Si të ruhemi nga “zjarri i natës”

Imelda ZeqoImelda Zeqo, mjeke infeksioniste pranë poliklinikës qendrore, shpjegon shkaktarët dhe mënyrat se si të trajtojmë sëmundjen

Shpesh personat që preken nga kjo sëmundje e ngatërrojnë arë me sëmundje të tjera, për shkak se është një sëmundje që jo të gjithë e njohin, por edhe për shkak të simptomave të saj. Zjarri i natës është një sëmundje që nuk ka një periudhë të caktuar kohore dhe ajo që është më problematike, informacioni që mund të gjesh është shumë i pakët.

Ata që duhet të ruhen më së shumti janë moshat e treta, por kjo nuk do të thotë që të përjashtuara janë edhe grupmoshat e tjera. Imelda Zeqo, mjeke infeksioniste në Poliklinikën Nr.3 në kryeqytet, thotë për gazetën “Shëndet Plus”  se informacioni i mangët që kanë personat e prekur, i shtyn ata të gabojnë në trajtimin e sëmundjes. Një pjesë e mirë e tyre nuk konsultohen me mjekun ose paraqiten kur sëmundja është shfaqur në lëkurë.

Cili është shkaktari i “Zjarrit të natës?

“Zjarri i natës” (herpes zoster) shkaktohet nga variçela zoster virus. Ky shkaktar bën pjesë në familjen që shfaq linë te fëmijët. Është një virus që rri në gjendje qetësie në mbaresat nervore të nervave dhe shfaqet në momentet që gjen terren të përshtatshëm. Një pacient ku sistemi imunitar është i kompromentuar, ka një patologji sekondare ose kur forcat e imunitetit ose organizmit bien atëherë virusi shfaqet.

Cilat janë grupmoshat që preken nga kjo sëmundje?

Moshat që preken janë moshat e rritura, kryesisht mosha e tretë, nuk përjashtohen dhe moshat e reja, por në raste të rralla.

Cilat janë shenjat e para?

Kryesorja është dhimbja, e cila mund të jetë në zona të ndryshme të trupit në varësi se ku do të shfaqet herpesi. Mund të shfaqet në kokë, në trup, në gjoks, bark, por nuk përjashtohen ekstremitetet.  Dhimbja vihet re në zonat që shfaqet.

Cilat janë karakteristikat me të cilat shoqërohet dhimbja?

Është një dhimbje që intensitetin më të madh e ka natën. Ndaj quhet “zjarr i natës”. Kjo dhimbje ecën sipas inervimit të trupit. Nëse sëmundja shfaqet në pjesën e gjoksit dhimbja vjen sipas brinjëve, nervat dalin nga shtylla kurrizore dhe siç janë brinjët kalojnë përpara. Fillon te shtylla kurrizore dhe del te gjoksi. Kështu ndodh dhe në zonat e tjera të trupit ndodh e njëjta formë.

A ka shenja të ngjashme me sëmundje të tjera?

Dhimbja që shkakton “zjarri i natës” shpesh na ngatërron me sëmundje të tjera. Nëse është në pjesën e gjoksit, pacienti ka dhimbje aq të forta sa pacienti ngatërrohet, mendon se ka probleme me mushkëritë apo ndonjë problem kardiak. Ka ndodhur që të sëmurët të shkojnë dhe të thonë që janë të sëmurë nga zemra. Kështu ndodhet në të gjitha pjesët e tjera ku mund të shfaqet.

A ka shenja në lëkurë?

Ka shenja në lëkurë, të cilat dalin në formën e flluskave me ujë, siç janë dhe shenjat e lisë te fëmijët. Në këtë moment diagnoza është e sigurt, pasi kemi të bëjmë me një herpes zoster. Me kalimin e kohës këto flluska krijojnë një kore, të cilat me kalimin e kohës fillojnë të përthahen. Këto flluska kanë tendencë që të kruhen. Individët e prekur duhet të ruhen që këto flluska të mos lagen, njëlloj si te lija e fëmijëve sepse mund të mbivendoset ndonjë infeksion sekondar, bakterial dhe në këtë rast situata është më problematike. Në një rast të tillë duhet të shtojmë mjekimin.

