Në vitin 2013 më shumë se 122.000 fëmijë më të vegjël se pesë vjeç në Afrikën Subsahariane kanë vdekur, sepse janë kuruar me antimalarikë të skaduar. Kjo u vërtetua nga studimet e realizuara
Viktor Qereshniku, kirurg i përgjithshëm
Në botë qarkullojnë shumë medikamente të falsifikuara dhe që, sigurisht, përbëjnë një problem me rëndësi për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Kështu, autorë të ndryshëm kanë realizuar një dosier lidhur me medikamentet e falsifikuara. Bazuar në këtë dosier, po sjellim një analizë për problemet që ekzistojnë dhe mënyrat se si mund të shmangen. Gjithsesi duhet të themi se nuk ka të dhëna se sa i përhapur është ky problem edhe në tregun farmaceutik shqiptar. Por përhapja e problemit kudo në botë, të bën të mendosh se edhe Shqipëria nuk duhet të jetë e imunizuar (më pak apo më shumë) nga kjo gjë.
Studiuesit që janë marrë me problemin e falsifikimeve, kanë analizuar një grup medikamentesh, duke lënë të kuptohet se kjo mund të ndodhë me të gjitha medikamentet. Kështu janë analizuar:
- Antimalarikët pa përbërës akti, që kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 120.000 fëmijëve të pavetëdijshëm.
- Antibiotikët me substancë aktive të pamjaftueshme për të mposhtur bakteret, por mjaftueshëm për të shkaktuar rezistencë.
- Përdorimi i medikamenteve të skaduara.
- Vdekjeprurës për disa, të dëmshme për të gjithë.
Zgjedhja e kësaj teme nuk ka qenë e rastësishme: autorët e kanë konsideruar si një “pandemi globale” të medikamenteve të skaduara dhe e kanë publikuar në “The American Journal of Tropical Medicine and Hygiene” duke këmbëngulur në aspektin paradoksal, gati grotesk të problemit.
Një përmbledhje e 17 artikujve të paraqitur në “Fogarty International Center del National Institute of Health” ka demonstruar që në botë qarkullojnë medikamente të një cilësie të dobët, ndërmjet 10 dhe 30% sipas OMS-së, që provokojnë dëmtime të rënda për shëndetin publik, sepse jo vetëm që nuk kurojnë, por në njëfarë mënyre “shkaktojnë sëmundje” duke shkaktuar një pandemi të vërtetë.
Bëhet fjalë për medikamente të falsifikuara vullnetarisht apo si pasojë e ndryshimeve aksidentale të shkaktuara nga gabime në procesin e prodhimit apo të konservimit. Më shumë bëhet fjalë për antimalarikët, antiviralët dhe antituberkularët, antibiotikët e përdorura në vendet e varfra në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.
Një shembull për të gjithë: Në vitin 2013 më shumë se 122.000 fëmijë më të vegjël se pesë vjeç në Afrikën Subsahariane kanë vdekur, sepse janë kuruar me antimalarikë të skaduar. Kjo u vërtetua nga studimet e realizuara nga studiuesit në Uashington të “Center for Disease Dynamics, Economics and Policy”.
Sipas të dhënave nga “Pharmaceutical Security Institute Counterfeit System” (PSI CIS), pjesa më e madhe e produkteve të falsifikuara kanë prejardhje nga Kina dhe nga India. Por nuk është e lehtë të identifikohen medikamentet me cilësi të dobët, të dallohen modifikimet aksidentale nga ato të vullnetshme dhe të përcaktohet autori i kësaj ndërhyrjeje. Për ta parandaluar, duke u mbështetur në një nga botimet e autorëve në “Dossier”, janë tre faktorë:
- Mungesa e konsensusit për përcaktimin e medikamentit të skaduar.
- Pamjaftueshmeria e teknologjisë për të përcaktuar pikat e dobëta të një medikamenti përpara se të fillojë terapia.
- Nuk ekziston një organizëm ndërkombëtar i kontrollit të tregut që të masë dhe të vëzhgojë duke respektuar standardet, siç bëhet për shembull nga “FDA”.
Një rrezik për të gjithë
Kur medikamentet nuk funksionojnë, nuk janë vetëm pacientët që e pësojnë: përhapja e baktereve rezistente është, për shembull, një “efekt kolateral” që i përfshin të gjithë. Kjo ndodh kur përqindja e principit aktiv e përmbajtjes së medikamentit është shumë e ulët, e paaftë për të luftuar patogenet, por e aftë që të shkaktojë procesin e rezistencës. Metafora e pandemisë është se ajo vazhdon të përhapet. Medikamenti jo i efektshëm shkakton në fakt një reaksion me efekt të përgjithshëm, i aftë për të përmbysur dhjetëra suksese kundër sëmundjeve, si: sida, malarja dhe tuberkulozi.
****
Objektivi i këtij numri special është ai që të vihen në gjendje alarmi shkencëtarët, institutet e shëndetit publik dhe përgjegjësit që marrin vendime politike duke e parë problemin e medikamenteve në bazë të cilësisë dhe të ofrojnë veprime të menjëhershme për të zbutur dhe të zgjidhin këtë problem.
Frika është e justifikuar nga rezultatet e raportuara në dosier: nga 17.000 kampione të antiviralëve, antimalarikëve, antituberkularëve dhe medikamenteve anti leishmania, përqindja e produktit ka qenë më e ulët se standardi në 41% të rasteve.
Fenomeni, dëshmojnë autorët, mund të jetë nënvlerësuar. Shpesh përhapja e medikamenteve me cilësi të dobët nuk sinjalizohet nga institucionet përgjegjëse edhe për faktin se nuk ekziston një konsensus ndërkombëtar për këtë problem. Sipas autorëve, problemi mund të zgjidhet kështu: duhet t’i klasifikojmë medikamentet me cilësi të dobët në tre kategori:
- Të falsifikuara (si pasojë e një prodhimi mashtrues – hileqar),
- Poshtë standardit (për gabime të pavullnetshme të bëra gjatë prodhimit),
- Të prishura – të skaduara (si pasojë e skadencës për një gabim në ruajtjen e keqe apo për menaxhim të keq).
Kategoria e parë është si pasojë e një tregu kriminal 75 miliardë dollarë në vit, sipas të dhënave të Interpolit, që ndërmjet 2010 dhe 2014-s ka realizuar 1400 arrestime dhe ka sekuestruar 500 ton medikamente të falsifikuara.
Fenomeni i përket kryesisht vendeve me të ardhura të dobëta. Një studim i fundit, i cituar nga dosier, raporton se 1/3 e 4.000 kampioneve të antimalarikëve të testuara në vendet e Juglindjes Aziatike dhe 21 Shteteve të Afrikës Subsahariane ishin të privuar nga principi aktiv i medikamentit. Rezultate të tjera të realizuara nga autorë të ndryshëm të shumtë që janë publikuar në “American Journal of Tropical Medicine and Hygiene” nuk janë shumë të ndryshme nga sa thamë më lart.
Në Kamboxhia, nga 291 kampione medikamentesh antimalarike, 30% e tyre kishin principin aktiv jashtë normës së vendosur (85% – 115%), në pjesën më të madhe të rasteve shumë më poshtë se sa pragu i pranueshëm.
Në Afganistan, 26% e konfeksioneve të analizuara nuk e kalonte testin e vendosur nga “Global Pharma Health Found”, një organizatë që përdor një minilaborator të lëvizshëm që verifikon cilësinë e medikamenteve në vendet e varfëra.
Në Republikën Demokratike të Laosit, 25% e kampioneve të paraqitura ishin jashtë kufijve të pranuara. Në Ganë dhe Nigeri në 35 kampione të antibiotikëve, 60% e tyre nuk i përgjigjej standardit të pranueshëm të cilësisë.
Veç kësaj, ndërmjet produkteve të sekuestruara nga Interpoli, 1/3 e antibiotikëve dhe e antimalarikeve të falsifikuara nuk përmbushnin kufirin e pranueshëm të cilësisë.
Teknologjitë e reja
Mbetet një metaforë, autorët e studimit konfirmojnë se “mjetet diagnostike janë qendra e suksesit të çfarëdolloj sforcoje për t’u përballur me epidemitë”. Edhe kur paradoksalisht dëmi është provokuar nga medikamentet. Kështu pra, ia vlen që të synojmë në perfeksionimin e katër teknologjive të parashikuara që janë të afta të veçojnë një medikament të efektshëm nga një i dëmshëm i panevojshëm.
Pa hyrë shumë në detaje, disa nga këto, ekonomikisht është lehtësisht e realizueshme, që bazohen mbi testime kimike me kolorante (ngjyrues) dhe letra, të tjerat kërkojnë teknika më të sofistikuara të fluoreshencës dhe luminishencës që garantojnë një saktësi të lartë, por janë më të komplikuara për t’u përdorur në vende jo të avancuara teknologjikisht.
Një përgjigje ndërkombëtare
Në një speciale të dedikuar pandemive nga medikamentet e skaduara, zbulohen disa pika të dobëta në sistemin e kontrollit ndërkombëtar:
- nuk ekziston një përkufizim i pranuar nga të gjithë për medikamentet me cilësi të dobët,
- nuk ekziston një sistem monitorimi i koordinuar nga të gjithë,
- nuk ka një rregullore që t’u imponojë shteteve të veçantë sanksione për ata që hedhin në treg pilula me premtime false
Amir Attaran, autori i një prej 17 artikujve të publikuara, habitet për shembull që në Kanada dënimi për falsifikimin e medikamenteve qëndron në vetëm tre vjet burg në maksimum dhe një gjobë prej 5.000 dollarësh. E njëjta gjë është edhe në Francë: tre vjet burg dhe 75.000 euro paralajmërim. Në Norvegji autori i një kundërvajtjeje (krimi) i këtij lloji, rrezikon vetëm 4 muaj burgim, në Holandë 6. Në pjesën më të madhe të rasteve gjykatat gjykojnë dhe dënojnë vetëm krimet kundër pronësisë intelektuale, dhe jo ato kundër shëndetit publik.
“Shtetet duhet të ofrojnë ligje për të goditur dhe asgjësuar aspektet e dëmshme të tregut global të medikamenteve, medikamentet me cilësi të dobët dhe ato të falsifikuara, pa ndërhyrë në të drejtën e tregtisë së lirë”, thotë Attaran. Mjafton që të sugjerohet një model i ligjit që ai vetë ka vendosur për të luftuar anën e errët të globalizimit: Model “Ligj për Krimin Mjekësor”. Nga ana tjetër, duhet një marrëveshje ndërkombëtare. Në këtë rast modeli për t’u kopjuar për të luftuar pandeminë e medikamenteve të skaduara, lexohet në dosier, mund të jetë i ngjashëm me bashkëpunimin për kontrollin e duhanit, ndoshta më i efektshmi traktat ndërkombëtar për mbrojtjen e shëndetit i aftë për të kontrolluar sigurinë e cigareve të tregtuara në të gjithë botën. Ky është një shembull i vlefshëm nga i cili duhet të frymëzohemi, thonë autorët e dosierit.



