Emigrantët sirianë: Shqipërinë s’e njohim, shpresojmë të jetojmë si njerëz

Përgatitën për gazetën “Shëndet+”: Genta Brahimi/Arlinda Gjypi

(Ky shkrim u mbështet nga shoqata “Together for Life”)

Siria mund të jetë në luftë, por sirianët e vendosur në Konicë të Greqisë, nuk e shohin aspak si alternativë qëndrimin në Shqipëri. Duke e konsideruar një vend të varfër dhe me paga të ulëta, ata sytë i kanë drejt Gjermanisë e Austrisë, ndërsa vendi ynë është thjesht një vend tranzit që ndoshta e prekin, ndoshta jo.

Ndërkohë që në media përflitet për pritjen e këtyre emigrantëve, të pyetur nga gazeta “Shëndet+” institucionet shqiptare duket se janë në pritje, ndërsa për masa të mirëfillta nuk mund të flitet.

Vendqëndrimi i emigrantëve sirianë, Konicë Greqi

Vendqëndrimi i emigrantëve sirianë, Konicë Greqi

Ç’po ndodh në Konicë?

Udhëtimin drejt Konicës (Greqi), qytetit ku u vendosën emigrantët e parë sirianë pranë kufirit shqiptaro-grek, e shoqërojnë bisedat e banorëve grekë për këtë çështje. Ka 15 ditë që emigrantët janë bërë pjesë e realitetit të përditshëm dhe janë familjarizuar me ta. Qyteti me një popullsi prej 30 mijë banorësh ndodhet 60 km larg pikës kufitare të Kakavijës. Mbizotëron një atmosferë krejtësisht e qetë, paqësore dhe mikpritëse.

Konice, Greqi, sirianet (12)

Lëmë pas rrethinat dhe në rrugët kryesore ndeshim emigrantët. Diku në grupe, diku vetëm, shëtisin të pashqetësuar, përshëndeten me vendasit, buzëqeshin dhe afrohen miqësisht kur iu flet. Duket se ditët këtu i kanë bërë të harrojnë vuajtjet, mundimet dhe sakrificat e mëdha për mbijetesë. Gjenden në një oaz paqeje, qetësinë e të cilit e prishin zilet e telefonave. Lajme të mira, të trishta, pritje që iu duket e pafund, deri në momentin kur të mësojnë se çfarë do të ndodhë me ta.

Konice, Greqi, sirianet (7)

Pjesën më të madhe të tyre i sheh tek komunikojnë me të afërmit përmes celularëve. Disa kanë familjet në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani e Austri. Presin të bashkohen. Duan të vazhdojnë udhëtimin drejt Evropës dhe nuk duan as të mendojnë se mund t’i kthejnë pas.

Konice, Greqi, sirianet (14)

Në qendrën ku jetojnë, një godinë që më parë ka shërbyer si jetimore, kanë kushte mjaft të mira.

Konice, Greqi, sirianet (24)

Thuajse të gjithë iu janë mirënjohës banorëve dhe i falendërojnë për trajtimin që iu bëjnë. Kur mbërritën fillimisht menduan se do të qëndronin vetëm pak ditë në pritje të hapjes së kufirit grek-maqedonas, por ditët po kalojnë dhe rrjedhja e ngjarjeve ka ndryshuar. Hyjnë dhe dalin nga porta kryesore e qendrës pritëse, për të bërë pazar, për të blerë gjëra që iu nevojiten apo për të plotësuar dëshirat e fëmijëve.

Konice, Greqi, sirianet (11)

Koha nuk ecën shpejt për ta, shëtitjet edhe ato të gjatat mbarojnë shpejt. Pesha e ankthit për të ardhmen ndihet tek të gjithë. Fëmijët e kanë më të thjeshtë. Ata luajnë në ambjentet e qendrës ose në parqet publike të shoqëruar nga nënat, vëllezërit e motrat që janë më të rritur. Nga takimet me bashkëmoshatarët kanë mësuar dy-tre përshëndetje në gjuhën greke. Nuk ka kufizime për ta gjatë ditës. Por të gjithë të ardhurit, siç na thonë janë të rregullt, korrekt, nuk bezdisin e nuk krijojnë probleme as për stafin që punon për ta, as për qytetarët e tjerë.

Konice, Greqi, sirianet (22)

Ekziston një klimë mirëkuptimi mes të ardhurve dhe banorëve. Historitë e trishta, fatet tragjikë të mijëra sirianëve, vuajtjet e luftës padyshim që kanë ndikimin e tyre. Solidariteti, humanizimi dhe mbështetja për këtë njerëz ka bërë që vendasit t’i shtrijnë dorën e ndihmës dhe t’i mirëpresin duke iu përgjigjur dhe thirrjes së autoriteve vendase për të kontribuar me ushqime e veshmbathje.

