Kryefaqja Lifestyle Shëndeti mendor tek të moshuarit, si të kujdesemi për të

Shëndeti mendor tek të moshuarit, si të kujdesemi për të

0
Shpërndaje

 

Rikela Fusha, MSC.c Shёndet Publik, Universiteti i Mjekёsisё Tiranё

Koordinatore projekti pranё Albanian Society for All Ages (ASAG)

Shekulli 20, shënoi një rritje të jashtëzakonshme në nivel global të moshimit të popullsisё, si rrjedhojë e zgjatjes së jetës dhe uljes së ritmeve të lindshmërisë. Sipas të dhënave të INSTAT, përqindja e popullsisë shqiptare 65+ vjeç, u rrit nga 5% në 11% në periudhën 1989 dhe 2011. Përqindja e personave të moshuar (65+vjeç) u do tё rritet nga 11% në 2011 në 29% në 2060, ndërkohë që sipas të dhënave nga Index Mundi në vitin 2017, popullata e moshuar përbën 11.89% të popullsisë totale të Shqipërisë. Të dhënat demografike na shpalosin një situatë të qartë në popullatën globale dhe atë shqiptare, duke shpallur një sfidë të re për sistemin shëndetësor: atë të menaxhimit periodik të rasteve geriatrike, të cilat, për shkak të karakterit fiziologjik kërkojnë ndjekje të vazhdueshme mjekësore. Patologjitë kryesore kronike që prekin të moshuarit janë sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, artriti rheumatoid dhe tumoret, si edhe disa çrregullime të shëndetit mendor. Periudha e moshimit, karakterizohet me një tranzicion biologjik dhe emocional tek të moshuarit, aspekt, i cili ndikon në shëndetin e tyre mendor.  Pikёrisht, kalimi i viteve, dalja nё pension nxisin shfaqjen e njё çrregullimi mendor dhe emocional, i cilёsuar si depresioni geriatrik. Ai karakterizohet nga ndjenja e trishtimit dhe e rritjes sё ndjeshmërisë, shenja të vlerësuara si normale gjatë procesit të plakjes, për sa kohë që nuk zgjasin e shndërrohen në depresion të qëndrueshëm.

Simptomat e depresionit geriatrik janë të njëjta në çdo grup moshe. Ato mund të përfshijnë:

  • Trishtim
  •  Perceptimi i të ndjerit i pavlerë apo i padobishëm
  • Nervozizëm
  • Lodhje
  • Shpërthime emocionale në të qara
  • Apati (plogёshti shpirtërore)
  • Mungesë e përqendrimit
  • Izolim social
  • Probleme me gjumin
  • Ndryshime në oreks
  • Dhimbje fizike
  • Mendime të vetëvrasjes

Depresioni geriatrik shpesh shkakton dhimbje fizike tek të moshuarit, e cila nuk shpjegohet me kushte apo gjendje të tjera mjekësore. Gjithsesi, studimet kanë treguar që mosha nuk përbën një faktor madhor risku për çrregullimet mendore.

Faktor risku që nxisin çrregullimet mendore tek të moshuarit janë:

  • Gjendje shëndetësore kronike (faktori më riskues)
  • Elementët psikosocialë (neuroza, çrregullime të personalitetit)
  • Vdekja e një personi të afërm
  • Mungesa e përkujdesjes
  • Mungesa sinjifikante e pavarësisë dhe reduktimi i aktivitetit
  • Humbja e rolit apo funksionit në shoqëri
  • Status socio-ekonomik i ulët

Një tjetër sfidë për shëndetin mendor tek të moshuarit është dementia (demenca). Demenca nuk është një sëmundje specifike, por një term i përgjithshëm i përdorur për të përkufizuar një kategori simptomash të lidhura me rënien e aftësisë së kujtesës dhe/ose aftësi të tjera të të menduarit, faktorë të mjaftueshëm për të reduktuar aftësinë e individit për të mirëfunksionuar osë për të kryer aktivitetet e jetës së përditshme. Ajo prek kryesisht të moshuarit, edhe pse nuk është pjesë normale e plakjes. Sëmundja e Alzhaimerit, manifestim i demencës, përbën rastet më frekuente, me një shtrirje prej 60-80%. Depresioni dhe demenca shpesh bashkëjetojnë tek një pacient dhe diagnoza diferenciale mund të jetë sfiduese. Po kështu, depresioni gjithashtu konsiderohet të jetë një faktor rreziku për demencën, duke i paraprirë asaj në shumicën e rasteve. Shëndeti mendor tek të moshuarit përfshin një spektër të gjerë çrregullimesh, të tilla si ankthi, frika nga rënia (perceptimi i humbjes së ekuilibrit), çrregullimet obsesivekompulsive, depresioni dhe demenca, dy çrregullime të cilat trajtuam në mënyrë të përgjithshme mё sipёr. Pa dyshim që këto çrregullime lidhen ngushtësisht me çështje të rëndësishme sociale dhe ekonomike në kontekstin e shpenzimeve të drejtpërdrejta të kujdesit mjekësor, social dhe informal. Për më tepër, presionet fizike, emocionale dhe ekonomike mund të shkaktojnë stres të madh për familjet dhe kujdestarët e pacientëve të moshuar. Mbështetja e vazhdueshme është e nevojshme nga sistemet shëndetësore, sociale, financiare dhe ligjore këta të moshuar dhe kujdestarët e tyre Shëndeti mendor i të moshuarve mund të përmirësohet përmes promovimit të moshimit aktiv dhe të shëndetshëm. Promocioni shëndetësor specifik për shëndetin mendor për të moshuarit përfshin krijimin e kushteve të jetesës dhe mjediseve që mbështesin mirëqenien dhe lejimin e njerëzve për të udhëhequr një jetë të shëndetshme. Sipas OBSH, promovimi i shëndetit mendor varet shumë nga strategjitë për të siguruar që njerëzit e moshuar kanë burimet e nevojshme për të përmbushur nevojat e tyre, si:

  1. Mundёsimi i sigurisë dhe lirisë;
  2. Strehim adekuat përmes politikave mbështetëse të strehimit;
  3. Mbështetje sociale për të moshuarit dhe kujdestarët e tyre;
  4. Programet shëndetësore dhe sociale në dobi mё nё nevojё, të tilla si ata që jetojnë vetëm dhe popullatat rurale ose që vuajnë nga një sëmundje mendore ose fizike kronike;
  5. Programe për parandalimin dhe trajtimin e abuzimit me të moshuarit;
  6. Programet e zhvillimit të komunitetit.

Po kështu, është e nevojshme edukimi i vetë të moshuarve për të zgjedhur një stil jetese të shëndetshem, aktiv, me një dietë ushqimore të balancuar, larg konsumit të alkoolit dhe duhapirjes dhe pranë familjeve të tyre, si edhe në komunitete dashamirës e bashkëpunues. Historia ka treguar që sistemet sociale që i mbështesin të moshuarit, krijojnë shoqëri të shëndetshme, ulin kostot e trajtimeve shëndetësore, por edhe krijojnë modele suksesi të kësaj grupmoshe.

Pegi Freydberg

Nisi të shkruajë poezi në moshën 90 vjeçare Botoi librin e saj të parë me poezi ‘Poems from the Pond’, në moshën 107 vjeçare.

Inga Rraport

Neonatologe e cila mori një doktoraturë në mjekësi në moshën 102 vjeçare.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here