Një klasë barnash të quajtura bllokues beta, të përdorura për dekada me radhë si trajtim i linjës së parë pas një infarkti në zemër, nuk sjellin përfitime për shumicën dërrmuese të pacientëve dhe madje mund të rrisin rrezikun për shtrim në spital dhe vdekje tek disa gra, por jo tek burrat, sipas një studimi të ri novator.
“Këto rezultate do të riformulojnë të gjitha udhëzimet ndërkombëtare për përdorimin e bllokuesve beta te burrat dhe gratë, dhe duhet të nxisin një qasje të re, të personalizuar sipas gjinisë, për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare,” tha Dr. Valentin Fuster, autor i lartë i studimit, president i Mount Sinai Fuster Heart Hospital në Nju Jork dhe drejtor i përgjithshëm i Centro Nacional de Investigaciones Cardiovasculares në Madrid.
Gratë që kishin dëmtime të lehta në zemër pas infarktit dhe që u trajtuan me bllokues beta, kishin rrezik më të lartë për të pësuar një tjetër infarkt apo për t’u shtruar në spital për dështim të zemrës dhe ishin pothuajse tri herë më të rrezikuara për të vdekur krahasuar me gratë që nuk morën këtë medikament, sipas studimit të botuar në European Heart Journal dhe të prezantuar në Kongresin e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Madrid.
“Ky rrezik ishte veçanërisht i lartë te gratë që merrnin doza të larta të bllokuesve beta,” tha Dr. Borja Ibanez, autor kryesor i studimit dhe drejtor shkencor i Centro Nacional de Investigaciones Cardiovasculares në Madrid.
“Ky është studimi më i madh deri më sot që përfshin gra në një provë klinike për bllokuesit beta pas infarktit, ndaj ky është një zbulim me rëndësi të madhe,” shtoi ai.
Megjithatë, këto gjetje aplikohen vetëm për gratë me funksion normal të zemrës pas infarktit, pra me një fraksion ejeksioni të barkusheve të majta mbi 50%, një matje që tregon sa mirë pompon zemra gjakun. Për pacientët me fraksion ejeksioni nën 40%, bllokuesit beta vazhdojnë të jenë pjesë e standardit të kujdesit, për shkak të efektit të tyre në parandalimin e aritmisë që mund të shkaktojë një infarkt të dytë.
Sidoqoftë, këto barna mund të shkaktojnë efekte anësore të pakëndshme, tha Dr. Andrew Freeman, drejtor i parandalimit kardiovaskular dhe mirëqenies në National Jewish Health në Denver.
“Bllokuesit beta mund të çojnë në ulje të tensionit, ngadalësim të rrahjeve të zemrës, disfunksion erektil, lodhje dhe ndryshime të humorit,” tha Freeman, i cili nuk ishte pjesë e studimit. “Sa herë që përdorim këto barna, duhet të balancojmë rrezikun me përfitimin.”
Pse gratë janë më të ndjeshme ndaj efekteve negative?
“Në fakt, kjo nuk është surprizë,” tha Freeman. “Gjinia luan një rol të madh në mënyrën se si reagon trupi ndaj barnave. Shpesh gratë kanë zemra më të vogla dhe janë më të ndjeshme ndaj barnave për tensionin. Mund të jetë për shkak të madhësisë, por edhe faktorëve të tjerë që ende nuk i kuptojmë plotësisht.”


