Ushqimet që mbrojnë fëmijët nga diabeti

Nga Blerina Bombaj, dietologe

Konsumi i yndyrave omega-3, mund të ulë rrezikun e diabetit te fëmijët

Diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimunitare, e cila në më të shumtën e rasteve shfaqet në moshën fëminore. Së fundmi shkenca ka arritur të dyshojë mbi disa faktorë risku, edhe pse akoma nuk është i qartë shkaku i sëmundjes. Fëmijët që preken nga diabeti i tipit 1 janë të varur nga injektimi i insulinës përgjatë gjithë jetës në vazhdim.
Në vitin 2007, J.M. Norris dhe kolegët e tij raportuan se fëmijët me predispozite të rritur për shfaqje të diabetit të tipit 1, mund të ulnin rrezikun e sëmundjes thjesht duke konsumuar më shumë omega 3. Studiuesit vlerësuan 1770 fëmijë, të cilët kishin predispozitë të lartë për të shfaqur diabet të tipit 1, dhe kërkuan nga prindërit e tyre të plotësonin survejime vjetore, të cilat regjistronin shpeshtësinë e konsumit të yndyrave omega 3 nga fëmijët e moshave 3, 6 dhe 9 vjeç. Pjesëmarrësve iu mor gjithashtu mostër gjaku, e cila u ekzaminua për antikorpe, qelizat imunitare që mund të sulmojnë gabimisht vetë qelizat e trupit (në rastin e diabetit të tipit 1, antikorpet sulmojnë dhe shkatërrojnë qelizat beta të pankreasit, të cilat prodhojnë insulinën, duke çuar individin në diabet insulinovartës).
Në fund të kërkimit 6-vjeçar, të dhënat treguan se për çdo 800mg rritje të konsumit të yndyrave omega 3 në ditë, probabiliteti i shfaqjes së antikorpeve të “rrezikshme” ulej me 55%. Interesant u konsiderua fakti se, yndyrat omega 3 në dietën e fëmijëve që u morën nën vëzhgim në këtë studim, vinin nga ushqime bimore, si arrat dhe farat e linit.

Sa omega 3 rekomandohet të marrin fëmijët në ditë?

Rekomandimet për sasinë ditore të nevojshme për të marrë një fëmijë në ditë janë:

  • 0-12 muaj: 500mg/ditë
  • 1-3 vjeç: 700mg/ditë
  • 4-8vjeç: 900mg/ditë
  • 9-13: 1000mg-1200mg/ditë
Ushqime që përmbajnë omega 3:
  • 100gr sardele, ton, salmon, skumber, acuge – 500mg
  • 100gr ton, ostrike, karkaleca, shojza, barbun, peshk shpate, ngjala, midhje, gaforre, sepje – 150-500mg
  • 100gr merluc, arragoste – më pak se 150mg
  • ¼ kupë arra – 2700mg
  • ¼ kupë fara lini 6300mg/ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin