Melanoma, ja si mund t’i dallojmë nishanet kancerogjene

Bisedoi Elona Tereziu

Jemi pranë sezonit të verës dhe plazhit, megjithatë dëshira për të marrë ngjyrë nuk duhet të na shtyjë që të qëndrojmë për orë të tëra nën rrezet e diellit, e aq më tepër pa marrë kujdesin e duhur nëpërmjet kremrave mbrojtës. Kjo pasi, njollat e vogla që mund të kemi në lëkurë, mund të ndryshojnë duke u shndërruar në Melanomë (nishane kancerogjene).

Ndonëse më pak e zakonshme se lloje e tjera të kancerit, incidenca e melanomës është rritur me 3,1% vetëm përgjatë 30-vjeçarit të fundit, ndërkohë që pacientët më të zakonshëm tashmë janë femrat.

Entela Shkodrani, mjeke dermatologe në Pavijonin e Dermatologjisë në QSUT, e lidh këtë fakt me frekuentimin e tepërt të kabinave estetike për nxirje artificiale.

Ndërkohë që me predispozitë të lartë ajo rëndit edhe personat me lëkurë të çelët, nishan të shumtë e të çrregullt, por nuk përjashton edhe predispozitën gjenetike.

Çfarë është melanoma dhe si mund ta diagnostikojmë me sy të lirë?

Sikurse dihet tanimë, melanoma është kanceri i nishaneve. Melanoma mund të lind mbi një nishan ekzistues, por mund të vendoset edhe mbi një lëkurë normale. Kur vendoset mbi një nishan, melanoma është më e lehtë të diagnostikohet, pasi që nishani të transformohet në melanomë kërkon një farë kohe. Është totalisht i diagnostikueshëm me sy të lirë, ndryshon ngjyra (nuk është një ngjyrë uniforme por ka disa nuanca të ndryshme ngjyrash), ndryshon kufiri apo bordura (nga e rrumbullakët bëhet e thepisur), rritet në madhësi në mënyrë të menjëhershme dhe jo simetrike.

Incidenca e melanomës është rritur në mënyrë drastike në 30-vjeçarin e fundit, me një rritje vjetore rreth 3,1%. Është vënë re një rritje e incidencës së melanomës në femrat në grupmoshën nga 15-29 vjeç më tepër se tek meshkujt. Një nga arsyet është frekuentimi i tepërt i kabinave estetike të nxirjes artificiale.

Kush janë më të rrezikuar për t’u prekur nga melanoma?

Më të rrezikuar për t’u prekur nga melanoma janë personat që kanë më shumë së 50 nishane në trupin e tyre, ata që kanë nishane të çrregullt dhe personat që kanë histori familjare me melanomë. Këto persona duhet të bëjnë një ekzaminim të rregullt dermatoskopik të të gjithë nishaneve të tyre të paktën njëherë në vit për të evidentuar ndryshimet e menjëhershme në nishanet përkatëse dhe të respektojnë rekomandimet e dermatologëve për ekspozimin në diell.

Si klasifikohen llojet e ndryshme të lëkurave dhe a reagojnë ato në mënyrë të njëjtë ndaj diellit?

Në dermatologji përdoret termi fototip dhe ka pesë lloje fototipish, sipas një përshkrimi të bërë nga Fitzpatrik. Fototipi I dhe II janë individë me lëkurë të çelët, flokë bionde apo të kuq, të cilët kanë shumë nishane apo njolla në lëkurë, të cilët janë tepër të riskuar ndaj rrezeve ultraviolet dhe dëmtimeve që ato shkaktojnë, si kanceri i lëkurës, melanoma etj. Fototipi III dhe IV janë individët me lëkurë më të zeshkët, si mesdhetarët apo hispanikët të cilët nuk digjen në diell, e shpërndajnë mirë pigmentin e tyre dhe janë me pak të riskuar për të patur problemet e mësipërme. Po kështu edhe individët me fototip të V-të të lëkurës. Individët me lëkurë të zeshkët janë më pak të riskuar për të zhvilluar kancer lëkure apo melanomë. Por kjo nuk i përjashton gjenetikisht nga ky problem dhe duhet të dimë edhe individët me lëkurë të zeshkët  janë të riskuar për të zhvilluar gjithashtu probleme estetike nga ekspozimi në diell, si për shembull tharje të lëkurës, humbje të elasticitetit, shtim të rrudhave etj.

Në këtë kontekst them se edhe këta individë duhen mbrojtur nga dielli por me një filtër solar më të ulët se individët me fototip I dhe II.

Disa këshilla për mbrojtjen e lëkurës në këtë sezon? 

Jemi pranë sezonit të plazhit, ku dhe fillon ekspozimi i njerëzve në diell. Dielli është konsideruar gjithmonë një mik i mirë për lëkurën dhe organizmin në përgjithësi, mjafton të përmendim rolin e madh që ka në sintezën e vitaminës D dhe të mos harrojmë nga ana tjetër që rrezet e tij shfrytëzohen nga ne dermatologët për trajtimin e mjaft sëmundjeve të lëkurës si psoriazi, aknet, ekzema etj. Por nga ana tjetër këshilla jonë si dermatologe është që duhet të marrim anët më pozitive të diellit dhe të evitojmë efektet e tij negative në lëkurë. Dielli duhet marre seriozisht gjithë vitin pasi edhe në dimër kur intensiteti i rrezeve nuk është maksimal, lëkura gjithsesi duhet mbrojtur prej tij, por kujdesi maksimal duhet treguar në pikun e sezonit veror kur intensiteti i rrezeve ultraviolet A dhe B është maksimal. Rrezet UVA jenë përgjegjëse për plakjen e parakohshme të lëkurës, rrudhat, humbjen e elasticitetit ndërsa rrezet UVB janë përgjegjëse për djegien prej saj.

Këshilla:

1–      Aplikoni krem solar me SPF mbi 15 me spektër të gjerë çdo dy orë.

2-      Vishni veshje të lehta mbrojtëse me ngjyrë të bardhë, kapele dhe syze.

3-      Kërkoni hijen dhe mos harroni që rrezatimi më i fortë është midis orës 11 dhe 14.

4-      Mbroni fëmijët sa më shumë të jetë e mundur me anë të masave të   mësipërme.

5-      Merrni vitaminën D nëpërmjet dietës.

6-      Evitoni kabinat e solareve artificialë./ Shendeti.com.al

 

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin