4 mjekë dekorohen me titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar me titullin ‘Mjeshtër i Madh’ 4 mjekë të shquar për kontributin e tyre në fushën e mjekësisë dhe formimin e brezit të ri mjekësor.

Prof. Dr. Nestor Thereska, Prof. Dr. Jul Bushati, Prof. Dr. Agron Ylli dhe Prof. Dr. Orion Gliozheni janë dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga presidenti Nishani më 22 qershor 2017.

Nderimi i këtyre personaliteteve të mjekësisë shqiptare është një vlerësim i punës së palodhur humanitare si mjek në shërbim të disa brezash pacientësh, për kontributin e shquar pedagogjik si profesorë doktorë, si dhe për rolin e tyre intelektualë e shkencorë, si drejtues projektesh e kërkimesh në shumë forume e institucione ndërkombëtare shkencore mjekësore.

Prof. Dr. Nestor Thereska është mjek i shquar, i cili ka shërbyer për shumë dekada si mjek, pedagog në Fakultetin e Mjekësisë dhe si përgjegjës i Shërbimit të Nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë.
Në vitin 1995- 1997 ka qenë Rektor i Universitetit të Tiranës, si dhe President i Rektorëve të Universiteteve Shqiptare. Në vitin 2002 ka marrë titullin: “Oficer” i Palmës Akademike Franceze. Në vitin 2005 është zgjedhur President i Shoqatës Shqiptare të Nefrologjisë dhe që nga ky vit në vazhdim përfaqëson Shqipërinë në aktivitetet shkencore botërore të fushës së Nefrologjisë. Prof. Dr. Nestor Thereska ka qenë përgjegjës i Shërbimit të Nefrologjisë.

Prof. Thereska është personalitet i shquar i shkencës së mjekësisë dhe një specialist i mirënjohur në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e Nefrologjisë.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Prof. Dr. Nestor Thereskës Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për veprimtarinë e gjatë humanitare e shkencore prej disa dekadash si mjek në shërbim të disa brezash pacientësh, si dhe për kontributin e shquar pedagogjik si profesor dhe anëtar i shumë forumeve e institucioneve ndërkombëtare në fushën e tij”.

Prof. Dr. Jul Bushati është mjek i shquar. Ai ka shërbyer si mjek në Institutin e luftës kundër Tuberkulozit. Nga viti 1980 ai ka qenë shef i repartit të diagnozës dhe terapisë intensive pneumologjike në Institutin e luftës kundër Tuberkulozit dhe pedagog i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin 1983 ai ka qenë shef i Klinikës III të Institutit të Ftiziopneumologjisë. Në vitin 1992 ai u caktua shef i Shërbimit të Pneumologjisë në Fakultetin e Mjekësisë dhe i Klinikës I në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë.

Në vitin 2010 ai u caktua Shef i klinikës III në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”, Tiranë. Në vitin 2012-2014, Prof. Dr. Jul Bushati ka qenë Lektor, Dekan, Rektor i IALP ’ISSAT’. Në vitin 1980, Prof. Dr. Jul Bushati ka dhënë leksione në lëndën e Ftiziopneumologjisë dhe në vitin 1988 ka dhënë leksione në lëndën e Pneumologjisë në Fakultetin e Mjekësisë.

