Kryefaqja Fitness Hamdi Halimi: Karateja, atje ku sekondat bëjnë diferencën

Hamdi Halimi: Karateja, atje ku sekondat bëjnë diferencën

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elena Beta

13 vite në përkushtim në sportin që aq shumë e do, karatesë. Orë të gjata stërvitje dhe vite të tëra pune i dedikohen dëshirës për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike Pekin 2020. Pasioni me të cilin flet për teknikat e stërvitjes sapo i drejton një pyetje rreth këtij sporti të bëjnë të kuptosh se Hamdi Halimi e dashuron sportin e karatesë dhe mund të jetë fitimtari që çdo vend do të dëshironte në një kampionat aq të rëndësishëm. Edhe pse këtë vit do të diplomohet për  Inxhinieri Informatike në Fakultetin e  Shkencave të Natyrës, ai ka vendosur një balancë mes të dyjave  dhe duket se kjo gjë e bën të lumtur. Për t’u njohur më shumë me jetën e një sportisti të apasionuar dhe një studenti të zellshëm, lexoni intervistën për gazetën “Shëndet +”

Për t’u njohur pak më shumë me ty Hamdi, mund të flasësh pak për veten? Përveç drejtimit të një klubi privat për sportin e karatesë, me çfarë merresh tjetër?

Unë në fakt jam në vit të tretë në Fakultetin e  Shkencave të Natyrës, dega Inxhinieri Informatike. Shkolla dhe sporti i karatesë ecin paralel për mua, janë të dyja shumë të rëndësishme. Karatenë e kam filluar që në moshën 12-vjeçare , pra kam 13 vjet që merrem me këtë sport.

Si ka lindur dashuria për këtë lloj sporti?

Kontakti im i parë me karatenë ka qenë që në moshën 4–vjeçare, pasi atje ku banoj në Preshevë,  afër shtëpisë ndodhet një palestër dhe shikoja shpesh persona që vinin për stërvitje. Babi shpesh me ndalonte për shkak të moshës të vogël, por unë sërish nuk hoqa dorë nga ajo që doja. E kam filluar duke bërë streçing (hapje), derisa u bëra gati për të ushtruar sportin e karatesë. Me ekipin  kemi udhëtuar në shumë vende, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku kemi treguar aftësitë tona. Duke qenë se isha edhe në shkollë, më duhej të stërvitesha më pak se ekipi, rreth 3 herë në javë, megjithatë rezultati ishte tepër i mirë edhe pse bëja më pak stërvitje se të tjerët. Për një sportist elitar, 3 herë në javë stërvitje nuk është asnjëherë e mjaftueshme, prandaj dhe fillova të  kaloj orë të gjata duke punuar në palestër, minimumi 5 herë në javë. Një herë paradite duke bërë vrap, dhe një herë pasdite duke punuar me teknika.

Pse zgjodhe pikërisht karatenë?

Sepse karateja është sport jetëgjatë, mund të vazhdosh garën deri në moshën 35- vjeçare dhe më pas mund të vazhdosh karrierën edhe si trajner.

Mund të më tregosh disa nga arritjet e tua? Kampionatet ku ke marrë pjesë, medaljet e fituara?

Për mua një nga kampionatet më të rëndësishme është Kampionati Mbarëkombëtar, ku dua të marr pjesë si përfaqësues i Shqipërisë. Një ndër çmimet që kam fituar është vend i dytë për 3 vite rresht në Kampionatin Kombëtar. Kam pas një lëndim në hundë që më penalizoi pak për vendin e parë. Duhet të ruhesha shumë nga goditjet në hundë pasi mund të më shkaktonin dëmtim serioz në shëndet. Kam marrë pjesë në një kampionat në Austri,  ku kam përfaqësuar Preshevën. Do doja shumë të përfaqësoja Shqipërinë por nuk e kam kam një pasaportë shqiptare.  Jam duke punuar shumë këtë vit për të fituar çmimin kampion dhe për të marrë më pas pasaportën shqiptare. Duke qenë se karateja është futur tashmë në lojërat olimpike, në vitin 2020 do doja të përfaqësoja Shqipërinë në Tokio.

Çfarë e dallon karatenë nga sportet e tjera? Cilat janë përfitimet që ky sport i sjell shëndetit?

Tani të gjitha sportet bëjnë mirë për shëndetin, megjithatë në karate nuk merr shumë goditje në fytyrë, ashtu si mund të marrësh në MMA apo kickbox. Rasti im është ndër të rrallët (qesh). Karate është gjithashtu një sport me disiplinë ku edhe sekonda është e rëndësishme. Duhet të përgatitesh 3 muaj për të marrë pjesë në një ndeshje 3 minuta. Duhet të japësh maksimumin tënd dhe ke vetëm 3 minuta për të treguar sa vlen.

