Bisedoi: Denisa Canameti
Korrektesa me të vërtetën është virtyt që i diferencon njerëzit. Virtyt që Blerta Kika, shefe e Sektorit të Prodhimit të Antigeneve dhe Serumeve Diagnostike në ISHP, e mbart dhe e reflekton si rrallë grua tjetër. Blerta duket dhe e thotë se e do punën e saj, i shërben asaj me shumë pasion dhe po me të njëjtin pasion dhe korrektesë i shërben edhe familjes. Ajo është nënë e dy vajzave, njëra prej të cilave, Ajvi është 19 vjeçe, për Drejtësi. Edhe kur flet për rolin e gruas, ajo nuk ngurron të thotë një të vërtetë që “ndoshta” disa nuk mund ta pranojnë. Por për Blertën, gruaja është ajo që pozicionohet vetë aty ku duhet të jetë. Lexoni më poshtë intervistën e plotë me të.
Kush është Blerta Kika Brati?
Unë jam Blerta Kika Brati. Kam mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1995. Pasi mbarova shkëlqyer me medalje gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, fitova të drejtën për të vazhduar mjekësi. Për 5 vjet ndoqa studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe aty mbarova shumë mirë, me mesatare shumë të lartë. Në vitet ‘95-‘96 kam kryer një vit stazh pranë QSUT-së në Tiranë dhe më tej në 1997-n me konkurs kam filluar punë në Institutin e Shëndetit Publik. Vend që e mbaj edhe sot.
Nga viti 1997 -1999 kam bërë specializimin në ISHP për mikrobiologji. Jam pajisur me certifikatë. Nga viti 2002-2005 duke iu nënshtruar rregullave të Ministrisë së Arsimit dhe Fakultetit të Mjekësisë, i jam nënshtruar konkursit në Fakultetin e Mjekësisë për të fituar të drejtën e specializimit për mikrobiologji.
Pozicioni sot në ISHP është shefe e Sektorit të Prodhimit të Antigeneve dhe Serumeve Diagnostike.
Folët për konkurse të vazhdueshme për të qenë në këto pozicione që sot jeni… Sa e ka vështirësuar të qenit femër pjesëmarrjen tuaj në një konkurs për vend pune?
Mbase në vitet që ne kemi mbaruar, të mbarosh gjimnazin brenda vitit 1990 mund ta quash periudhë tranzicioni, por gjithsesi merita shkonte tek i zoti. E qena femër është pengesë vetëm në atë që ti ke më shumë probleme të tjera, por në atë kohë nuk është se të pengohej apo të mohohej ndonjë e drejtë. Një punë korrekte, e përditshme, me vullnet dhe që jepte rezultate, vlerësohej.
Jam shkëputur në vitin 2005, që kam vajtur në Belgjikë. Kam qëndruar atje deri në 2009 dhe jam rikthyer, kam ikur prapë. Vajtja në Belgjikë ishte një shkollë tjetër për mua. M’u desh të bëja një shkollë 3-vjeçare për frëngjisht, pasi ndërkohë kërkova të ekuivalentoja diplomën. Me aq sa janë kurrikulat e Fakultetit të Mjekësisë, diploma jonë ekuivalentohej deri në stadin e një drejtori shtëpie pleqsh në Belgjikë, që duhet të ishte mjek. Kam punuar atje në spitale në profilin mikrobiologji, më shumë vullnetare sesa me pagesa, pasi ishte një sistem tjetër shëndetësor nga ai që ne kishim parë këtu. Ishte një frymë krejt tjetër. Ishte një shkollë më vete, që më vlen edhe sot.
A mendoni se ka ndonjë ndryshim në koncept për figurën e femrës , është i njëjtë raporti i vlerësimit për të si në Belgjikë, si në Shqipëri?
