Në Shqipëri mbi 100 mijë të moshuar kanë shenja që lidhen me zmadhimin e prostatës. Çdo gjë që duhet të dini rreth sëmundjes…
Prostata është problemi i madh i të moshuarve. Prof. dok Alketa Koroshi shpjegon për lexuesit e gazetës “Shëndet Plus” se çfarë është kjo sëmundja nga se shkaktohet dhe cilat janë shenjat e shqetësimet që sjell sëmundja. Gjitashtu ai shpjegon me detaje se si duhet të diagnostikohet dhe trajtohet sëmundja.
Prostata është një gjendër e vogël sa një arrë që vendoset mu perballe pjeses se fundit te zorrës së trashë, poshtë fshikës së urinës. Prostata rrethon kanalin e urinës që quhet uretra ku kalon urina që derdhet jashtë. Një nga funksionet kryesore të prostatës është të lëshojë një lëng që perzihet me spermën kur kalon në kanalin urinar dhe i jep asaj energji dhe e bën që të ambjentohet më mirë në kanalin vaginal.
Kalimi i moshës
Me kalimin e moshës ndodh rritja e volumit të gjendrës së prostatës dmth ndodh ajo që quhet në mjekësi hiperplazia beninjë e prostatës. Kjo është mjaft e shpeshtë. Në moshën 40-50 vjeç 25 % e burrave kanë zmadhim të gjendres së prostatës e në moshën 70-80 vjeç 80% e burrave e kanë këtë problem. Në Shqipëri mbi 100 mijë të moshuar kanë shenja që lidhen me zmadhimin e prostatës. Shumica e këtyre njerëzve fillojnë e ankohen për simptoma të çrregullimeve urinare. Këto simptoma janë vështirësi në urinim, vonesë në fillimin e urinimit, urinim i ndërprerë, curril i dobët i urinës, mbas urinimit një ndjenjë sikur nuk është zbrazur fshikëza e ujit, e curril i shpërndarë. Përveç kësaj pacienti ka urinim të shpeshtë, urinim natën, mos mbajtjte të urinës e dhimbje në fund të barkut . Kur situata rëndohet nevojitet vendosja e një kateteri në fshikën e ujit.
Ndërhyrja kirurgjikale
Shumë herë gjendja bëhet e tillë e padurueshme sa që nevojitet heqja kirurgjikale e gjendrës së prostates. Në vendin tonë afërsisht bëhen 1000 operacione në vit brenda e jashtë shtetit për heqjen e gjendrës së prostatës.
Shkaktarët
Por lind pyëetja se përse rritet gjendra e prostes në të moshuarit. Kjo ka lidhje me sasinë e hormoneve mashkullore testosteron e metabolitit të tij dihidrotestosteron. Por është parë që edhe hormone femërore si estradiol e të tjera citokina si dhe markues inflamatore kanë rëndësinë e tyre. Është parë gjithashtu se rreziku i rritjes së prostatës shtohet në personat e shëndoshë, në diabetikët, në ata që pinë alkool dhe në ata që bëjnë jetë sedentare.
Duhet patur parasysh që ka disa arsye që pse rëndohen shenjat e protatës, psh. marrja e shumtë e lengjeve, pirja e shumtë e kafes, perdorimi i diuretikeve( shkarkuesve) për sëmundjen e hipertensionit arterial.