A është një sëmundje ngjitëse?

Është ngjitëse në rast se biem në kontakt me limitin që kanë elementët në lëkurë. Në asnjë formë tjetër nuk është ngjitës.

Si parandalohet kjo sëmundje?

Kjo është një sëmundje që ne nuk i ruhemi dot sepse virusi qëndron në mbaresën e nervave dhe është në një gjendje qetësie. Ajo mund të shfaqet nëse ne e kemi kaluar linë kur ishim të vegjël por dhe nëse nuk e kemi kaluar por kemi qenë në kontakt me këtë virus sërish ka tendenca për t’u shfaqur. Virusi që i shkakton i përket të njëjtës familje, por te fëmijët shfaqet me elementë në lëkurë nga koka te këmbët, ndërsa te të rriturit shfaqet në një zonë të lokalizuar.

Keni pasur shumë raste me këtë sëmundje?

Është një patologji që zgjat përgjatë 12 muajve. Rastet janë të shumta. Është një sëmundje që nuk ka një periudhë të caktuar kohore, ku mund të shfaqet më shumë. Në çdo kohë kemi pacientë me herpes.

Në çfarë gjendje vijnë pacientët tek mjeku?

Më tepër pacientët vijnë në momentet që herpesi është shfaqur në lëkurë, sepse në momentin që pacientët kanë vetëm dhimbje, ata e ngatërrojnë me probleme të tjera. Shkojnë te neurologu duke menduar se mund të jetë një dhimbje e një nervi shiatik, në momentin që ajo shfaqet në kokë. Dhimbja i ngatërron ata që nuk e dinë mënyrën se si shfaqet kjo sëmundje.

Në momentin që nuk ka shenja në lëkurë si e diagnostikoni pacientin?

Në këtë rast marrja në pyetje që ne i bëjmë pacientit është ajo që vendos diagnozën, sepse nuk ka mënyrë tjetër ekzaminimi. Si patologji nuk ka analiza tjera për ta identifikuar si sëmundje. Në momentin që shfaqet në lëkurë atëherë është 100 për qind e sigurt që kemi të bëjmë me “zjarrin e natës”.

Si të kurojmë “zjarrin e natës”

Gjithsecili duhet të ketë kujdes. Në farmaci mund të marrë çdo preparat të gatshëm që kurojnë patologji të ndryshme që prekin lëkurën, por jo për  herpesin. “Zjarri natës” mund të kurohet në disa forma, një nga të cilat është edhe vendosja e kompresave me solucione nga më të ndryshmet. Po kështu duhet të dini që zona ku shfaqen shenjat nuk duhet të laget me ujë. Shenjat që shfaqen bien vetë, krijojnë kore dhe është natyrë e kësaj sëmundjeje që ato të zhduken po vetë. Në momentin që mosha e tretë  ndjen dhimbjeje të tilla, ata duhet të bëhen doktorë të vetvetes. Duhet të shkojnë te mjeku, në momentin që dyshojnë se mund të jenë të prekur nga “zjarri i natës”. Mjekimi që merret në rastin e “zjarrit të natës” konsiston në marrjen e antiviralëve, pesë herë në ditë nga një tabletë, për një javë rresht. Zona e prekur lyhet me pomadë, 3-4 herë në ditë.

Postime të ngjashme

Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën
Mos i pini ilaçet e tensionit me këto 6 pije, ju rrezikojnë shëndetin
Si ta luftoni dhimbjen e dhëmbëve në mënyrë natyrale
Këmbë të enjtura, ushqimet që duhet dhe nuk duhet të hani
4 suplemente që nuk duhen kombinuar me vitaminën D! Pengojnë përthithjen
Rrathët e errët nën sy: Kur janë normale dhe kur fshehin një problem shëndetësor?
Dhimbje koke në mëngjes: Çfarë mund ta shkaktojë dhe si ta trajtojmë
Mjeku nefrolog: Si kufizimi i kalorive në dietë, ndihmon në zgjatjen e jetës