Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Denisa Canameti
Eliona Demaliaj, doktoreshë e shkencave, mban postin e nëndrejtores së maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. E doktoruar në një ndër universitetet më të mira, në universitetin “La Sapienza” të Romës, pjesëmarrëse në shumë kongrese dhe seminare, ka botuar dy monografi shkencore në fushën e obsetrikë–gjinekologjisë, si shumë botime të tjera shkencore në shtypin e huaj prestigjioz. Por kjo, si thotë edhe ajo vetë në rreshtat e mëposhtëm, është akoma pak përpara ambicieve të saj.
Në një intervistë për “Shëndet+”, Eliona tregon disa gjëra për karrierën e saj, përpjekjet për t’ia dalë mbanë, flet për kënaqësitë dhe pakënaqësitë në punë, emocionet pozitive dhe ato negative, si dhe marrëdhënien me studentët, punën e saj si pedagoge.
Çfarë nënkupton fjala sukses për ju?
Në konceptin tim fjala “sukses” është relative. Duket që në shoqërinë moderne fjala “sukses” është e vetmja fjalë që ka vlerë. Mendoj që “sukses” është të realizosh në mënyrën më të mirë të mundshme ato detyra apo mundësi që ke përpara dhe që jeta t’i ofron. Ashtu siç thotë Çërçilli: “suksesi është aftësia për të kaluar nga njëra humbje apo pengesë në tjetrën pa humbur entuziazmin dhe pasionin për të arritur qëllimin”.
Unë besoj fuqishëm që shansi dhe suksesi janë brenda nesh, thjesht duhet të jemi të përqendruar në qëllimin tonë, të vullnetshëm dhe të ndjekim pasionin.
Nëse me aftësitë tona e bëjmë shoqërinë, punën apo spitalin ku punojmë lehtësisht më të mirë, ky është sukses.
Nëse një nëne i japim mundësinë të përqafojë fëmijën e saj të shëndetshëm, ky është sukses.
Nëse i shërbejmë një gruaje, një nëne, një fëmije në mënyrën më të mirë të mundshme me përkushtim dhe profesionalizëm, ky është sukses.
Nëse investojmë për t’u bërë më të mirë profesionalisht, intelektualisht, moralisht, atëherë po, kjo mund të quhet sukses.
Suksesi nuk dhurohet. Dikush që e mendon këtë, bën gabim. Mund të të japin mundësinë të punosh apo të evidentohesh, por që të kesh sukses, duhet të studiosh shumë, të punosh shumë, të sakrifikosh shumë, pra, duhet ta meritosh atë.
Sa i vështirë është menaxhimi i marrëdhënies familje-punë-karrierë?
Absolutisht më e vështira, sidomos për një grua. Nga gruaja priten më shumë gjëra nga shoqëria apo familja sesa nga një burrë. Harmonizimi i ambicies, karrierës dhe detyrave familjare është shumë i vështirë. Secili nga ne i bën sipas personalitetit të vet apo mundësive që ka.
Pa ndihmën e familjes sime, unë nuk do të mundesha që të investoja apo punoja në profesionin tim që është sa i bukur, aq dhe i vështirë dhe kërkon shumë sakrifica. Dhe për këtë u jam shumë mirënjohëse.
Çfarë e bën të bukur profesionin e një obstetër-gjinekologu?
Profesionin e mjekut në përgjithësi e bën të bukur mundësia që të ndihmosh. T’i gjendesh pranë dikujt që vuan në aspektin human dhe shkencor. Nëse nuk e sheh mjekësinë në këtë drejtim, atëherë mendoj që gabon në zgjedhjen e këtij profesioni. Ndërkohë mjekësia si profesion të ndihmon të kapërcesh limite. Ti kapërcen vetveten dhe bëhesh i aftë profesionalisht dhe moralisht sa dikush të beson veten, fëmijën apo shëndetin. Është koncept i gjerë filozofik kjo gjë.
Specialiteti i obstetër-gjinekologut të cilin e kam zgjedhur dhe vazhdoj ta dashuroj, ka dritë në brendësi të tij. Ne mundësojmë lindjen e jetës dhe kjo e bën shoqërinë më të mirë; ne ulim vdekshmërinë amtare dhe fetale dhe kjo e bën familjen më të lumtur dhe shoqërinë më të shëndetshme; ndihmojmë që nëna të ketë fëmijën e vet, burri fëmijën dhe gruan e vet apo shoqëria individin e shëndetshëm; mjekojmë tumore apo sëmundje të tjera gjinekologjike dhe bëjmë që të kemi nëna, gra apo vajza të shëndetshme. Ka më bukur se kaq? A mund të ketë shpërblim kjo gjë?
Çfarë e bën të vështirë?
Çdo gjë është e vështirë. Koha e gjatë e studimit, përqendrimi që të kesh rezultate të larta në shkolle, vështirësia e specializimeve, koha e gjatë e të studiuarit në klinika të huaja që të hapin horizontin, konkurrenca në punë dhe përkushtimi maksimal. Vështirësia rritet nga pamundësia që familjarët e pacientëve të të kuptojnë për situatën klinike apo pamundësinë që shkenca mjekësore ka në raste të veçanta të shërojë plotësisht. Rritet nga vështirësitë teknike apo materiale që mund të hasim gjatë punës. Rritet nga orët e gjata të punës apo stresi i vazhdueshëm gjatë tij.
Unë jam rritur me pasionin për mjekësinë nga imazhi i nënës sime kirurge dhe librat e Archibald J. Cronin. Por shpeshherë kjo nuk mjafton për të jetuar dhe studiuar. Në raste të veçanta, dhe jo pak të shpeshta, “Citadela” të shpërbëhet në dorë.
Cila është marrëdhënia me nënat?
Marrëdhënia me nënat e ardhshme duhet të jetë e vazhdueshme, korrekte në mënyrë që të jesh e suksesshme në punën tënde, pa lejuar neglizhenca, por në të njëjtën kohë profesionale.
Sa është numri i bebeve që lindin në një vit në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”?
Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” është lider në shërbimin e Obstetrikë-Gjinekologjisë në Shqipëri. E them këtë sepse ky maternitet ka numrin më të lartë të lindjeve në Shqipëri apo ndërhyrjeve gjinekologjike. Numri i lindjeve që kryhen në këtë institucion është nga 6500-7000 lindje në vit. Sfida jonë është rritja e cilësisë së shërbimit, ulja e mortalitetit amtar apo fetal dhe mjekimi më profesional i patologjive të shtatzënisë apo sëmundjeve gjinekologjike.
Kemi mortalitetin fetal dhe amtar çdo vit dhe më të ulët dhe jemi krenarë për përkushtimin që stafi i profesionistëve ka ndaj pacientëve.
Cilat janë emocionet që përjeton një mjek në momentin që “nxjerr në dritë” një fëmijë të shëndetshëm”?
Si çdo profesionalist i ndërgjegjshëm që bën punën e vet shumë mirë, është kënaqësia e të shpërblyerit të punës në vite që të mbush me krenari dhe gëzim. Gjithashtu, lumturia që shkakton tek një familje, ajo që të motivon për të ardhmen.
Cilat janë emocionet kur diçka shkon keq?
Nga kjo intervistë më duket sikur po jap idenë që mjekësia është fushë me lule dhe të fal vetëm gëzim. Nuk është kështu. Unë jam pak subjektive në entuziazëm, sepse e kam pasion mjekësinë, por sigurisht në rast disfatash i kam thënë vetes sime 100 herë “Çfarë t’u desh që zgjodhe këtë profesion?!”. Mjekësia është shkencë relative. Ne kemi humbje dhe disfata në punë jo vetëm nga paaftesia apo pavëmendja, por edhe për arsye që shkenca mjekësore nuk i shëron të gjitha sëmundjet.