Për të thënë të vërtetën, nuk do të thoja që këtu më është mohuar ndonjë e drejtë ose se kam patur ndonjë presion për arsye se jam femër. Mendoj se gruaja pozicionohet vetë aty ku duhet të jetë. Mbase të qenët në Tiranë, të lindurit këtu, na ka dhënë disa favore. Ndoshta, ardhja nga një qytet tjetër mendoj se do të ma kishte bërë më të vështirë. Në Belgjikë mund të them vetëm se në raport me gratë belge, një intelektuale shqiptare ndihet e barabartë.
Pozicioni i punës të vë në raport me shumë persona, me të cilët je e detyruar të komunikosh, ti menaxhosh. Sa e vështirë është që të arrihet kjo?
Është i vështirë menaxhimi i personave që ti ke brenda sektorit tënd dhe në raport me të tjerët. Duhet të jesh në ekuilibër të gjithëkohshëm me ata që ke brenda me të cilët zhvillon punën dhe do të realizosh ato që ti ke synime, por ndërkohë duhet të mbash raporte shumë të mira dhe me kolegët e tu, me vartësit e tu. Duhet të respektosh një hierarki. Unë personalisht e zbatoj hierarkinë shumë mirë, gjë që do të thotë: mbi mua është një shefe departamenti dhe mbi shefen e departamentit është një titullar institucioni.
Shefja e departamentit është femër, ndërkohë titullari mashkull, me cilin prej tyre e keni më të lehtë komunikimin?
Nuk ka asnjë lloj diference.
Përveç karrierës, jeni nënë e dy vajzave. Cili është raporti yt me to dhe cila është këshilla që përsërit në mënyrë të vazhdueshme, duke patur parasysh dhe faktin që njëra prej tyre është një prag të “daljes në jetë”?
Kam dy vajza. Njëra është 19 vjeç, Ajvi, në vit të dytë Fakulteti i Drejtësisë dhe e vogla, Lea, që është në klasë të parë. Më shumë do të flisja për raportet me Ajvin, meqë është edhe më e madhe dhe në prag daljes në jetë, siç thatë dhe ju më të drejtë. Raportet me të janë raporte mikeshash të mira, por pa harruar asnjë moment që unë jam nënë dhe kam autoritetin e nënës. Autoritet që i bën mirë, jo presion, pa e detyruar apo për të bërë diçka ndryshe në atë që unë them dhe që ajo duhet të zbatojë.
Ajvi, së pari, edukohet përmes raportit tonë në familje. Ajo edukohet duke na parë më shumë sesa duke i thënë. Ajo ka qëndruar shumë vite në Belgjikë dhe ardhja në Shqipëri është një lloj tensioni dhe trysnie më shumë për atë sesa për ne. Por, gjithsesi, me Ajvin kemi raporte të shkëlqyera. Aktivizohet dhe me sport i cili i merr një kohë shumë të mirë dhe të madhe asaj dhe që e largon nga kjo jeta false që bën sot rinia shqiptare në Shqipëri.
Ajvi u brumos edhe me mënyrën e jetesës jashtë. Një student, një nxënës që do të bëhet dikushi nesër, nuk ka kohë ta shtyjë kohën dëm. Çdo kohë e lirë e tyre aktivizohet me sportin, i cili të bën shumë mirë për shëndetin, të çliron energjitë, ke kontakt dhe fiton një ego personale. Sepse në sport detyrohesh të bëhesh i fortë që t’ia dalësh. Qëndrimi gjatë nëpër lokale, pa pasur një libër në dorë, pa frekuentuar bibliotekat, është një e keqe e madhe.
Doktoreshë, ju keni një ton zëri që imponues, dukeni e vendosur, e tillë jeni edhe në raport me të vërtetën, e vendosur për ta thënë gjithmonë, hapur. Sa e lehtë është të thuash të vërtetën sot? Të ka dëmtuar ndonjëherë?
Duhet të them diçka në parantezë. Unë vij nga një familje tiranse, e quajtur kulake në atë kohë. Duke qenë kulakë në ato vite dhe duke pasur një pasuri të konsiderueshme, ti detyrohesh të mblidhesh në veten tënde dhe të punosh shumë. Është një shprehje që thotë: Që çdo regjim mund të të marrë çdo gjë, por atë që ke në mendje nuk ta merr dot kurrë. Atëherë mobilizohesh i gjithi, edukohesh nga familja, shikon të afërmit e tu, farefisin tënd si e përballojnë këtë situatë, kur një regjim i merr çdo gjë dhe mundohet t’u mohojë si prindërve të mi të drejtën e studimit. Atëherë ti i bën një autopresion vetes, duke qenë se ti e fiton çdo gjë në jetë nga vetja, nga ajo që ti punon, atëherë kjo të jep një karakter të fortë, të brumos me të vërtetën.
Pse nuk kam frikë ta them të vërtetën? Sepse gjithë vijueshmëria, në gjithë shkollën time, punën time, jetën time vetëm me të vërtetën kam çarë, nuk kam bërë kurrë pakt me asgjë që nuk është e vërtetë. Kam luftuar për të vërtetën, edhe pse ajo është e hidhur. E vërteta dhe karakteri i fortë të merr shumë gjëra, por dinjitetin ta mban lart.
Kjo mënyrë menaxhimi, me këtë vendosmëri, me këtë karakter, si reflektohet në punë dhe si në familje?
Unë jam e njëjta dhe në punë dhe në familje. Jam shumë e dashur dhe tolerante për ata që e pranojnë. Nuk ushtroj as presion, as nuk ngre zërin ndaj askujt. Tonaliteti vjen nga e vërteta që them. Kur unë dua të them një gjë, të jesh e bindur që e kam menduar mirë se nuk dua që ajo e thëna ime të më vijë kundrapeshë. Them një të vërtetë që në punë ka bazat profesionale, në jetën në familje ka gjithë sjelljen time dhe modelin tim. Jemi njerëz, jemi në atë shkallë inteligjence për të kontrolluar atë që themi.
Elementi kohë… Sa i menaxhueshëm është midis punës dhë familjes?
Elementi kohë është shumë i rëndësishëm. Por në momentin që unë kam vendosur të krijoj familje, edhe fëmija i parë ishte vajzë, ti e kupton që një kohë shumë të mirë duhet t’ia kushtosh asaj. Jo që e lashë veten pas dore, por mbase impenjimi ishte për të dyja njësoj. Nuk e konceptoj dot që të shkoj në shtëpi dhe rutinën e punës që kam lënë këtu, ta vazhdoj edhe atje. Meqë vendosëm në 2005-n të largoheshim, iu përkushtova më shumë atyre, dhe ajo që më ngelet peng është se lashë vitet e mia të doktoraturës pa i mbyllur. Po t’i vesh në balancë të dyja, i kushtova një kohë shumë të madhe familjes. Kur u ktheva në Shqipëri, pashë që doktoratura ishte bërë e modës dhe e shikoja veten jashtë. M’u desh pak kohë që të kapja fillin. Më favorizoi Ajvi që u rrit, dhe e kaloi atë periudhën që kishte nevojë të gjithëkohshme për mua. Paralelisht ajo përgatiste diplomimin e saj në shkollë të mesme, ndërsa unë përgatisja doktoraturën.
Bashkëshorti juaj, sa e mbështet ai faktin që ju jeni një grua që e doni edhe karrierën për t’u ndierë e plotësuar?
Në sajë të bashkëshortit tim shkuam në Belgjikë. Ishte caktuar ai me punë në misionin shqiptar në NATO. Ai është një ndihmë shumë e madhe për ne, shumë kohë e harxhon me ne. Sigurisht që i kushtohet dhe punës së tij si ushtarak. Raportet me të janë të shkëlqyera, ndihma është e shkëlqyer pavarësisht se profesionet janë të ndryshme. Gjithsesi e kemi mirëkuptimin.
A mendon se e përgjithshmja nuk ka ndryshuar dhe se pjesa më e madhe e meshkujve në vendin tonë i duan gratë “për shtëpi”?
Unë gjykoj se jo.