Konice, Greqi, sirianet (25)

Nga informacionet e publikuara në median greke, mësojmë se numri i emigrantëve pranë kufirit shqiptaro-grek ka shkuar në rreth 2000. Të fundit që mbërritën në qytetin verior të Janinës, rreth 1 400 janë vendosur në aeroportin e vjetër ushtarak, në Kacikas, me 26 autobuzë. Emigrantët janë sjellë nga ishujt e Egjeut dhe më pas u transportuan në Portin e Elefsinas. Dy ditë më parë të tjerë emigrantë më të paktë në numër u vendosën në Filipiadhë dhe Dolinë. Bllokimi i rrugës së kalimit drejt vendeve perëndimore ka bërë që emigrantët të presin në Greqi për të mësuar ç’do të ndodhë me ta.

Konice, Greqi, sirianet (29) Konice, Greqi, sirianet (32)

Drejtoresha:  Kemi marrë masat e duhura

E pyetur për emigrantët sirianë, drejtoresha e qendrës pritëse të emigrantëve në Konicë, Katerina Metopulu, shprehet për gazetën “Shëndet+”:

katerina e qendres“Grupi i emigrantëve ka gati 15 ditë që është vendosur në qendrën pritëse në Konicë. Ne u japim gjithë ndihmën e mundshme duke iu gjendur pranë këtyre njerëzve në nevojë. Nuk e di kohën e saktë sa do të qëndrojnë këtu, pasi kjo varet nga vendimet që do të marrë qeveria”.

Ajo thotë se janë 162 persona dhe më i vogli është një fëmijë 30 ditësh. “U kemi krijuar të gjitha kushtet e nevojshme, u sigurojmë ushqim të ngrohtë, veshmbathje, trajtohen me dashuri e humanizëm jo vetëm nga ne të qendrës, por edhe nga banorët”.

E pyetur nëse kanë pasur ndonjë urgjencë shëndetësore nga emigrantët, ajo thotë: “Nuk kemi pasur asnjë rast me probleme shëndetësore, por për çdo të papritur kemi në gatishmëri një ambulancë të vënë në dispozicion nga spitali i Janinës”.

Lidhur me marrëdhënien e emigrantëve me vendasit, Metopulu shprehet: “Gjendja këtu është e qetë dhe jemi familjarizuar me njëri-tjetrin. Presim se çfarë zgjidhje do të marrë kjo çështje. Sa për emigrantë të tjerë, mund t’ju them se në këtë qendër nuk do të vijnë të tjerë, pasi kaq është kapaciteti”.

Emigrantët sirianë: Jemi të kënaqur në Greqi. Synimi ynë, Gjermania

Emigrantët e vlerësojnë mikpritjen e bërë nga pala greke. Mahmudi, 28-vjeçar thotë për gazetën mahmud“Shëndet+”: “Qeveria greke na solli këtu dhe fillimisht u fol se do të presim 15 ditë. Kushtet janë shumë më të mira se në kufirin greko-maqedonas, kemi ushqim, veshmbathje, na japin çdo gjë që na nevojitet dhe banorët janë miqësore me ne. Nuk dimë se edhe sa duhet të presim, por unë do të shkoj në Gjermani. Aty kam një pjesë të familjes sime”.

Lidhur me mundësinë për t’u vendosur në Shqipëri ai thotë: “Kam dëgjuar se Shqipëria është fare pranë vendit ku jemi tani. Nuk di ç’të them. I vetmi synim imi është të hapet kufiri dhe të mbërrij në Gjermani, nuk e mendoj Shqipërinë si vend ku të qëndroj. Nëse na çojnë, mbase do të ketë kushte të mira, sa për njerëzit kemi dëgjuar që janë miqësore”.

Edhe emigrantët e tjerë, të pyetur nga gazeta “Shëndet+”, kanë të njëjtin qëndrim.

***

fatahFatahu, 33 vjeçe: Jemi shumë të kënaqur të mirëpritur, por duam të ikim sa më parë në vendet e Evropës Perëndimore. Pjesa më e madhe e atyre që qëndrojnë këtu kanë të afërm dhe familjarë në Gjermani, Austri e ndonjë vend tjetër.  Ne ju jemi mirënjohës shtetit grek dhe qytetarëve për kushtet që kemi këtu, pasi shumë emigrantë të tjerë ikin nga lufta, dhe në kampe jetojnë më keq sesa në Siri.

Ne presim të hapet kufiri dhe të kalojmë përmes Maqedonisë, ashtu si kanë ikur mijëra të tjerë. Sa për kushtet në Shqipëri, presim të jenë normale si këto që kemi këtu. Por unë nuk besoj se grupi i vendosur këtu në Konicë do të vijë në Shqipëri, nuk besoj. Të presim, mbase takohemi në vendin tuaj.

