Zjarret masive, Ministria e Mbrojtjes thirrje banorëve të këtyre zonave për evakuim urgjent

Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje banorëve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë të evakuohen sa më shpejt, për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve.

Përmes një postimi në Fabebook, banorëve u kërkohet që të të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta.

“Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta”, bën thirrje Mbrojtja.

Ja si paraqitet situata në të gjithë vendin:

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive.

Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit. Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin. Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë.

Situata në vatrat më problematike:

 *Qarku Vlorë* – Bashkia Delvinë & Finiq

Në Delvinë, zjarri i depërtuar nga Syri i Kaltër ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, duke arritur deri pranë kurorës së bashkisë. Flakët u shtrinë nga Vllahati drejt Kakodhiqit, duke shkaktuar djegien e 5 shtëpive, prej të cilave 4 të pabanuara. Në operacione janë angazhuar 36 efektivë zjarrfikës me 5 mjete, 120 trupa të FA, forca të FNSH, Delta, Shqiponjat, policia vendore dhe bashkiake, si dhe 7 autobote uji. Zjarri është zhvendosur mbi fshatin Vllahat, ku po ndërhyhet nga ajri me helikopterë çek dhe sllovak.

Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.

 *Qarku Elbasan –* Bashkia Gramsh

Në Kullollas dhe njësinë Skënderbegas, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë disa fshatra dhe shkaktuar një viktimë. Janë raportuar dëme në banesa. Situata mbetet e rëndë dhe po ndërhyhet nga ajri. Në Mukaj e Sojnik, zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, me forcat vendore dhe FA në terren.

 *Qarku Gjirokastër* – Bashkia Tepelenë

Në Hormovë, rreziku për banesat është shmangur, por puna për shuarjen vazhdon. Në Turan, flakët janë përhapur drejt Lekelit dhe Koderit, duke djegur dy stalla dhe kafshë. Në terren kanë operuar forca zjarrfikëse, policore, bashkiake, vullnetare dhe ushtarake, si dhe helikopterë çek e sllovak.

 *Qarku Shkodër* – Bashkia Fushë Arrëz

Në Xeth, vatra po digjet në një zonë me pisha. Janë angazhuar forca të shumta nga FA, MZSH, policia dhe shërbimi pyjor. Situata paraqitet më e qetë, por puna vijon për izolimin e plotë.

 *Qarku Tiranë*

Në malin e Bërzhitës dhe fshatin Durishtë, zjarri është mbajtur nën kontroll me ndërhyrje nga ajri dhe toka. Në zonën Arbanë (Damjan e Isufaj), flakët morën përmasa të mëdha dhe u ndërhy me helikopter kroat. Në Ferraj dhe Zall-Herr, vatrat po mbahen nën monitorim, ndërsa në Kryevidh të Rrogozhinës janë djegur rreth 100 ha dhe dy shtëpi të pabanuara.

 *Qarku Dibër*

Në malin me Gropa, Biz të Martaneshit, zjarri vazhdon në zonë të mbrojtur, larg banesave. Në Ternovë, operacioni vazhdon me forca vendore dhe të FA.

 *Qarku Korçë* – Bashkia Kolonjë

Në Gërmenj, zjarri në pyjet me pisha zhvillohet në terren të vështirë, me shpërthime municionesh në perimetrin e flakëve. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë është e vështirë dhe po mbahet nën mbikëqyrje.

Puna po vijon ndërkohë edhe në vatrat, ku nuk ka rrezik për banesa apo gjënë e gjallë.

 *Parashikimi i motit dhe rrezikshmëria për zjarre*

Sipas të dhënave meteorologjike, vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe erëra të forta në orët e mesditës, çka rrit rrezikun për riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave ekzistuese, si dhe krijimin e zjarreve të reja. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re.

Postime të ngjashme

Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet