Mark Brunga
Një qendër shëndetësore që të kujton Afrikën e filmave dokumentarë.
Megjithëse ndërtesa e qendrës shëndetësore Trevllazër në Vlorë duket solide në pamje të parë, ajo nuk ka as ujë dhe as higjenë. Si rrjedhim i kësaj mungese të rëndësishme, një vizitor i jashtëm nga zona do të skandalizohej nëse do shikonte se si në epokën
e reklamimit të arritjeve shkencore e teknologjike në spitalet tona, personeli shëndetësor ose më saktë infermierët dhe sanitarët e këtij fshati, mbledhin nga banesat në afërsi ujin e shiut, për të përmbushur nevojat higjenike të infermierisë.
Mungesa e ujit vihet re edhe në fshat, madje janë hapur depo për të mbledhur ujin e shiut dhe ujin e pijshëm e blejnë nga botet e tregtarëve të Vlorës. Shkurt, edhe fshati jeton në kushte mesjetare higjenike. Këtë të dhënë e jep vetë pjestarja e personelit mjekësor mjekja e fshatit Fero Dulaj. Pas pamjeve të para që prezantojnë një gjendje të rëndë, duket që kjo qendër shëndetësore në fshatin Trevllazër bashkëjeton mungesën e kushteve hiogjeno sanitare. Banorët shkojnë nga halli atje pasi nuk kanë ku të shkojnë tjetër për mjekim, duke u përballur me frikën se “mund t’i zërë kanceri nga ndotja”.
Sipas mjekes Fero Dulaj, kjo qendër përveç mungesës të ujit vuan gjithashtu mungesën e shtretërve, çka i bën të pamundura vizitat për mjekim. Sipas saj, në këto kushte të rënda higjeno- sanitare, rreziku i perhapjes së ndonjë epidemie është tepër i lartë. Edhe kushtet në të cilat bëhet injeksioni për një të sëmurë janë krejt të papërshtateshme, pasi mungesa e ujit është problematike. Sipas banorëve përdoret ujë shiu për të larë enët e punës, e ndërsa tani që po afrohet vera, frika e ndonjë epidemie të mundëshme është akoma më e madhe.
Fero Dulaj e ndjen më shumë këtë mungesë, në një ndertesë shëndetësore ku mungon uji dhe gjithashtu dritat elektrike. Merret me mend se si mund të ndërhyet për ndonjë rast urgjent, natën, në mungesën e sistemit elektrik tashmë të shkatërruar. Dulaj tregon se këtu janë kushtet më minimale të mundëshme për një fshat me rreth 2000 banorë. “Ne bëjmë injeksionet dhe skemi se ku të lajmë duart. Dihet që fshati nuk ka ujë, por të paktën një qëndër banimi duhet të ketë ” thotë mjekja Dulaj. Ajo konfirmon se në këtë qëndër përdoret ujë që ruhet në depot familiare nga shirat që bien dhe uji nuk lejohet të shkojë dëm në një fshat ku ujin e pijshëm mundet vetem ta blesh. Në mungesë të ujit, personeli lan duart vetëm me alkool.
Ndërsa dhomat e shumta të kësaj qëndre mjekesore janë të braktisura, i gjithë personeli tashmë e zhvillon vepimtarinë në dy dhoma të veçanta,një për mjekun dhe një tjetër për infermierët dhe sanitarët. Dulaj vëren se nga mungesat e shumta higjenike, rreziku i infeksionit qëndron, megjithëse shërbimi për banorët është bërë maksimalisht brenda këtyre kushteve të vështira nga personeli i qëndrës . Por tashmë në prag të verës ky problem bëhet edhe më shqetësues pasi kjo stinë e nxehtë kërkon më shumë ujë.


