Trump lidh autizmin me marrjen e këtij ilaçi qetësues, u bën thirrje grave shtatzëna të mos e përdorin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të hënën nga Zyra Ovale se mjekëve në SHBA do t’u rekomandohet të mos përshkruajnë më qetësuesin Tylenol për gratë shtatzëna, duke përmendur një lidhje të diskutueshme mes këtij ilaçi dhe autizmit.

Në konferencë së bashku me Sekretarin e Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., Trump tha se përbërësi aktiv i Tylenol-it, paracetamoli (i njohur në SHBA si acetaminophen), “nuk është i mirë” për gratë shtatzëna dhe se duhet përdorur vetëm në raste të temperaturës së lartë.

Megjithëse disa studime kanë sugjeruar një lidhje të mundshme mes përdorimit të Tylenol gjatë shtatzënisë dhe autizmit tek fëmijët, këto gjetje mbeten të paqarta dhe të paqëndrueshme. Kompania prodhuese e Tylenol-it, Kenvue, ka mbrojtur sigurinë e ilaçit, duke deklaruar për BBC se:

“Besojmë se shkenca e pavarur dhe e saktë tregon qartë se acetaminophen nuk shkakton autizëm. Nuk pajtohemi me sugjerime të tilla dhe jemi të shqetësuar për rrezikun që kjo mund të paraqesë për shëndetin e grave shtatzëna.”

Kompania gjithashtu shtoi se acetaminophen është një nga qetësuesit më të sigurt për gratë shtatzëna dhe se ndalimi i tij mund t’i detyrojë gratë të zgjedhin mes dhimbjes dhe përdorimit të barnave më të rrezikshme.

Gjatë deklaratës, Kennedy tha se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) do të lëshojë një njoftim për mjekët lidhur me rrezikun e mundshëm të përdorimit të Tylenol gjatë shtatzënisë. Ai gjithashtu njoftoi se FDA do të nisë procesin për ndryshimin e etiketës së sigurisë së ilaçit dhe do të ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi për publikun.

Në të njëjtën kohë, Kennedy tha se FDA do të miratojë së shpejti ilaçin Leucovorin, një medikament i vjetër që përdoret zakonisht për të mbrojtur pacientët me kancer nga efektet anësore të kimioterapisë, për trajtimin e fëmijëve me autizëm.

Komisioneri i FDA-së, Marty Makary, u shpreh se miratimi do të bazohet në studime që sugjerojnë se Leucovorin mund të ndihmojë fëmijët autikë që kanë mungesë të acidit folik (një formë e vitaminës B) të përmirësojnë aftësinë e tyre për të komunikuar verbal.

Postime të ngjashme

Rritet me 28% fondi për barnat e rimbursueshme, lista zgjerohet me 20 ilaçe në 2027
Dietë apo aktivitet fizik? Cila është më e rëndësishme për rënien në peshë?
Zhvillime të mëtejshme në dizenjimin e barnave për trajtimin e infeksioneve virale
Kur duhet të kërkojmë ndihmë profesionale për humbjen e peshës?
Ethet e Nilit në Korçë, ISHP në terren pas konfirmimit të rastit të parë në Shqipëri. Hetime dhe depistim për parandalimin e infektimeve
A mund të kalojë diabeti i tipit 2 në remision pas humbjes së peshës?
Mjeku Tritan Kalo zbulon dy parazitët që “fshihen” në zorrë gjatë verës: Ja si dallohen dhe çfarë pasojash shkaktojnë
Si ndikon vaji i ullirit në ngopje dhe kontroll të oreksit