Kryefaqja Estetike Hiperpigmentimet e lëkurës (njollat kafe) dhe trajtimi i tyre

Hiperpigmentimet e lëkurës (njollat kafe) dhe trajtimi i tyre

0
Shpërndaje

Dr. Albana Lufi, Mjeke-Dematologe, PhD në Dermatologji (Klinika Dermatologjike dhe Estetike “Dermovita”)

Për të pasur një lëkurë të bukur dhe të shëndetshme, duhet të kujdesemi në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë vitit. Në periudhat e rrezatimit diellor, pra në pranverë dhe verë, krahas përkujdesjeve të tjera, një kujdes të veçantë duhet t’i kushtojmë dhe mbrojtjes së lëkurës nga dielli.

njollat kafe ne lekureDielli i tepërt mund të na shkaktojë më shumë dëme se thjesht një djegie të lëkurës. Një ekspozim i zgjatur nën rrezet e diellit mund të shkaktojë njolla kafe, të kuqe, tharje dhe ashpërsi të lëkurës, rrudha e madje në raste ekstreme edhe kancer të lëkurës. Për të shmangur këto efekte të dëmshme, rekomandohet përdorimi i kremrave fotombrojtës gjatë gjithë vitit.

Në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit rekomandohen përdorimi i kremrave fotombrojtës me SPF (filtër mbrojtës) 10 ose 15, kurse në pranverë dhe verë kremrat fotombrojtës duhet të jenë me SPF 30 deri 50. Përdorimi i kremrave fotombrojtës jo vetëm mbron lëkurën nga plakja, por parandalon formimin e njollave kafe (hiperpigmentimet ose melasma) në fytyrë, të cilat shpeshherë shkaktojnë stres të shprehur në personat tek të cilët shfaqen.

Cilët janë shkaktarët e hiperpigmentimeve?
Njollat kafe ose hiperpigmentimet shfaqen si rrjedhim i shtimit të pigmentit normal të lëkurës, të melaninës. Hiperpigmentimet mund të jenë të gjeneralizuara ose të lokalizuara, primare ose sekondare. Hiperpigmentimet e gjeneralizuara shkaktohen nga dëmtimet e aparatit endokrin si sëmundjet e gjendrave surenale, disfunksion i hipofizës, i tiroides etj.
Faktori kryesor që ndikon në shfaqjen e hiperpigmentimeve sekondare, është rrezatimi diellor që është një faktor prezent pothuajse në pjesën më të madhe të rasteve, faktorë të tjerë përmendim shtatzënia, çrregullimet hormonale, disa medikamente si kontraceptivët, disa produkte kozmetike të cilët përmbajnë faktorë që ndihmojnë në shfaqen e hiperpigmentimeve.

Hiperpigmentimet mund të jenë të vetme ose të shumta në numër. Ato lokalizohen në përgjithësi në mënyrë simetrike në ballë, faqe, hundë, buzën e sipërme, mjekër dhe në qafë. Ato kanë tendencë të persistojnë gjatë dhe nuk zhduken gjatë dimrit. Shfaqen zakonisht tek personat me lëkurë të bardhë, por janë gjithashtu të shpeshta tek personat që nxihen lehtë dhe që kanë lëkurë të errët. Kryesisht preken femrat por në 10% të rasteve shfaqen dhe në meshkuj.

Megjithatë, siç e përmendëm dhe më sipër, shkaku kryesor është rrezatimi diellor. Me kalimin e kohës, si pasojë e mbiekspozimit në diell dhe mospërdorimit të kremrave fotombrojtës, të tilla njolla shfaqen kryesisht në fytyrë, por edhe në trup.

Dr. Albana Lufi
Dr. Albana Lufi

Lëkura jonë është përherë e më shumë subjekt i mjaft dëmtimeve nga dielli. Pjesa më e madhe e dëmtimit nga dielli ndodh kur udhëtojmë me makinë. Xhami i makinës bllokon 100% rrezet UVB (të cilat shkaktojnë djegien e lëkurës) dhe aspak ato UVA, rrezet shkaktare të plakjes së lëkurës dhe të krijimit të hiperpigmentimeve.
Si trajtohen hiperpigmentimet?
Mjekimi i  hiperpigmentimeve është i vështirë. Është më e lehtë të parandalohet formimi i hiperpigmentimeve sesa të trajtohen. Evitimi i ekspozimit të diellit dhe përdorimi ditor i kremrave kundër diellit është i domosdoshëm për të penguar forminim e njollave të tjera.

