Injoranca i bën njerëzit të vdesin nga kanceri

Denisa Canameti

“Nuk ka rëndësi vetëm sasia e jetës (pra sa gjatë jeton) por edhe cilësia e saj”. Kështu shprehet për lexuesin e “Shëndet+” mjeku Esat Bardhoshi. Kur flitet për kirurgjinë oromaksilofaciale, pak vetë e njohin, por ajo është shumë e rëndësishme, pasi lidhet drejtpërdrejt me pjesën më të rëndësishme të trupit të njeriut: kokën. Në një intervistë ai shpjegon gjithçka për kirurgjinë e gojës, nofullës dhe fytyrës.

Esat Bardhoshi (1)

Dr. Esat Bardhoshi

Doktor, çfarë është kirurgjia oromaksilofaciale?

Kjo disiplinë ka një fillesë në vitet ’90. Ndërkohë që në Shqipëri për arsye të ndryshme gjërat vijnë me vonesë. Kirurgji oromaksilofaciale do të thotë kirurgji e gojës, e nofullës dhe fytyrës. Është një term special.

Cilat janë ankesat më të zakonshme të pacientëve?

Në 90% të rasteve vijnë me ankesa nga goja, me infeksione nga dhëmbët, nga sëmundjet e mishrave të gojës, tumoret etj. Është injorancë që njerëzit të vdesin nga kanceri i buzës, sepse është diçka që shihet. Duke mos e njohur, e neglizhojnë deri në atë shkallë sa arrin në një shkallë të përparuar dhe mundësia për ta ndihmuar pacientin është shumë e vogël.

Cilat janë simptomat e kancerit të buzës?

Ajo neglizhohet, sepse shfaqet si një puçër e vogël në buzë e cila herë shërohet, herë riaktivizohet. Gjithashtu ngacmohet, sidomos nga duhanpirësit. Pacientët vijnë këtu kur kjo merr përmasa të mëdha, kur ka dhënë dhe metastaza.

Si mund ta dallojmë një puçër normale nga një puçër kanceroze?

Një puçër normale zgjat një javë apo maksimumi 2 javë dhe shërohet. Ndërsa një puçër kanceroze mund të mos shqetësojë në fillesat e saj, por nuk ikën. Mundësia për t’u kthyer në kancer agresiv, është shumë e lartë. Nuk kemi vetëm kancerin e buzës, kemi kancerin e gjuhës, të nofullave, të cilat janë më të vështira për t’u diagnostikuar. Buza është diçka që çdo njeri mund ta kuptojë, shikohet në pasqyrë, e shohin edhe të tjerë. Është e pafalshme të mos kapet në fazat fillestare.

Ku ndryshon puna e një kirurgu oromaksilofacial nga puna e një stomatologu?

Kemi një lidhje shumë të ngushtë me stomatologët, sepse punojmë në të njëjtin terren. Ata janë mjekët e gojës, edhe ne po ashtu, por në aspektin kirurgjikal. Ekperienca ka treguar që kirurgjia orale trajtohet nga mjekë të specializuar në stomatologji. Kurse, maksilofacial ka më shumë logjikë të jetë nga mjekësia e përgjithshme, nga kirurgjia orale, nga stomatologjia, pra, do një përgatitje më të madhe.

buzeqeshje dhembeshJu ndodh shpesh që të korrigjoni punën e një stomatologu?

Ka raste të tilla. Nuk mund të themi korrigjim. Themi që ka raste ku stomatologët nuk kanë rezultate të mira dhe kërkojnë ndihmën tonë. Kjo është në gjithë botën. Stomatologët në Shqipëri kanë një nivel shumë të mirë, pavarësisht vështirësive që mund të kenë. Normalisht ka ndërhyrje të tilla që stomatologët nuk mund t’i bëjnë, sepse do të rezultonin fatale rezultatet. Ata nuk kanë përgatitjen për ta bërë këtë gjë. Ekziston një shprehje që thotë: “Nuk ka rëndësi vetëm sasia e jetës (pra sa gjatë jeton) por edhe cilësia e saj”. Problemet në pjesën e kokës janë më seriozet se në çdo pjesë tjetër të trupit. Në një rast fatal, këmba mund të pritet, por koka jo, nuk ka zëvendësim.

Cilat janë ndërhyrjet më të shpeshta që realizohen?

