Kryefaqja Të barabartë Radikalizimi i komunitetit romë dhe egjiptianë

Radikalizimi i komunitetit romë dhe egjiptianë

0
Shpërndaje

Veronika Kusyova, Këshilltare e Jashtme e projektit “Shoqëria Civile kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”

Gjatë udhëtimit drejt Lezhës, ku do të takohesha me përfaqësuesit e projektit “Integrimi i Romëve të Veriut” (IRV), nuk isha e sigurt se ç’do të gjeja atje.  E vërteta është që në të shkuarën kisha lexuar për radikalizimin e romëve, por për ata në Bullgari, jo në Shqipëri. Për më tepër, sa herë që pyesja, përgjigjet ishin ose negative ose që nuk dinin gjë për diçka të tillë. A mos do të përballesha sërish me një projekt të vagullt, i cili vetëm sa e cekte radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm?  Apo mos vallë do të shihja diçka tërësisht ndryshe?

Gjëja e parë që më tërhoqi vëmendjen në Lezhë ishte një bibliotekë e këndshme, në një ndërtesë mikpritëse, e cila të thërret të hysh brenda, aty ku ka aq shumë thesare e aq shumë libra për të lexuar.  Hekuran Koka, përfaqësuesi i IRV-së, më tregoi që kjo bibliotekë nuk ishte vetëm një ndërtesë prej tullash e llaçi, por edhe një bibliotekë shëtitëse, e cila shkonte pranë komunave të ndryshme në Lezhë. Një bibliotekë me rrota! Ua, çfarë mrekullie!

Sipas traditës shqiptare të kafesë, takimi ynë vazhdoi në një kafene të rehatshme buzë lumit. Hekurani filloi të më tregonte për situatën në këtë krahinë të Shqipërisë, duke më thënë se Lezha është një zonë me një nivel të lartë të integrimit të romëve në shoqëri dhe, si e tillë, ajo mund të shërbejë si shembull pozitiv për zonat e tjera. Për shembull, në këtë zonë ka shumë shkolla të cilat frekuentohen nga fëmijë romë, por jo në klasa të posaçme vetëm për ta. Për këtë arsye, tani ka më shumë të rinj romë të cilët vazhdojnë studimet e shkollës së mesme, madje edhe ato universitare. Megjithatë, edhe pse Bashkia ka arritur ta ulë numrin e nxënësve që braktisin shkollën, disa fëmijë romë lypin ende rrugëve të qytetit, ndërkohë që pjesa më e madhe e fëmijëve lypës vazhdojnë të shkojnë në shkollë.

Hekurani më tha se pavarësisht arritjeve dhe rezultateve të mira, të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç ishin më të prirur për të rënë pre e ekstremizmit dhe radikalizimit. Kjo ishte arsyeja pse IRV kishte vendosur të zbatonte pikërisht këtë projekt, për radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Hekurani theksoi se “projekti është shumë i rëndësishëm për Lezhën sepse, deri më tani, nuk kemi patur asnjë rekrut apo problem nga ky komunitet. Për rrjedhojë, mendonim se ishim të sigurt. Por projekti ka zbuluar se sa të rrezikuar janë komunitetet romë  dhe egjiptiane nga përjashtimi social dhe propaganda ekstremiste në rritje. Gjithmonë është më mirë të dish diçka përpara se të ndodhë, sepse përndryshe mund të jetë tepër vonë.”

Projekti përqendrohej kryesisht tek ndikimi që kanë radikalizimi dhe ekstremizmi i dhunshëm tek komuniteti rom, megjithëse askush nuk kishte shfaqur ndonjëherë shenja të këtyre problemeve. Për këtë arsye, u zhvilluan intervista me 150 të rinj romë dhe intervistuesit ishin edhe vetë nga komuniteti rom, në mënyrë që jo vetëm të arriheshin rezultate më të besueshme, por edhe të përfshihej komuniteti.

Studimi nxori në pah faktin se në kundërshtim me pjesën më të madhe të shqiptarëve, anëtarët e këtij komuniteti ishin më të prirur të besonin tek hoxha si individ, se sa tek islami si fe.  Një lidhje kaq e fortë me një udhëheqës fetar mund të mos jetë problem në Lezhë për shkak se hoxha aty, z. Muis Shehi, ka qenë paqësor deri më sot. Megjithatë, nëse do të kishte një udhëheqës tjetër, ose nëse dikush do të donte të bënte keq, ka gjasa që komuniteti Rom t’i shkonte pas e këto qëllime të mbrapshta të arriheshin pa shumë mundim.

Projekti IRV ka dëshirë të krahasojë gjetjet e tyre me rininë shqiptare në përgjithësi, si edhe me komunitete të tjera rome në Shqipëri. Sipas Hekuranit“në Lezhë, përveç diskriminimit tradicional racor, romët dhe egjiptianët i përkasin një pakice fetare”. Ai mendon se do të ishte me interes të studiohej kjo dukuri në qytete të tjera, ku romët nuk janë pakicë fetare, si në Elbasan apo Shkodër, si edhe në vende ku nuk janë as pakicë fetare e as racore, si p.sh. në Levan.

Pas bisedës, Hekurani më shoqëroi gjatë një shëtitjeje në komunitet. Pothuajse të gjithë reagonin ndaj vizitës sonë dhe ishte e dukshme që Hekurani dhe kolegët e tij nuk ishin të rinj në komunitet, por punonin me ta. Ajo shëtitje ishte çlodhëse, gjallëruese dhe frymëzuese. Na shoqëronte edhe një rom vendas, i cili ishte shumë kureshtar për Sllovakinë, aq sa filloi të ëndërronte për të bërë një vizitë një ditë tek vëllezërit e tij romë të vendit tim.

Ky artikull u shkrua nga Veronika Kusyova, Këshilltare e Jashtme e projektit “Shoqëria Civile kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e autores dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here