Nga: Ismet Mulaj
Një mik imi gjithmonë në Kuvendin e Kosovës deklaronte: “Mjekësia në Kosovë është më keq se në 1945-n”, shpesh e qortoja se cilësimi i tij ishte shumë i rëndë. Koha gjithnjë e më shumë po i jep të drejtë deputetit.
Më 21 qershor 2015, një familjar imi pëson hemorragji cerebrale (më vonë e vërtetuar në QKUK në Prishtinë dhe QSUT Nënë Tereza në Tiranë). Duke qenë jo më shumë se 800 m larg Spitalit Amerikan në Prishtinë, familjarët vendosin që ta dërgojnë në
këtë spital. Edhe pse mori shërbime dyditore nga 6 specialistë të këtij spitali, pacienti u lirua pa diagnozë me cilësimet e një eftamologu, “motër, shko rriti fëmijët se je shëndosh si molla”. Pra, pacienti u këqyr nga: Internisti, neurologu, eftamulogu, ortopedi dhe dy specialistë të tjerë” dhe nuk arritën që ta diagnostifikojnë sëmundjen e pacientit. Mos pyesni se sa kushtoi ky i ashtuquajturi trajtim mjekësor, sepse do të habiteni.
Pacienti, edhe pse kishte dhimbje të përballueshme dhe trajtimin që e kishte marrë në Spitalin Amerikan në Prishtinë, i kishin shtuar akoma më shumë rrezikun për jetën. Pacienti për pesë ditë radhazi luftonte me jetën e vet, pa e ditur se çka kishte. Në ditën e 6-të pas atakut të parë i ndodh ataku i dytë, duke e paralizuar tërësisht. Të habitur me ndodhinë familjarët e dërgojnë në emergjence te QKUK, mjekeë me shpejtësinë më të madhe i bëjnë ekzaminimet e duhura dhe për 20 minuta e diagnostifikojnë sëmundjen.
Mjekët e QKUK-ut gjatë gjithë kohës më shanin për trajtimin që kishte marrë pacienti në Spitalin Amerikan. Të habitur pyesnin, si ka mundësi që të mos diagnostifikohet një pacient me simptoma kaq të qarta. Më shanin edhe si politikan, edhe ish-ministër, që më shumë u besojmë të ashtuquajturave klinika sesa QKUK.
Nejse, pas diagnostifikimit të sëmundjes së pacientit dhe rekomandimit të kolegjiumit të mjekëve se ky trajtim mjekësor bëhet vetëm jashtë vendit dhe jo në Kosovë, dalin peripeci të tjera, si të transportohet pacienti në Tiranë, mjekët insistonin që transporti të bëhet vetëm me autoambulancë dhe në shoqërim të ekipit të duhur mjekësor. Autoambulanca u sigurau nga Ndihma e shpejtë e Prishtines, vetëm pas pagesës së 200 eurove dhe atë pa ekip mjekësor. Të gjendur në këtë situatë, vendosëm që pacienti të dërgohet në Tiranë pa ekip mjekësor, sepse prej orës 22.00 deri në mëngjes kur duhej të nisej pacienti, nuk arritëm që privatisht të siguronim ekip mjekësor.
Miq, në Tiranë shërbimi u krye me shpejtësinë dhe profesionalizmin e duhur, duke u angazhuar personalisht dr. Mentor Petrela, çka familjarët i janë mirënjohës përgjithmonë.
Me t’u kthyer në Prishtinë, shkuan të kërkojnë sqarime në Spitalin Amerikan. Asnjë përgjigjie, ndërsa miqtë e pacientit e sugjeronin që rastin ta bënin publik, por fatkeqësia është se Spitali Amerikan ka reklama në shumë media dhe mediat nuk merren me këtë rast. Por shumë shpejt do të niset në padi ndaj këtij spitali vrasës.
Falënderim për të gjithë ata që u interesuan dhe ndihmuan shpëtimin e një jete që ende nuk i kishte mbushur 39 vjet.
Zoti ju bekoftë!
/ Marrë nga gazetablic.com