Prof. dr. Jul Bushati ka mbajtur funksione si Anëtar i Këshilli shkencor të Institutit të luftës kundër tuberkulozit; në vitet 1985-1988, Anëtar i Komisionit shëndetësor pranë Komitetit të Shkencës dhe Teknikës, në Kryeministri; në vitet 1992-1997, ka qenë Kryetar i Shoqatës së Pneumologjisë; në vitet 1992-1997 ka qenë Anëtar i Komisionit Kombëtar të luftës kundër SIDA-s; në vitin 1993 ka qenë Anëtar i grupit të punës pranë OMS për “Tuberculosis Control in Europe and International Migration”; në vitet 2006-2010 është caktuar Ekspert i programit nacional të tuberkulozit për MDR-TB; n; vitet 1997-2002 është caktuar Ambasador pranë Selisë së Shenjtë, në Vatikan; në vitet 1992-1997 ka qenë Anëtar i kolegjimit “Revista Mjekësore”; në vitet 2003-2008 ka qenë Anëtar i redaksisë “Revista e Sëmundjeve Pulmonare” dhe në vitet 2008-2011 ka qenë Kryeredaktor i “Revista e Sëmundjeve Pulmonare”.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Prof. dr. Jul Bushatit titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për veprimtarinë e gjatë humanitare e shkencore si mjek në shërbim të disa brezash pacientësh; për kontributin e shquar pedagogjik si profesor e anëtar i shumë forumeve e institucioneve ndërkombëtare të fushës së tij, si dhe për rolin e tij si përfaqësues i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan”.

Agron Ylli, shefi i shërbimit të endokrinologjisë në QSUT

Prof. Dr. Agron Ylli është mjek i shquar dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Gjithashtu ai është përgjegjës i Shërbimit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë.
Në vitin 2016 ka qenë Kryetar i Këshillit të Profesorëve të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Prof. Ylli është President i Shoqatës Shqiptare të Endokrinologjisë dhe anëtar i Shoqatës Evropiane të Endokrinologjisë. Ai është përfaqësues i Shqipërisë në aktivitetet shkencore botërore të fushës së Endokrinologjisë dhe është i njohur në fushën akademike ndërkombëtare për shkrimet akademike dhe projektet evropiane që Prof. Dr. Agron Ylli ka koordinuar.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Prof. dr. Agron Yllit titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për kontributin e njohur intelektual dhe punën e palodhur si mjek, duke u shërbyer me përkushtim disa brezash pacientësh; për ndihmesën shumëvjeçare si pedagog e drejtues i shërbimeve të ndryshme mjekësore, anëtar i shoqatave ndërkombëtare të Endokrinologjisë, si dhe autor i shumë teksteve e artikujve shkencorë të profilit të tij”.

Dr. Orion Gliozheni

Prof. Dr. Orion Gliozheni është mjek i shquar dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Gjithashtu ai është Përgjegjës i Departamentit të Obstretikë-Gjinekologjisë dhe përgjegjës i Shërbimit të Gjinekologjisë në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” Tiranë. Ai është i diplomuar në fushën e inxhinierisë dhe të mjekësisë, dhe është specializuar në mjaft universitete të huaja në fushën e Obstretikë-Gjinekologjisë.
Prof. Dr. Gliozheni ka qenë Kryetar i Këshillit të Etikës së Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Ai është Anëtar i Shoqatës Franceze të Gjinekologëve, Anëtar i Shoqatës Evropiane të Gjinekologëve, Anëtar i Shoqatës Evropiane të Kontraceptimit, Anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Ultrazërit në Obstetrikë dhe Gjinekologji, Presidenti i degës shqiptare të IAMANEH, Anëtar i ESHRE, Drejtor i degës shqiptare të shkollës “Ian Donald” të Ultrazërit. Ai është përfaqësues i Shqipërisë në aktivitetet shkencore botërore të fushës së Obstretikë-Gjinekologjisë dhe është i njohur në fushën akademike ndërkombëtare për shkrimet akademike dhe projektet evropiane.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi prof. dr. Orion Gliozhenit titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për kontributin e gjatë dhe punën e palodhur humanitare si mjek profesionist duke u shërbyer pacientëve të panumërt e fëmijëve, duke realizuar për herë të parë në Shqipëri shërbimin e fekondimit “in-vitro”, si dhe për rolin e tij intelektual e shkencor, si drejtues projektesh e kërkimesh, në shumë forume e institucione ndërkombëtare shkencore mjekësore”.

 Burimi: Universiteti i Mjekësisë, Tiranë

Postime të ngjashme

Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë