Kryefaqja Lajm kryesor Pas vendosjes në Lanabregas, 70 familje në vështirësi për shërbim shëndetësor

Pas vendosjes në Lanabregas, 70 familje në vështirësi për shërbim shëndetësor

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Komuniteti rom dhe egjiptian, i vendosur në zonën e Lanabregasit, po përballet me vështirësinë e aksesit në shërbimin shëndetësor. Transferimi i banorëve, nga Bregu i Lumit, në zonën e Lanabregasit, solli disa problematika, të cilat duket se nuk ishin parashikuar aq më pak sistemuar para se banorët të vinin aty. Ndërkohë, në Ditën Botërore të Romëve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga qendra sociale në Shkozë, prezantoi programin e shërbimit shëndetësor dhe social në komunitet, i cili sipas saj garanton shërbime afër vendbanimit për kategoritë vulnerabël, posaçërisht për komunitetin rom dhe egjiptian. Situata tregon sot, se këta banorë jo vetëm që nuk kanë lehtësi aksesi në shërbimin shëndetësor, por as nuk po gjendet një zgjidhje për përmirësimin e situatës. Kjo çështje po ndiqet nga aktivistë, të cilët mbrojnë interesat e këtij komuniteti. Kjo çështje është adresuar nga ata edhe tek institucionet përgjegjëse, e përveç kësaj kanë propozuar edhe zgjidhje.

Drejtues i Qendrës “Aksion Komunitar” Ervis Daka: Aksesi në shërbim shëndetësor, i vështirë

Në zonën e Lanabregasit të qytetit Tiranës, jetojnë rreth 70 familje Rome dhe Egjiptiane. Në muajin dhjetor të vitit 2017 familjet u vendosen në banesat e ndërtuara nga Bashkia Tiranë. Me zhvendosjen e këtyre familjeve në këtë zonë, lindi nevoja për lehtësimin e proceseve për të siguruar aksesin në shërbimet publike bazë siç janë: shëndetësia, arsimi, gjendja civile etj. Të ardhurat e këtyre familjeve burojnë kryesisht nga të ardhurat informate, si përshembull: mbledhja dhe shitja mbetjeve të riciklueshme. Arsimimi i familjeve është në nivele shumë të ulta dhe thuajse pjesa më e madhe e tyre janë analfabet. Nga vizitat në terren nga grupi i aktivistëve, janë identifikuar të sëmurë kronikë të cilët kanë nevojë për vizita të vazhdueshme si dhe persona të prekur nga sëmundje infektive. Përkeqësimi i situatës shëndetësore pengon në zhvillimin e jetës së përditshme.Të ekspozuar ndaj rrezikut për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme janë edhe fëmijët, numri i të cilëve deri në 200. Ndërkohë numri i personave që i përkasin moshës së tretë arrin 30 persona. Familjet po përballen me një shqetësim madhor përsa i përket marrjes së shërbimit shëndetësor për shkak të distancës së largët të qendrës shëndetësore. Qendra më e afërt është Qendra Shëndetësore Shkozë, me një distancë prej 2.3 km e përkthyer në 33 minuta nga vendbanimi tyre. Kosto financiare e transportit sidomos për familjet e varfra dhe të sëmurët kronikë është e papërballueshme, të cilët duhet të shkojnë shpesh në qendrën shëndetësore.

Si mbulohen me shërbim shëndetësor banorët që u vendosën në Lanabregas?

Që prej zhvendosjes së banorëve në zonën e Lanabregasit, një pjesë e familjeve nëpërmjet shërbimeve të projekteve, aktivistët kanë bërë transferimin e shërbimit mjekësor nga qëndra shëndetësore (piloklinika nr.10), e mëparshme pranë qendrës Shëndetësore në Shkozë. Por shumica e banorëve nga minoriteti Rom/ Egjiptian vazhdon që cdo problem ti drejtohen spitalit Nënë Tereza. Kur tentojnë të marin shërbime në qëndrën shëndetësore në Shkozë, ka patur raste që nuk iu ofrohet shërbim pasi mund të rezolutojë tek qendra shëndetësore e mëparshme pra nuk i është bërë transferimi, ose nuk marrin paciente për shkak se kanë kaluar numrin 3000 pacientë.

A ka pasur përplasje midis mjekëve dhe qytetarëve, lidhur me të drejtën për shërbim shëndetësor?

Ka patur raste kur ne kemi shoqëruar anëtarë nga komuniteti për të hapur kartelë të re mjekësore dhe të lidhet me një mjek familje dhe na duhej të pyesnim që kush nga mjeket ka më pak pacientë pasi ato kishin arritur 3000 mije pacient. Mjekët delegonin pacientët tek njëri tjetri dhe kjo për banorët ishte një situatë e pakëndëshme. Në sy të pacientëve ato ankoheshin se nuk mund të regjistronin më pacientë dhe orientimi i fundit ishte tek drejtoresha. Kjo situatë bën që banorët mos të kenë me besim në marrjen e shërbimit mjeksor.

Cilat janë pretendimet e banorëve?

Banorët dëshirojnë që të kenë një qendër shëndetësore pranë vendbanimit të tyre, dëshirojnë të ndërtohet një qëndër e re shëndetësore e cila ofron më shumë shërbime.

Cilat janë pretendimet e institucioneve? A premtojnë zgjidhje?

Pas dërgimit të një peticioni i firmosur diku nga 70 familje, te minoritetit Rom/ Egjiptian por dhe banorëve të zonës, kjo drejtuar MSSH, nga takimet e zhvilluara me administratorin e njësis Dajt dhe përfaqësues të MSSH, është premtuar se do të ndërtohet, deri më tani qëndra për Aksion Komunitar ka në disponim planvendosjen se ku mund të ndërtohet qëndra shëndetësore. Jemi të kufizuar për informacione që lidhen me procesin e ndërtimit dhe nuk dimë akoma se cfarë ka planifikuar MSHMS.

Referuar deklaratës së MSHMS : Do të zgjerojmë kantierin e shëndetësisë në shërbimin shëndetësor parësor me rindërtimin e 100 qendrave shëndetësore gjatë vitit 2019, me synim ofrimin e një shërbimi sa më cilësor afër vendbanimit për qytetarët nga veriu në jug… Çfarë zgjidhje ka premtuar MSHMS referuar kësaj deklarate për shërbim shëndetësor afër vendbanimit?

Nuk jemi në dijeni nësë nga ky projekt ështe i përfshirë ndërtimi i qendrës shëndetësore në Lanabregas.

A mund të zgjidhet me një qendër të veçantë apo ti bashkohet një qendre ekzistuese?

Nga sa ne kemi parë nuk mendojmë se ka hapsira për shtim stafi, dhe shërbimet janë të kufizuara.

Mereme Sopoti: Shërbimi shëndetësor larg, kam probleme me shtyllën kurrizore Znj. Mereme Sopoti është 69 vjec, është banuese në zonën e Lanabregasit që nga data 31.12.2017. Disponon kontratë huapërdorje të banesës dhe aktualisht e regjistruar si banore pranë njësisë administrative numër1 Shërbimin shëndetësor e merr pranë QSUT. Ajo tregon se i duhen dy linja autobuzi për të vajtur deri atje.

Sa e vështirë është për ju që të shkoni deri në QSUT për të marrë shërbim shëndetësor?

Është shumë e vështirë, përveç pamundësisë ekonomike nuk mundem dot të eci kaq shumë pasi kam probleme me shtyllën kurrizore (zonja përdor shkop për te ecur).

Mjekët e familjes çfarë ju thonë, kur kërkoni të drejtën për të marrë shërbim shëndetësor?

Asgjë thjeshtë na lënë të presim për tu vizituar, përveç kësaj kemi probleme dhe me komunikimin (zonja flet romnisht, dhe jo shpeshhere komunikimi mjek-pacient është i duhuri në rastin e zonjës). Vec  kësaj ka pamundësi të theksuara ekonomike në lidhje me rimbursimin e ilaçeve.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here