Mjekët i afrohen Zotit, por nuk janë Ai. Ju siguroj që të gjithë mjekët kudo që punojnë, kanë krizat e tyre të personalitetit profesional, sepse disa herë ose për faj të aftësive të tyre profesionale apo mungesës së mjeteve a pajisjeve mjekësore, apo për shkaqe të tjera që nuk varen nga ata, kanë dështuar ose nuk kanë arritur rezultatet maksimale.
Çfarë duhet të bëjmë? T’i quajmë kriminelë? Jo! Shoqëria duhet ta njohë vështirësinë e punës së mjekëve dhe duhet t’i vlerësojë. Mjek nuk bëhet dot kushdo dhe nuk mund të bëhesh në një ditë. Kërkon ambicie, përkushtim, punë dhe sakrificë, por gjithashtu pasion, empati dhe zemër të madhe.
Sa i rëndësishëm komunikimi me pacientin? Në rastin e specialitetit tuaj, a është e nevojshme të komunikoni diçka me nënën para se të hyni në sallë?
Komunikimi me pacientin është thelbësor. Ka ikur koha që mjeku bënte si donte apo dinte pa u dhënë shpjegime familjarëve. Sot pa miratimin e familjarëve apo pacientes nuk mund të bësh asnjë ndërhyrje dhe rritja e nivelit të informimit të një pjese të popullatës mbi problemet mjekësore apo ligjore ka bërë që të jemi të kujdesshëm në shpjegime apo informime.
Çfarë ju bën të ndiheni e vlerësuar?
Mirënjohja. Reflektimi i faktit që dikë e kam ndihmuar sadopak dhe kam ndihmuar që të lumturohet. Respekti i kolegëve kur e ndiej, sepse më bën të kuptoj që jam munduar të mos fyej, të ndihmoj apo të respektoj këdo që punon dhe përpiqet.
Çfarë është sfidë për ju në punën tuaj?
Të perfeksionoj dhe tejkaloj vetveten me nivel më të lartë profesional duke punuar më mirë profesionalisht apo botuar më shumë në shtypin shkencor ndërkombetar.
Unë kam botuar dy monografi shkencore në fushën e obsetrikë–gjinekologjisë apo shumë botime të tjera shkencore në shtypin e huaj prestigjioz, por kjo është akoma pak përpara ambicieve të mia. Ne mjekët duhet ta kuptojmë që shkenca mjekësore evoluon dhe me mundësitë e sotme të informimit dhe lëvizjes për pacientët, ne duhet të jemi në të njëjtin nivel profesional me kolegët tanë në botë. A jemi? Me krenari them që në klasën elitare të mjekëve ka shërbime apo individë që janë të tillë. Ata kanë rezultate profesionale të larta, por edhe prezantim shkencor në shtypin botëror me nivele të larta në impakt faktor.
Gjithashtu, sfidë për mua si nëndrejtoreshë mjekësore e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” është rritja e cilësisë së shërbimit mjekësor në këtë institucion dhe rritja e edukimit në vazhdimësi e mjekëve të këtij institucioni.
Ju jeni edhe pedagoge. Si e vlerësoni punën me studentët?
Unë e kam pasion punën me studentët në Fakultetin e Mjekësisë. Shpeshherë më pëlqen të them se jam rritur në atë fakultet, sepse kam filluar punën si pedagoge menjëherë mbas mbarimit të studimeve universitare. Pra, e dua atë fakultet dhe ndihem pjesë e tij në çdo qelizë. Puna e të gjithë neve si pedagogë ka bërë dhe do të bëjë në të ardhmen që Fakulteti i Mjekësisë të qëndrojë elitar në sistemin arsimor në Shqipëri.
Rëndësia e Fakultetit të Mjekësisë në sistemin shëndetësor shqiptar është thelbësor, sepse formon brezat e ardhshëm të mjekëve që do të shërbejnë në të gjithë Shqipërinë. E kuptuar kështu, kjo bën që përgjegjësia që ndiej në punën pedagogjike të jetë maksimale dhe të jap maksimumin në këtë drejtim.