Shenjat
Ndonjë herë ngatërrohet rritja beninjë (e mirë) e prostates me kancerin e prostates, i cili fillon ngadalë e i ka shenjat e ngjashme me hipertrofine beninje të gjendrës. Në këto raste kur dyshohet për kancer të prostates duhet bërë egzaminimi rektal (palpimi me gisht) i gjendrës së prostatës dhe duhet bërë analiza e PSA. Duhet patur parasysh se afro gjysma e rasteve me kancer të prostates nuk kanë fare shenja e simptoma klinike, por zbulohen vetëm nga analiza e PSA ose palpimi rektal. Duhet ditur që kanceri i prostatës është kanceri më i shpeshtë te burrat pas atij të lëkurës. Një arsye e rëndësishme që ndikon në rritjen e shpeshtësisë së kancerit të prostatës është marrja e shumtë e yndyrnave dhe mbipesha
Testi i PSA
Ky test ka të bëjë me matjen në gjak të një proteine që prodhohet nga gjendra e prostates. Sa më i lartë të jetë niveli i PSA aq me shumë ka të ngjarë që të jemi para një kanceri të prostates. Por jo gjithmonë PSA rritet si pasoje e kancerit. Pra ka dhe raste kur PSA është e lartë nga arsye të tjera si infeksione të prostates, infeksione urinare etj. Si rregull rekomandohet të bëhet PSA në moshën mbi 50 vjeç një herë në vit.
Veç kësaj si rregull mirë është të bëhet analiza e urinës që mund të zbulojë një infeksion të rrugëve urinare ose të zbulojë praninë e gjakut në urinë.
Si bëhet mjekimi i hipertrofise beninje të prostatës
Në mjekesi egzistojne 4 grupe medikamentesh qe janq efikase: alfa bllokuesit, frenuesit e 5 alfa rediktazes, ilaçet antimuskarinike, e frenuesit e fosfodiesterazes 5.
Këto barna lirojnë kontraksionet e muskulaturës së lëmuar të prostatës dhe qafës së fshikës së ujit dhe lehtësojnë kalimin e urinës. Efekti i këtyre barnave fillon të duket afërsisht një javë pasi ka filluar mjekimi. Duhet kujdes se mund të japin ulje të tensionit dhe marrje mendsh.
Frenuesit e 5 alfa reduktazes veprojne duke bllokuar kthimin e testosteronit në metabolitin e vet aktiv dihidrotestosteron, kësisoj rrudhosin prostatën e pakësojnë volumin e saj. Midis këtyre barnave më i njohuri është finasteridi (proscar). Po ashtu përdoret dhe dutasteridi (avodard). Këto barna e zvogëlojnë deri 25% volumin e prostatës dhe ky efekt arrihet pas 2-6 muaj nga fillimi mjekimit. Këto ilace pakësojnë dhe rrezikun e kancerit të prostatës. Duhet patur parasysh se këto medikamente pakësojnë forcën mashkullore dhe erektilitetin dhe japin gjinekomasti.
Kur simptomat nuk përmirësohen mirë me një medikament mund të kombinohen dy preparate të grupeve të ndyshme për të qetësuar gjendjen klinike.
Barnat antimuskarinike frenojnë kontraktimin e muskulatures së fshikës së urinës dhe lehtësojnë simptomat. Ndër to më pak efekte anësore kanë darifenacin dhe solifenacin, sepse janë shumë selektive për fshikën e ujit dhe nuk veprojnë në organe të tjera. Efekti i tyre ndodh pas dy javëve nga fillimi mjekimit. Mund të japin tharje gojë e të syve dhe kapsllëk.
Grupi tjetër i barnave për prostate janë frenuesit e fosfodiesterazës 5. Këto lirojnë muskulaturën e fshikës e prostatës dhe nuk lejojnë hipertrofine e prostatës. Ndër to ilaçi më i përdorur është tadalafil. Përveç këtyre përdoren ilaçe me bazë bimore si psh permixon por kanë pak efekte të rëndësishme për përmirësimin e shenjave të prostatës. Në raste të rënda kur nuk bëjnë më efekt mjekimet me barna bëhet heqja kirurgjikale e gjendrës së prostatës.
Të dhëna
25 % e burrave kanë zmadhim të prostatës në moshën 40-45 vjeç
80% e burrave e kanë zmadhim të prostatës në moshën 80-vjeçarë
1000 operacione në vit bëhen për prostatën në vendin tonë
100 mijë të moshuar kanë shenja që lidhen me zmadhimin e prostatës