Si përvojë në këtë spital dua të them që kushtet janë vërtet të mira duke krijuar mundësinë për të realizuar një sërë ndërhyrjesh. Ndërhyrjet më të mëdha janë në kirurgjinë orale. Të themi në 70% të rasteve. Ndërhyrjet janë për infeksione, për dhëmbë të mbetur, të thyer, janë për tumoret e buzës, gjuhës dhe dyshemesë së gojës. Këto janë kryesore. Kemi edhe traumat, thyerjet, frakturat nga aksidentet, të cilat shkaktojnë pasoja në nofull, në dhëmbë, në fytyrë. Ka dhe një grup të vogël ndërhyrjesh, siç janë ndërhyrjet korrigjuese.

Përveç rasteve të lindura, cilat janë shkaqet më të shpeshta të ndërhyrjeve kirurgjike?

Thamë që kemi një grup patologjish të lindura që janë të quajtura skiza ose çarje. Ku për arsye të ndryshme buza është ndërprerë, është e ndarë në 2-3 pjesë. Duhet të theksoj që këto janë raste të menaxhueshme me shumë sukses edhe në Shqipëri, nuk ka nevojë të operohen jashtë. Gjithashtu do të këshilloja nënat që të tregonin kujdes gjatë periudhës së shtatzanisë. Shumicën e herëve këto probleme ndodhin për mosdijen, për pakujdesi nga ana e prindërve.

Cilat janë këto pakujdesi?

Marrja e medikamenteve gjatë shtatzanisë, ekspozimi nga rrezatimet, siç janë grafitë ose traumat që pëson nëna shtatzënë. Kështu, nëna duhet të jetë e mbrojtur që të mos traumatizohet. Pasi këta faktorë mund të bëhen shkak për deformime shumë serioze. Në përgjithësi ne i trajtojmë me sukses.

Po kur këto deformime shkaktohen nga faktorë të tjerë të jashtëm?

E para gjë që duhet të bëjë mjeku, është që të eliminojë traumën psikologjike që po përjeton çifti. Në të shumtën e rasteve ata bien pre e bestytnive se kjo që u ndodhi, ishte ndëshkim. Nuk ka lidhje.

Si mund të parandalohen problemet e ndryshme të gojës, nofullës apo fytyrës, çfarë testesh apo analizash duhen kryer?

Vetëkontrolli është i pari. Nuk mund të shkosh çdo ditë tek doktori. Gjithsesi, edhe nëse ka shqetësim edhe nëse nuk ka, çdo 6 muaj çdo individ duhet të vijë të konsultohet me mjekun. Te dentisti nuk duhet të shkojmë vetëm kur kemi dhimbje dhëmbi.

Cila është mosha ideale për të bërë një ndërhyrje që është e nevojshme dhe një ndërhyrje që bëhet për estetikë?

Unë i ndaj qartë këto të dyja. Pjesën mjekësore e quaj domosdoshmëri, ndërsa pjesën estetike e quaj një dëshirë të njerëzve. Ne jemi fokusuar më shumë në gjërat e domosdoshme. Estetika nuk është shumë e kultivuar. Këtë e ka edhe protokolli, nuk është dëshirë. Përsa i përket moshës, në rastet e ndërhyrjeve kirurgjike estetike bëhen kur midis pacientit, familjes së tij dhe doktorit bihet dakord që kjo ndërhyrje të bëhet. Një mjek ka për detyrë që ta lajmërojë paraprakisht pacientin se cilat janë mundësitë e ndërlikimeve, gjasat për sukses dhe më pas është një vendim që merret nga pacienti.

Cilat janë komplikacionet më të shpeshta?

Komplikacionet janë ato më të thjeshtat deri tek më të ndërlikuarat që mund të çojnë në vdekje. Mjekësia nuk mund të garantojë kurrë që në një ndërhyrje kirurgjike, sidomos të këtyre përmasave, të mos ketë raste fatale, si vdekja e pacientit.

Postime të ngjashme

Mjekja pediatre: Si ta përdorni kondicionerin në mënyrë që fëmija i porsalindur të mos sëmuret
Obeziteti: Çfarë do të thotë në të vërtetë për shëndetin tuaj
Pyet mjekun: Si t’i ndalojmë ngërçet në këmbë gjatë natës?
Pyet mjekun: A duhet të rri në regjim shtrati për dhimbjen e shpinës?
Efektet e hepatitit C në trupin tuaj, si mjekohet
A mund të pi kafe para analizës së gjakut?
Si trajtohen pacientët me HTA kur kanë dhe sëmundje pulmonare obstruktive?
Pyet mjekun: "Kam mpirje të këmbëve, a më vjen kjo për shkak të Trombofilisë Hereditare?"