Elena Beta
Në kuadër të fushatës “No Hate Speech” dhe Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Drejtoria e Koordinimit të Politikave Rinore pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, me mbështetjen e “Olaf Palme Center” organizoi një “Flash Mob” në qendër të Tiranës.
Studio vallëzimi “Love&Dance” dhe Shoqatat rinore anëtare të rrjetit “No Hate Speech Albania” u bashkuan disa minuta për të realizuar një kërcim të përbashkët, i cili synonte të mblidhte në një vend publik sa më shumë njerëz për t’u argëtuar nëpërmjet pjesëmarrjes në një kërcim të thjeshtë.
Ajo që u vu re ishte interesi i madh publikut lidhur me “Flash Mob” dhe këtë e dëshmoi më së miri numri i lartë i njerëzve të cilët mbushën sheshin “Skënderbej” pasditen e së enjtes për t’iu bashkuar këtij qëllimi të përbashkët.
Dita Ndërkombëtare e Të drejtave të Njeriut është një nga ditët e kalendarit të “No Hate Speech campaign” në Europë. Rrjeti i “No Hate Speech Albania” për të dhënë një mesazh paqësor për të drejtat humane dhe për të bërë një aktivitet të përbashkët vendosi të ishte kjo dita e realizimit të flash mobit. Ideja e flash mob ishte krijimi i një eventi publik ku të kishte pjesëmarrje të të rinjve të organizatave të ndryshme të cilat së bashku mund të jepnin një mesazh pozitiv për të gjithë.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme që lëvizja “No Hate Speech” në Shqipëri të ngrejë zërin për të drejrat njerëzore të cilat përfshijnë dhe tërësinë e temave që trajtohen në këtë fushatë”, tha për gazetën “Shëndet +” Irena Topalli, menaxhere projektesh ne organizatën “Përtej barrierave”, si dhe një nga ideatoret e këtij aktiviteti.
Jehona Roka, koordinatore e fushatës “No Hate Speech” në Shqipëri, tha se qëllimi i këtij kërcimi ishte ndërgjegjësimi i të rinjve, pjesëmarrësve në Flash Mob, kalimtarëve dhe publikut të gjerë për pasojat e përdorimit të gjuhës së urrejtjes. Një shprehje në gjuhën angleze thotë “When there’s a will, there’s a Way!”, e pra ashtu ishte edhe organizimi i këtij Flash Mob me dashamirësinë e të gjithë të rinjve, përkushtimin e tyre dhe kontributin e pakushtëzuar.
“Sfida më e madhe ishte realizimi në kohë dhe plotësimi i të gjitha kushteve që ka nevojë një Flash Mob, pa të cilat nuk është e vështirë të bëhet. Gjithsesi, me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bashkisë së Tiranës dhe kursit të kërcimit Love& Dance, i gjithë aktiviteti shkoi shkëlqyeshëm dhe me aq sa vura re nga impresionet e pjesëmarrësve dhe qytetarëve të ndryshëm që e ndoqën nga afër këtë Flash Mob, mund të them që rezultoi goxha i suksesshëm, ndoshta pak më shumë seç e prisja”, tha për “Shëndet+” Ervin Kurti ,një nga mbështetësit kryesorë të këtij aktiviteti.




