Përshëndetje! Ju lutem, pas lindjes së fëmijës vë re se kam shumë strije në kofshë dhe në bark. Dua ta di a trajtohen dhe si?
Përgjigjet për “Shëndet+” mjekja dermatologe Violeta Dajçi
Trajtimi i strijeve është konsideruar i pamundur deri para dy dekadash. Akoma ka skeptikë që nuk e pranojnë dot që ato trajtohen me sukses. Megjithatë, në këtë rast më shumë se kudo, rezultati varet nga bashkëpunimi pacient-dermatolog.
Rezultatet janë më të arrira në fazën e kuqërremte të strijave, por jo kur janë aktive (vazhdojnë të zhvillohen).
Është mirë të fillohet me kremra dhe solucione dermatologjike, që trajtojnë strijat tashmë të formuara, duke stimuluar formimin e kolagjenit dhe elastinës. Edhe procedurat dermo-kozmetike që aplikohen në këto raste, në thelb kanë po këtë parim, por rezultatet janë më të shpejta dhe më efektive.
Procedurat më efikase janë mesoterapitë (dermapen, dermaroller), lazer-terapitë e tipeve të ndryshme, peeling i thellë kimik, dhe më pak piling kimik i lehtë e i mesëm. Kombinimi i procedurave është gjithmonë më efektiv sesa aplikimi në mënyrë të përsëritur i njërës prej tyre.
Sidoqoftë, mjeku përgatit një protokoll trajtimi të veçantë për çdo pacient që në vizitën e parë. Gjithsecili është i ndryshëm, qoftë nga shfaqja e këtyre dëmtimeve, por edhe nga pritshmëritë e trajtimit. Trajtimet shoqërohen me foto për të parë përmirësimin në vazhdimësi dhe për të kujtuar si ishin strijat. Jo rrallë ndodh që pacientët duke e kontrolluar veten çdo ditë, mësohen dhe e harrojnë gjendjen fillestare. Megjithatë, edhe kjo na jep shumë kënaqësi. Ne arrijmë të heqim kujtimet e shëmtuara!


