Sa shumë mund të fitosh duke humbur!

Silvana Kola-Loka
Psikologe

Nuk është një titull klishe. As një titull i vendosur aty për aty, me një lloj tensioni të brendshëm midis dy pjesëve në të njëjtën fjali, për të tërhequr vëmendjen tuaj. Aspak!

Është një deklaratë të cilën ia kam bërë vetes  disa kohë më parë, pas një procesi të gjatë analize.

Le të kuptohemi. Mua nuk më pëlqen të humbas. Po nuk më pëlqen fare ama. Të paktën, nuk e kam përjetuar asnjë herë me sportivitet humbjen. Asnjë humbje; nga loja me letra me familjen, konkurimi për ndonjë vend pune, debate të ndryshme, etj. Të pranoja humbjen ka qenë për mua një ndër sfidat më të mëdha. Lëre më ta konsideroja humbjen si një portë drejt një fitoreje të caktuar .

Nuk di ta them me saktësi se në cilën ditë apo orë ndodhi që unë nuk iu largova më humbjes si djalli temjanit. Por mund t’ju them me siguri se sot, disa humbje i përballoj me shumë sportivitet dhe disave prej tyre (uroj të mos ju tingëllojë si marrëzi) iu gëzohem si fëmijë.

Humbja/fitorja nr. 1: Unë fitoj çdo herë që humbas në një argument të caktuar.

Unë dikur? As që mund të imagjinohej që unë të dorëzohesha derisa ta shterroja debatin deri në pikën kur të më jepnin të drejtë. Ku ishte parë të dorëzohej Silva?!

Unë sot? Falenderoj çastin kur zbuloj anën tjetër të këndvështrimit. Nëse do të kisha gjithnjë të drejtë do t’ia mohoja vetes mundësinë për të mësuar diçka të re. Dhe sa e vështirë është të pranosh se nuk di!

Humbja/fitorja nr. 2: Unë fitoj çdo herë që humbas një mundësi punësimi.

Unë dikur? Do ta haja veten me dhëmbë, do të sillja dhe risillja në mend gjithë argumentat përse kushdo që kishte vendosur që unë të mos përzgjidhesha, ishte i humburi më i madh nga të dyja palët. Ndoshta edhe do mendoja gjithë prapaskenat e mundshme që kishin kontribuar padrejtësisht në mospërgjedhjen time.

Unë sot? I kujtoj vetes se unë njoh vetëm veten time. Nuk njoh as perspektivën e punëdhënësit (mund ta marr me mend, por nuk e di me siguri) dhe as profilet e konkurentëve të tjerë. Tek e fundit, po sikur unë realisht të mos isha kandidatja më e mirë?! Nejse, këtë nuk do ta marrim vesh asnjë herë (për aq kohë sa nuk do kemi mundësinë për krahasim) kështuqë, gati për një aplikim të ri. Dhe i kujtoj vetes “Po sikur t’i hedhësh edhe një sy rezumesë tënde? Mbase ke nevojë ta rishikosh me sytë e punëdhënësit!

Humbja/fitorja nr. 3: humbja e ndonjë dore të mirë parash nga keqmenaxhimi i tyre.

Unë dikur? Do t’i gjeja (nga dheu do t’i nxirrja) gjithë justifikimet e vazhdueshme për të argumentuar se nuk ishte çështje keqmenaxhimi, por rrethanash. A nuk do bënte kështu çdo njeri që nuk e pranon dot faktin se dështimi është përgjegjësia e tij personale?

Unë sot? I them vetes “Po moj Silva! Sot shpërdorove X lekë! Nuk e di ç’të tha mendja, por sapo mësove se çfarë nuk duhet të bësh në të ardhmen! Dhe mjaft i the vetes se lekë janë dhe lekët nuk i ha as qeni. Ti nuk je qen dhe me lekët mund të blesh ushqime për të ngrënë!”

***

Po sot, pasi unë e kam rritur Silvën brenda meje, a më pëlqen mua të humbas?

Le të flasim seriozisht!

Sigurisht që as nuk më pëlqen dhe as nuk e kërkoj me qiri humbjen. Poor, nëse ndodh të humbas, sigurohem ta shoh humbjen në sy dhe, pasi të gëlltitem në shenjë pranimi, t’i jem mirënjohëse njeriut që, duke më ‘mundur’, më ndihmoi të fitoj.

Postime të ngjashme

Ka një shpjegim shkencor pse janari duket muaji më i gjatë
5 këshilla për rregullimin e emocioneve në këtë sezon festash
Çfarë është ataku i panikut dhe si ta menaxhojmë për të dalë nga kjo gjendje
“Adoleshentët janë të trishtuar”, UNICEF: Një në shtatë të rinj vuan nga çrregullime mendore
Vapa dhe shëndeti mendor, ekspertët: Temperaturat ekstreme kanë shtuar rastet
Si mund të ndikojë nxehtësia humorin tuaj
"Demenca përmbysi botën e familjes time. Sëmundjet e gjata kronike janë shqetësuese"
Ndërgjegjësimi për shëndetin mendor, ekspertët: Duhet urgjent depistim i plotë i popullsisë