Shpenzimet për shëndetin: shumë nga taksat, shumë nga xhepi, pak për sigurim privat

Sigurimi privat i shëndetit ka shënuar një rritje të dobët në pjesën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për shtatë muajt e parë të vitit 2025, primet e shkruara bruto në sigurimin e sëmundjeve kishin vlerën e 561 milionë lekëve, në rritje me 1.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe vitin e kaluar ky produkt kishte shfaqur një ecuri të zbehtë, me një rritje vjetore të primeve prej 5.1%, poshtë rritjes mesatare prej 7% të tregut të sigurimeve.

Në një masë të madhe, sigurimet e shëndetit ofrohen plotësisht ose pjesërisht nga punëdhënësit, në formën e përfitimeve për punonjësit, ndërsa sigurimet individuale vlerësohet se përbëjnë një pakicë në strukturën e këtij tregu.

Shqipëria ka një skemë të sigurimeve shëndetësore që siguron një mbulim pothuajse tërësor të shërbimeve shëndetësore pranë institucioneve shëndetësore publike (madje për shërbime të veçanta edhe pranë spitaleve private).

Siguruesit mendojnë se modeli i financimit publik të shëndetësisë që ndjek Shqipëria nuk e favorizon shumë zhvillimin e tregut privat të sigurimit të shëndetit.

Por, megjithëse skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore duhet të ofrojë mbulim të plotë shëndetësor, statistikat zyrtare tregojnë se familjet shqiptare vazhdojnë të shpenzojnë shuma të mëdha për shërbime dhe produkte shëndetësore.

Duke iu referuar anketës së buxhetit të familjeve të INSTAT, për vitin 2023 shqiptarët shpenzuan afërsisht 35 miliardë lekë për shëndetin. Një shumë e tillë përbënte 4.3% të buxhetit mesatar të familjeve shqiptare.

Kjo shumë ishte afërsisht sa 64% e buxhetit total të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në të njëjtin vit, që, financohet nga kontributet direkte dhe indirekte të taksapaguesve.

Nga afërsisht 90 miliardë lekë shpenzime totale për shëndetësinë (buxheti i FSDKSHH dhe shpenzime të familjeve), rreth 39% e tyre janë shpenzime nga xhepi të familjeve.

Deri tani, sigurimi privat nuk po rezulton dot si zgjidhje e suksesshme për mungesën e një mbulimi real të me shërbime shëndetësore.

Për vitin 2023, kompanitë e sigurimit paguan 547 milionë lekë ( në 2024 kjo shumë u rrit lehtë në 618 milionë lekë) dëme në produktin e sigurimit të shëndetit. Kjo shumë përfaqëson më pak se 1.6% të shpenzimeve të përgjithshme të familjeve shqiptare për shëndetin. Një raport i tillë tregon qartë shkallën shumë të ulët të mbulimit me sigurime shëndetësore private.

Të dhënat e AMF nuk ofrojnë informacion të veçantë për produktin e sigurimit të shëndetit, megjithatë, ato tregojnë se bilanci i llogarisë teknike për produktet e shëndetit dhe aksidenteve në përgjithësi gjatë viteve të fundit ka qenë pozitiv, por me një tendencë në rënie.

Rezultati financiar, i shprehur si diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve nga këto produkte, vitin e kaluar ishte pozitive në vlerën e 15 milionë lekëve, niveli më i ulët i pesë viteve të fundit. Raporti dëme/prime neto rezultoi në nivelin 53.7%, ndërsa raporti i kombinuar i dëmeve dhe shpenzimeve të tjera me primet rezultoi 99.3%./ monitor

Postime të ngjashme

Rritet me 28% fondi për barnat e rimbursueshme, lista zgjerohet me 20 ilaçe në 2027
Dietë apo aktivitet fizik? Cila është më e rëndësishme për rënien në peshë?
Zhvillime të mëtejshme në dizenjimin e barnave për trajtimin e infeksioneve virale
Kur duhet të kërkojmë ndihmë profesionale për humbjen e peshës?
Ethet e Nilit në Korçë, ISHP në terren pas konfirmimit të rastit të parë në Shqipëri. Hetime dhe depistim për parandalimin e infektimeve
A mund të kalojë diabeti i tipit 2 në remision pas humbjes së peshës?
Mjeku Tritan Kalo zbulon dy parazitët që “fshihen” në zorrë gjatë verës: Ja si dallohen dhe çfarë pasojash shkaktojnë
Si ndikon vaji i ullirit në ngopje dhe kontroll të oreksit