Eriola Çuko
Barnat dhe shërbimet shëndetësore, duke filluar që nga 1 prilli 2014, propozohen të jenë të përjashtuara nga TVSH, çka pritet të sjellë dhe efekte pozitive në çmimin e tyre për qytetarët, por edhe për sistemin shëndetësor.
Komisioni për Çështjet Sociale, Punën dhe Shëndetësisë diskutoi sot për heqjen e TVSH mbi barnat dhe shërbimet shëndetësore, e propozuar nga qeveria si pjesë e Paketës Fiskale.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke prezantuar këtë propozim, para anëtarëve të Komisionit, sqaroi dhe arsyen e futjes në fuqi të kësaj mase në 1 prill dhe jo në 1 janar, sikurse me paketën fiskale. “Duke filluar nga data 1 prill 2014, sipas projektligjit, nuk do të ketë më TVSH 10 % në shëndetësi. Për ne, kjo është vlerësuar si një taksim që i bëhej sëmundjes. Është vendosur në Shqipëri para rreth 3 vitesh kohë, kur është arsyetuar se do të sillte përmirësim në tregun farmaceutik, me rrjedhojë uljen e çmimit të barnave, gjë që nuk ndodhi, por në fakt erdhi si një kosto shtesë qoftë për barnat që qytetarët blejnë, apo qoftë dhe për barnat dhe shërbimet shëndetësore që institucionet publike të shëndetësisë do të duhet të paguajnë në përmbushjen e shpenzimeve të shëndetësisë publike”, tha Beqaj. Heqja e këtij tatimi, sipas tij, “do të bëjë të mundur që me paratë disponibël, të mund të blihen më shumë mallra dhe shërbime shëndetësore”.
Beqaj theksoi se Ministria e Shëndetësisë po punon për të hartuar Listën e re të Rimbursimit të Barnave, ndërkohë që do të propozojë dhe ndryshimet e nevojshme në ligjin e Barnave. Duke argumentuar kohën e përcaktuar për futjen në fuqi të kësaj mase, datën 1 prill të vitit të ardhshëm, ministri Beqaj tha se “kemi gjykuar edhe me operatorët e tregut farmaceutik që është e nevojshme një kohë për t’a bërë të zbatueshëm realisht. Duam që në datën 1 prill të kemi heqje të TVSH, miratimin e Listës së Re të Barnave, në mënyrë që të mos kemi në treg ndryshime të shpeshta për një kohë të shkurtër që do të krijonte pasoja te qytetarët, çrregullime në treg dhe hapësira për praktika jo të rregullta”.
Në përgjigje të kërkesës së deputetëve për efektin financiar të kësaj mase, zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, tha se “me një vlerësim paraprak, presim që të jetë një humbje në buxhet rreth 100 milionë lekë, efekt ky që do të balancohet me uljen e shpenzimeve buxhetore për 2014 për Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor”.
Ndërkohë, opozita e cilësoi këtë masë një demagogji dhe se nuk do të sjellë ulje të çmimeve të barnave, por do të çojë në rritje të tyre. Relatorja e Partisë Demokratike, Albina Deda, tha se “TVSH prej 10 % nuk prek qytetarin direkt”, duke shtuar se ‘çmimi i pacientit nuk përfshihet tek TVSH’. “TVSH sipas jush do të hiqet, por janë disa argumenta. Duke hequr TVSH për barnat, do të na ktheni në një situatë ku ato tregtoheshin në Shqipëri me çmime rreth 3-6 herë më të larta se në vendet e origjinës. Pra, do të blihen më lirë medikamentet, barnat cilësore do të mungojnë në treg dhe do të favorizohet klientela e qeverisë”, tha Deda.
Deputetja demokrate tha se vendosja e TVSH solli kontroll të rritjes së çmimeve dhe jo rritje të çmimeve. “Nuk do të ketë ulje të çmimit të barnave, por do të ketë rritje, dhe me këtë argument ju keni harruar premtimin elektoral për shëndetësi falas”, theksoi ajo.
Në përgjigje të deputetëve, ministri Beqaj theksoi një sërë masash që do të ndërmerren për të përmirësuar tregun farmaceutik, ndër të cilat ndryshimet në Ligjin e Barnave, ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Materialeve Mjekësore, përmirësimin e procesit të negocimit, vendosja e sistemit të gjurmimit të barnave (track and trace), etj.
Pjesë e paketës fiskale, qeveria ka propozuar përjashtim nga TVSH për furnizimin me barna dhe shërbime shëndetësore nga institucionet shëndetësore, me hyrje në fuqi në datën 1 prill 2014. Kjo masë propozohet të nisë zbatimin në 1 prill të vitit të ardhshëm për arsye se gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, MSH do të zhvillojë reformën e mirëmenaxhimit të skemës së barnave të rimbursueshme në Shqipëri.
Sipas draftit të Paketës Fiskale, efekti financiar negativ në të ardhurat e vitit 2014, sipas qeverisë, vlerësohet të jetë minus 1 miliard lekë. Ky efekt do të balancohet me uljen e shpenzimeve buxhetore po për vitin 2014 për Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, në masën 900 milionë lekë. Pra, efekti minus i politikës do të jetë minus 100 milionë lekë, theksohet në draftin e qeverisë.
Që prej vitit 1996, kur TVSH-ja ka nisur të zbatohet në Shqipëri, barnat dhe shërbimet kanë qenë të trajtuara si të përjashtuara nga TVSH-ja, me synimin final ofrimin e një çmimi pa TVSH tek pacienti. Në vitin 2010, barnat dhe shërbimetg shëndetësore u trajtuan me normë të reduktuar TVSH në masën 10 % me synimin e konstrollkit të tregut të barnave në Shqipëri dhe argumentin se kjo masë nuk do të ndikojë në rritjen e çmimit të barnave/shërbimeve te pacient



