryrje dhe diarre.

I thoni mirupafshim bukës dhe makaronave… Pothuajse

Prodhimet e zakonshme të pastiçerisë dhe pothuajse të gjitha llojet e bukës dhe makaronat që tregtohen në vendin tonë përmbajnë gluten. Kruasanet, biskotat, vaferat, krakerat, gjithashtu. Megjithatë mos u dëshpëroni sepse ka alternativa.

Ka bukë dhe makarona pa gluten

Në disa markete ushqimore dhe supermarkete tregtohen produkte pa gluten duke përfshire bukën dhe makaronat. Këto ushqime bëhen zakonisht me miell misri, orizi ose patatesh në vend të miellit të grurit. Gjithsesi kontrolloni etiketën që të shkruajë “100% gluten-free.”

Shume drithëra për mëngjesin kanë gluten

Drithërat e zakonshme që tregtohen për t’u konsumuar në mëngjes me qumësht, akoma dhe kur janë prej misri apo prej orizi mund të përmbajnë gluten, prandaj lexoni me kujdes etiketën dhe evitoni ato drithëra të cilat përmbajnë grurë, elb, thekër apo malt. Lexoni me kujdes etiketën e drithërave me misër apo oriz dhe nëse nuk përmbajnë përbërësit e rrezikshëm mund t’i konsumoni.

“Futjuni me kokë” orizit, kuinoas, bizeleve dhe patateve

Baza e energjisë ditore që nevojiteni do të duhet të vijë nga orizi, kuinoa dhe patatet por, edhe nga fasulet, bizelet, qiqrat dhe thjerrëzat. Nëse ju ka vajtur mendja për makarona mund të kërkoni makaronat pa gluten, të bëra me misër ose oriz.

Koha për kokoshka

Për englendisje mund të bëni vetë kokoshka në shtëpi si na i kanë bërë mamat dhe gjyshet dikur.

Kujdes nga ushqimet e lyera me bukë të thërrmuar

Pula të gatshme apo filetot e peshkut shpesh lyhen me bukë të thërrmuar ose miell.

Mishi & peshku jane OK

Mishi i freskët i kuq dhe i bardhë si dhe peshku dhe prodhimet e detit të freskëta janë ushqime të sigurta dhe të rëndësishme për të mbuluar nevojat ditore ne proteina, vitamina dhe minerale. Nënproduktet e mishit si sallamet, salsiçet, konservat etj, duhet të evitohen.

Evitoni biskotat dhe keket

Ëmbëlsirat që mund të konsumoni janë vetëm ato që bëhen në shtëpi me miell orizi apo patateje.

E dinit që birra përmban gluten?

Pjesa më e madhe e birrave përmbajnë gluten. Bëni mirë ta evitoni!

Por ju mund të bëni “gëzuar”

Vera dhe likernat zakonisht nuk përmbajnë gluten kështu që mund të bëni gëzuar dhe të shijoni 1-2 gota.

Ka ushqime plot…

Përveç bizeleve, patateve dhe orizit, ka plot ushqime të shijshme, të cilat mund t’i shijoni pa frikë, siç janë vezët, mishi, peshku, frutat, zarzavatet dhe bulmeti.
Kujdes: gjithmonë interesohuni për përpunimin e ushqimit, për shembull nëse frutat janë reçel apo komposto, zarzavatet janë konserve, djathi është i përpunuar apo kosi është i aromatizuar. Duhet të jeni të kujdesshëm nëse ushqimi ka konservante t’i lexoni me kujdes.

Qëndroni larg simptomave

Për shumicën e personave që vuajnë nga kjo sëmundje, qoftë edhe një sasi shumë e vogël gluteni mund të japë simptoma si fryrje dhe gazra, ndryshim në lëvizshmërinë e zorrëve, rënie në peshë, lodhje dhe debulesë. Flisni me dietologun nëse keni ndërmend të bëni ndryshime të rëndësishme në dietën tuaj.

Dieta pa gluten dhe Autizmi

Disa prindër besojnë se dieta pa gluten mund të ndihmojë fëmijët që vuajnë nga autizmi, edhe pse kjo teori është pak e turbullt dhe kontradiktore. Gjithsesi deri tani nuk ka fakte të rëndësishme për të konfirmuar apo për të refuzuar efektivitetin e dietës pa gluten për personat me autizëm.

Të ushqehesh pa gluten nuk është aq e lehtë

Dieta pa gluten nuk është gjëja më e thjeshtë në praktikë. Njerëzit që përfitojnë nga kjo dietë duhet ta mbajnë ketë regjim për gjithë jetën. Kjo do të thotë të heqësh dorë përgjithmonë nga buka e grurit, makaronat dhe ëmbëlsirat e zakonshme. Megjithatë edhe në tregun tonë ushqimor ka filluar të ofrohen ushqime pa gluten.

Mbani mend:

Trajnohuni mirë në leximin e etiketave pasi gluteni përmbahet në shumicën e ushqimeve të përpunuara. Përmbahet edhe aty ku nuk jua pret mendja, siç janë çamçakëzët, buzëkuqet, kolinozët etj. Lexoni çdo etiketë!

Ky shkrim është orientues dhe i përgjithshëm. Çdo person që vuan nga sëmundja “celiak” duhet të këshillohet me dietologun për të marrë një meny ushqimor të personalizuar./ Shendeti.com.al

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here