Kanceri i qafës së mitrës konsiderohet si i vetmi kancer që mund të parandalohet plotësisht. E megjithatë, në muajin e luftës kundër tij, askush nuk është kujtuar nga pushtetarët për të bërë një sensibilizim më të gjerë. Duket se pas “bujës” së madhe të kancerit të gjirit dhe mamografisë, gjithçka mbaroi aty e për kancerin e mitrës nuk ka më “të ardhura”.
Mjekja onkologe dhe pedagogia Silvana Çeliku shkruan në rrjetin social:
“Ky muaj është muaji i luftës kundër kancerit të qafës së mitrës. Fatkeqësisht askush nuk u kujtua t’u dhuronte femrave të paktën për një muaj, ashtu siç vepruan për gjirin, Pap-Test falas.
“E shkreta qafë mitre! Sa pak e vlerësojnë ndërkohë që kanceri i këtij organi është i vetmi kancer sot për sot që mund të parandalohet plotësisht. Ndaj u them të gjitha femrave që çdo vit të shkojnë te gjinekologu e të bëjnë vizitën gjinekologjike të shoqëruar patjetër me Pap-Test. Për të gjitha ato që nuk e dinë soe për ato që mërziten e nervozohen me gjinekologun kur u thotë se kanë një Pap-Test jonormal, si: CIN- 1,2 ose CIN 3 (ky i fundit konsiderohet si gjendje parakanceroze dhe në 100% të rasteve do të bëhet kancer brenda disa vitëve), përkundrazi duhet të kuptojnë se janë me fat që e kanë zbuluar këtë ndryshim, sepse kjo është detyra e Pap-Testit.
“Parandali i kancerit të qafës së mitrës dhe trajtimi i tij në këto faza: kërkojini mjekut t’ju flasë hapur e mos u frikësoni kurrë nga e vërteta që ju shëron. Të dashura nëna, motra e vajza, duajeni dhe mbrojeni trupin tuaj, sepse kështu do të keni shëndet të plotë e jetë të gjatë”.
Po Ministria e Shëndetësisë a do të kujtohet vallë?