Cila është mosha ideale për të filluar këtë sport?

Mosha ideale është 7 vjeç. Në këtë moshë personi mund të futet në brendësi të sportit, të njihet mirë me të dhe të japë maksimumin. Më herët se mosha 7 vjeç nuk këshillohet pasi eshtrat e fëmijës janë ende të brishta dhe të paformuara mirë.

Sa është numri i fëmijëve që regjistrohen në palestrën tënde?

Për momentin mund të them që ka humbur interesimi, jo vetëm për karatenë por për të gjitha llojet e sporteve, dhe kjo vjen për faktin se nuk ka buxhet. Nëse nuk e financon shteti një sport, nuk ka mundësi për të ecur para dhe të mendosh që sporti është ambasadori më i mirë i secilit shtet. Është mirë të ndjekim shembujt e vendeve të zhvilluara, ku i jepet rëndësia e duhur sportit. Unë në palestër kam 20 anëtarë të regjistruar dhe shpresoj që këtë vit të rritet numri. Në fakt, edhe mungesa e informacionit ndikon, pasi ka plotë fëmijë që mund të kenë dëshirë të ushtrohen në karate, por nuk kanë informacion se ku ka palestra të posaçme për këtë lloj sporti. Pra duhet të ketë informacion prindi, sepse është ai që e ndjek fëmijën.

Preferohet më shumë nga femrat apo meshkujt?

Të dyja gjinitë e preferojnë, megjithatë dominon meshkujt.

Mendon se ky lloj sporti është një mënyre e mirë dhe për të krijuar vetëbesim?

Po, patjetër të krijon njëfarë vetëbesimi. Është e njëjta gjë si kur shkon për të dhënë një provim, kur ti ke përgatitjen dhe besimin e duhur, sigurisht dhe rezultati është i lartë. Në këtë lloj sporti pa vetëbesim nuk shkon shumë larg, po shkon të luftosh dhe çelësi është të besosh se ti je fitimtar. Kështu që karateja të ndihmon shumë në këtë pjesë.

Ku mbështetet më shumë sporti, në Shqipëri apo në Kosovë?

Kosova investon shumë për sportin  në fakt. Shpresoj shumë që të rritet niveli edhe në Shqipëri, pasi është shumë dobët, sidomos Federata e Karatesë të investojë më shumë. Ka vite që Shqipëria nuk ka marrë medalje ballkanike evropiane në zhanrin e karatesë.  Mezi po pres të marr pasaportën shqiptare, pasi aktualisht jam me pasaportë serbe dhe do doja të përfaqësoja Kosovën dhe Shqipërinë në kampionate. Kjo është arsyeja që më ndalon të marr pjesë në kompeticione të shumta. Dua të arrij majat dhe mund të them se nuk jam shumë larg kësaj.

Fakti që ti do diplomohesh për një degë që nuk ka lidhje me karatenë, mos do të thotë që do të heqësh dorë nga karateja?

Jo. Unë kam pasur mundësi pafund për të ushtruar profesionin për të cilin do diplomohem, madje edhe jashtë, por nuk kam pranuar, pasi dua të përkushtohem sa më shumë për të qenë më i miri në sportin që dashuroj. Kam 13 vite që praktikohem dhe nuk e le në mes.

Të kalojmë në një atmosferë tjetër pyetjesh. Duke qenë se prej disa ditësh jeton në Shqipëri, të ka rastisur të vizitohesh? Çmendim ke për sistemin shëndetësor këtu dhe për mjekët në veçanti?

Unë kam 5 vite që jetoj në Shqipëri dhe mund të them se kam marrë kujdes maksimal nga mjekët  kur kam shkuar për vizita. Ka mjekë të mirë, sidomos ata që kujdesen për sportistët janë më të mirët absolutisht.

Vajzat shqiptare apo ato kosovare, kush janë më të mira?

Shqiptaret. Kam mendim shumë të mirë për vajzat shqiptare, janë vajza të mira dhe largpamëse, nuk mendojnë vetëm momentin. Janë të edukuara, të dashura, janë thjesht shumë të mira (qesh).

Çdo të thotë për ty lumturi?

Të jem fitimtar gjithmonë dhe të jem i shëndetshëm.

Duke qenë se jeton vetëm, si je me gatimin?

Di të bëj pica shumë të mira, makarona, vezë.

Si e kalon kohën e lirë?

Vetëm stërvitje. Kam trajner personal me të cilin punoj çdo ditë.

Një mesazh për të gjithë ata që e duan sportin?

Të fokusohen sa më shumë në zhanrin ku e ndiejnë vetën të aftë, sepse sporti ka fitime shumë të mëdha. Nëse del kampion Evrope dhe sjell medalje për shtetin, do marrësh bursë mujore nga shteti, por mbi të gjitha do mbash të shëndetshëm trupin dhe gjallë shpirtin./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here