***

mehmedMehmeti, 50 vjeç: Kushtet këtu janë të mira, na trajtojnë mirë, nuk kemi probleme. Dalim lirshëm në rrugë, shkojmë në markete. Jemi vendosur për pak kohë, pasi udhëtimi ynë nuk mbaron këtu. Unë kam fëmijët në Gjermani dhe dua të shkoj atje, të bashkohem me ta.

Për mua personalisht nuk ka ndryshim nëse pres këtu apo në Shqipëri, kalimtarë do të jemi edhe aty. Kemi pyetur për vendin tuaj, mund të jetë një rrugë kalimi për ne, por edhe nëse na sjelli, shpresoj të mos rrimë gjatë dhe mendoj se kushtet do të jenë afërsisht si këtu. Greqia, Shqipëria dhe vendet e  Ballkanit nuk janë të mira për të qëndruar, për të nisur jetën nga e para, nuk ka punë, nuk ka pagesa të mira.

***

haseim el brahaHaisem el Braham, 38 vjeç: Jam këtu me gruan, në pritje të zgjidhjes që do të japin vendet e Evropës për ne. Babai im jeton prej kohësh në Gjermani dhe duam të shkojmë aty, pasi kemi dikë që na pret dhe na siguron një jetesë të mirë. Kushtet janë normale, nuk mund të kërkojmë shumë komoditet, pasi është e vështirë të mbash kaq shumë emigrantë. Por jemi mirë dhe për këtë falënderoj Zotin.

Janë mijëra vetë që ikin nga lufta në Siri dhe kërkojnë të shkojnë në Gjermani, Suedi, Austri, kështu që ardhjen në Shqipëri nuk e mendojmë. Rruga që ndiqnin më parë, dihej ajo përmes Maqedonisë, tani të presim. Shqipëria është vend në zhvillim, mbase do të kemi kushte të mirë po të na sjellin.

***

aziaAsia, 38 vjeçe: Jam këtu me djalin dhe vëllanë, pjesa tjetër e familjes është në Gjermani. Kemi kaluar shumë vështirësi, mundime, kemi ecur në këmbë, edhe pa ngrënë disa herë derisa mbërritëm në Greqi. Na sollën në Konicë dhe nuk mund të ankohemi, pasi po na bëhen të gjitha shërbimet.

Nuk dua të vij në Shqipëri, dua të shkoj në Gjermani dhe të bashkohem me familjen time. Atëherë do të marrin fund gjithë këto vuajtje.

***

 

Muhamed Hasan, 26 vjeç: Jemi me fat që ndodhemi këtu, i shpëtuam luftës, por problemet tona nuk Muhamad Hasankanë marrë fund. Dua të harroj gjithçka dhe të shikoj përpara. Vendi këtu është i bukur, një qytet i vogël dhe qendra ku rrimë është e pajisur me të gjitha kushtet e nevojshme. Na trajtojmë shumë mirë dhe për këtë u detyrohemi shumë.

Shpresoj të mos vij në Shqipëri. Udhëtimi do të zgjatej shumë. Dua të mbërrij në Gjermani. Jam inxhinier elektronik dhe shpresoj të gjej punë aty. Nëse jemi të detyruar do të qëndrojmë në vendin tuaj, besoj do të gjejmë të njëjtat kushte. Nuk mund të kërkojmë shumë, mjafton që të na pranojnë.

***

ahmedAhmedi, 22 vjeç: Është e vështirë për të gjithë, edhe për ne që ikim nga shtëpitë tona e kemi humbur gjithçka, edhe për ata që na presin. Është një popull i tërë në arrati, ikim t’i shpëtojmë vdekjes dhe kur dëgjojmë kushtet në kampet e tjera, them se jemi me fat që u vendosëm këtu. Na kanë pritur mirë.

Sa për Shqipërinë, është një mundësi ardhja jonë dhe kalimi drejt Italisë e më pas drejt Gjermanisë apo Suedisë. Nuk e dimë sa do të zgjasë qëndrimi ynë në këto kampe. Nuk e dimë se çfarë zgjidhje do t’i jepet këtij problemi, nëse mund të largohem nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të BE-së, do të vija me kënaqësi.

***

josifJosifi, 12 vjeç: Në kampet e tjera gjendja ishte e keqe, nuk kishim shtretër të flinim, mungonte ushqimi i ngrohtë. Këtu jemi shumë mirë. Ushqehemi rregullisht, dalim lirshëm në qytet dhe mundohemi të argëtohemi me shokët.

Shqipërinë nuk e njoh, edhe prindërit besoj nuk e njohin këtë vend. Shpresoj që po të vijmë, të gjejmë të njëjtat kushte, të paktën të jetojmë si njerëz.

Postime të ngjashme

Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Sa kafe mund të pimë në ditë pa rrezikuar shëndetin? Ja çfarë thonë studimet
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Brokoli apo lulelakra: Cila ka më shumë fibra dhe cila është më e shëndetshme?