Femrat duhet të ndalojnë kontraceptivët oralë nese përdorimi i  tyre ka shkaktuar hiperpigmentime. Mbas shtatzënisë hiperpigmentimet mund të largohen pa mjekim. Për të trajtuar hiperpigmentimet ose njollat kafe mund të përdoren kremrat zbardhuese si hydroquinoni 2-4%, vetëm ose në bashkëveprim me tretinoinën 0.05%, acidi azelaik etj.

Sot për trajtimin e hiperpigmentimeve përveç kremrave përdoren dhe metoda të tjera mjekimi të cilat japin rezultate më të mira, si: mikrodermoabrazioni, mesoterapia, laseri fraksional. Një procedurë me efikasitet të lartë në trajtimin e hiperpigmentimeve të lëkurës është dhe piling kimik.

Çfarë është piling kimik?

Piling kimik është një procedurë që përdoret jo vetëm për të trajtuar njollat kafe  ose hiperpigmentimet në lëkurë, por dhe për të pakësuar dhe eliminuar rrudhat e sipërfaqshme rreth syve, gojës dhe në tërësi të lëkurës së fytyrës, për të rinovuar lëkurën e plakur dhe në pamje të lodhur, për të reduktuar shenjat e lehta dhe të mesme të akneve. Piling kimik nëpërmjet aplikimit të solucioneve kryesisht acide në përqindje të ndryshme nga 30 deri 70% stimulon krijimin e një lëkure të re.
Lëkura e re është më e lëmuar, më e butë, e shndritshme, me më pak rrudha. Piling kimik mund të shkaktojë përkohësisht një skuqje dhe deskuamim të lehtë që zgjat zakonisht disa ditë, në varësi të përqendrimit dhe llojit të substancës së përdorur.

Piling kimik është një procedurë mjekësore dhe aplikohet nga mjeku dermatolog. Para fillimit të procedurës merret një anamnezë e hollësishme në lidhje me tipin dhe ndjeshmërine e lëkurës, alergjitë ose patologjitë e tjera në zonën ku do aplikohet. Për trajtimin  e hiperpigmentimeve dhe shenjave të akneve nevojiten minimumi 4 seanca me interval 2-javor.

Këshillat që rekomandohen për t’u mbrojtur nga rrezatimi diellor
Mbrojtja nga dielli është diçka për të cilën duhet të jeni të vetëdijshëm në çdo kohë.
-Përdorni kremrat kundër diellit me faktor mbrojtës të lartë SPF 30 dhe 50 duke filluar nga marsi deri në fund të shtatorit dhe me faktor mbrojtës më të ulët në muajt e tjerë të vitit.
-Përdorni kremin 30 minuta para daljes në diell dhe përsëriteni çdo 3 orë.
-Pasi keni përdorur kremin fotombrojtës mos përdorni produkt tjetër kozmetik mbi të (pudër ose krem pudër).
-Në kohën e plazhit, përdorni kremrat kundra diellit sa herë që dilni nga deti, duke shpëlarë më parë fyfyrën me ujë, pasi uji i kripur lejon që rrezet e diellit të depërtojnë më lehtë në lëkurë duke bërë të mundshme shfaqien e njollave kafe.
-Mos harroni të përdorni syze, madje edhe në periudhën e dimrit, duke parandaluar shfaqjen e rrudhave të diellit, por dhe të njollave kafe në zonën rreth syve .

Përdorimi në mënyrë korrekte i kremit fotombrojtës dhe i përshtatshëm sipas tipit të lëkurës do të ndihmonte në parandalimin e formimit të hiperpigmentimeve.
Duhet theksuar se çdo rast me hiperpigmentim përbën një rast specifik dhe, si i tillë, duhet trajtuar në mënyrë specifike dhe vetëm nga një mjek dermatolog. Dermatologu është trajtuesi i vetëm që merr përsipër të trajtojë problemin dhe pasojat që mund të rrjedhin nga trajtimi.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here