Qendra Spitalore Universitare në Tiranë “Nënë Tereza” është një qendër e cila mbledh njerëz nga e gjithë Shqipëria. Sidomos aty përfundojnë personat që kanë nevojë për shërbimin e dializës, i cili nuk u ofrohet në rrethet e tyre. Një sëmundje e tillë që të detyron që çdo tre ditë të jesh në spital, është e dhimbshme jo vetëm për individin, por edhe për të afërmit. E megjithatë, mbi dhimbjen ngrihen edhe biznese. Duke qenë se, siç duket, vetë spitali është pak mangët me autoambulanca, ka individë të tjerë që “kanë menduar për të gjitha” dhe që “u vijnë në ndihmë” të afërmve të pacientëve me “shërbim 24 ore ambulancë dhe funeral”. Të paktën kështu lexojnë personat që janë ulur të presin në pavionin e hemodializës, në një nga letrat e ngjitura çuditërisht shumë lart në mur (për ta bërë të pamundur shkuljen e saj).
Kështu, nëse jeni sëmurë, mos u shqetësoni! Edhe nëse vdisni, makina e funeralit është thjesht një telefonatë larg jush.
P.S. Ironia qëndron në faktin se të sëmurët shkojnë për t’u shëruar në këtë spital dhe për të marrë më tepër shpresë për jetën dhe jo për të gjetur fletushka “ndihmëse” që i njoftojnë lidhur me fundin final të tyre.
Aishe Thartori/Arlinda Gjypi