Çfarë e bën një femër të fortë?
Ngul këmbë se femra lind e fortë, por dhe e krijon forcën vetë. Që të fitosh besimin e bashkëshortit dhe familjes tënde, duhet të kesh dhënë shembuj të tillë. Ne jemi femra si në të gjithë botën. Ashtu si çdo femër që lan, shplan, gatuan për familjen e vet, të gjitha këto i bëjmë dhe ne. Nuk mund t’i hyjmë në pjesë asaj që e kemi për detyrë ta bëjmë. Por ndihma e burrit është e pranishme. Nëse brenda familjes tënde, me bashkëshortin tënd ke raporte besimi, raporte të ndërsjella besimi, një kohë të shpenzuar sa herë ke mundësi me ta, është çelës suksesi.
Sot ka femra që dhunohen, që “shtypen” nga meshkuj. Keni një mesazh se pse të jesh femër nuk do të thotë kurrsesi të ndihesh inferiore dhe ta shikosh dhunën si dhuratë të fatit…
Vërtet që shoqëria shqiptare është maskiliste. Por Shqipëria dhe shoqëria shqiptare do të emancipohet kur gratë të emancipohen. Nuk është një çështje meshkujsh. Nuk vendosin meshkujt mbi gratë. Janë gratë që nënshtrohen për 1001 arsye ndaj meshkujve.
Është i justifikueshëm nënshtrimi kur vjen për hir të fëmijës, familjes…?
Jo! Të thuash se po duroj dhunë fizike dhe psikologjike se kam familje, kam dy fëmijë, nuk është arsye në logjikën time. Gratë shqiptare janë aq të zonjat sa ta përballojnë jetën vetë. Gratë shqiptare janë nëna, burrat shqiptarë nëse nuk kanë vajza, janë lindur nga një nënë, ata duhet ta kuptojnë se nuk mund ta dhunojnë gruan dhe se nuk mund t’i bëjnë gruas atë që nuk do të donin t’i bëhej nënës së tyre. Kjo arrihet përmes emancipimit të tyre.
Shoh një tendencë: gratë duan të tëra të vishen, të jetojnë në luks, të kenë makina, t’i çojnë fëmijët nëpër kurse. Të gjitha këto janë rëndesa mbi meshkujt. Nuk mund t’u kërkojmë meshkujve pafundësisht të na përgjigjen ekonomikisht. Një grua e aftë duhet ta mësojë fëmijën e vet në shtëpi. Po të rrijë një fëmijë 2 orë në ditë duke i mësuar bukurshkrim, matematikë, janë mjaftueshëm. Një grua shqiptare është shumë e zonja t’i bëjë punët e shtëpisë vetë, nuk ka pse merr një punonjëse për këtë. Një grua mund të shkojë e të vijë me transport publik.
Por, nëse një grua ka karrierën plot, kohën shumë të zënë, atëherë kërkohet ndihma. Jo që të jemi një presion ndaj meshkujve dhe t’u kërkojmë pafundësisht atyre. Rezultati që marrim nga ato: “U dukemi një lloj prone”. Dhënia e lekut quhet sikur i kanë gratë nën pronësi dhe mund të ushtrojnë mbi ta çdo lloj dhune. Duhet t’i thonë stop.
Nismat e instancave shtetërore sa produktive kanë qenë në raport me atë që reflekton shoqëria në drejtim të emancipimit?
Për shumë vjet kemi qenë një shoqëri shumë e mbyllur. Ka 25 vjet që femra dhe gjithë shoqëria po del dhe po shikon. Është si një zog që ti e mban brenda dhe nuk arrin të shikojë dot as nga dritarja se çfarë bëhet. Dhe kur ti del në fluturim, është i çakorduar. Një herë do të biesh në tokë, një herë do të biesh pre e një grabitqari, është shumë shpejt që një femër për 25 vjet të arrijë gjithçka. Ne flasim për femrat në Tiranë, por Shqipëria nuk është Tiranë.


