Denisa Canameti
Pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira të punës kanë bërë që stafi mjekësor rumun të dalë në protesta. Bluzat e bardha të atij shteti kanë paga shumë të ulta, të ngjashme me pagat e mjekëve në vendin tonë. Por ndryshe nga stafi mjekësor shqiptar, rumunët kanë bojkotuar punën në shenjë proteste. Rritja e pagës deri në masën 300% , është kërksesa e palëkundshme e mjekëve rumunë. Nga ana tjetër shteti rumun u ka ofruar mjekëve mundësinë e legalizimit të rryshfetit. Pasi sipas ministrit rumun të Shëndetësisë, Nicolae Bănicioiu, buxheti i shëndetësisë është i tillë që nuk mjafton për të rritur pagat e mjekëve, të paktën jo deri në atë masë. Ky vendim i ka mërzitur akoma më shumë mjekët të cilët janë shprehur se një vendim i tillë vë në lojë dinjitetin e tyre si dhe denigron figurën e bluzave të bardha. “Aleanca Mjekësore Rumune” ka reaguar në mënyrë të ashpër duke u shprehur se mjekët kanë nevojë për rritje pagash dhe për përmirësim të kushteve të punës, si dhe sipas tyre ka ardhur koha që mjekët të mos i shohim më zarfet e pacientëve.
Mosheqja dorë nga kërkesat ka bërë që shteti rumun dhe Ministria e Shëndetësisë rumune t’u premtojë mjekëve dyfishim të pagave, vetëm se kjo nuk do të ndodhë në mënyrë të menjëhershme, por gradualisht.
Pakënaqësia me sistemin e pagave, është arsyeja pse mijëra mjekë dhe infermierë janë larguar tashmë nga spitalet shtetërore ose kanë shkuar jashtë vendit, aty ku paga mujore është 10 herë më e lartë se në Rumani.
E njëjta situatë është edhe në vendin tonë. Pagat e ulëta gjithmonë janë bërë objekt debati midis mjekëve dhe shtetit. Herë herë pagat e ulëta janë kosideruar edhe si shkaku kryesor pse egziston rryshfeti apo mitmarrja në shëndetësi. E thënë nën zë apo e trumbetuar me të madhe kjo fjali ka vite që qarkullon në sistemin shëndetësor. Mjekë të pakënaqur- pacientë që paguajnë fatura të kripura.
Kodi penal i Republikës së Shqipërisë, Neni 244, dënon ashpër korrupsionin në sektorin publik.
“Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë”.
Pavarëisht ligjit, numërohen me gishta rastet kur ka patur dënim të mjekut për shkak të korrupsionit. Përkundrazi çdo ditë dëgjohen raste të reja. Togfjalëshi “zarf i bardhë” nuk është i panjohur as nga mjekët, as nga pacientët, as nga shteti. Kjo situatë sigurisht që nuk u pëlqen as mjekëve. Ata gjithashtu theksojnë se kjo e ul figurën e tyre. Por për sa kohë që shteti nuk justifikon punën e mjekut, ata do të këkrojnë të kompesohen nga pacienti.
Pavarëisht kësaj pakënqësie mjekët tanë asnjëherë nuk kanë marrë masa të tilla si kolegët e tyre jashtë vendit, që të bojkotojnë punën dhe të parashtrojnë kërkesa të qarta, për të mos u tërhequr pas deri në plotësimin e tyre.


