Denisa Canameti
Nertila Zabzuni, 8 vjeç, nga qyteti i Pogradecit vuan nga një sëmundje e rëndë shëndetësore. Ajo qëndron prej 2 muajsh e shtruar në pavionin e Nefrologjisë. Diagnoza e Nertilës e vendosur në maj të 2015-s është “Sindrom Nefrotik Kortiko-Dipendent, Hidronefroza Bilaterale”.
Sipas anamnezës së përshkruar, vajza vuan gjithashtu edhe nga problemet me zemrën, problemet e mushkërisë, probleme me toraksin. Ndërkohë para një jave ajo është shtruar në pavionin e infektivit te Pediatria e përgjithshme për shkak se është prekur nga sëmundja e variçelës (lija). Kjo ka bërë që pacientja të marrë trajtime paralele dhe menjëherë pas trajtimit do të kthehet sërish në pavionin e nefrologjisë.
Trajtimi i Nertilës sigurisht që është i kushtueshëm. Medikamentet kryesore ajo duhet t’i blejë vetë. Kështu, ajo është e detyruar që të blejë çdo ditë medikamentin Deltacortene – Prednisone me një çmim 432 lekë. Përveç kësaj, gjyshja e Nevilës blen edhe medikamente të tjera (shiko foton).
Nevila është e shoqëruar në spital nga gjyshja e saj, pasi të dy prindërit e vogëlushes gjithashtu vuajnë nga sëmundje shumë të rënda. Kështu, i ati përveçse është i paralizuar, vuan edhe nga sëmundja e rëndë e kancerit, ndërsa e ëma ka lindur me probleme në të dëgjuar dhe të folur.
Pavarësisht këtyre kushteve, kjo familje mbahet me vetëm 5200 lekë përkrahje sociale, ndërkohë që asnjëri nga prindërit nuk merr pension invaliditeti.
Trajtimi i Nevilës financohet nga njerëz të afërm, megjithatë kjo ndihmë po vjen duke u reduktuar për shkak të pamundësive financiare.
Përballë kësaj situate të afërmit e vogëlushes i janë drejtuar gazetës “Shëndet+” si shpresa e vetme për të çuar zërin deri tek instancat përgjegjëse. Këta të fundit vijnë me kërkesa minimale, të drejta dhe legjitime: Trajtim dhe medikamente falas.
Në kuadër të shëndetësisë falas dhe mbulimit universal i drejtohemi Ministrisë së Shëndetësisë që të ketë në vëmendje këtë rast. I kujtojmë edhe një herë këtij institucioni detyrimet e tij për të respektuar të drejtat e pacientëve.
Sipas Ligjit nr.10 107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, Kreu II, Përgjegjësitë e Shtetit dhe të Shtetasve, Neni 4:
- Shteti ushtron veprimtarinë e tij lidhur me kujdesin shëndetësor në mbështetje të këtij ligji dhe zotohet për të rregulluar dhënien, mbikëqyrjen dhe administrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
- Shteti mbron parimin e solidaritetit në financimin dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor.



