Blerina Bombaj, dietologe
Kockat përbëhen nga 30% materie organike dhe 70% kripëra të kalciumit dhe fosforit. Metabolizmi i kalciumit dhe fosforit varet nga hormonet e mëposhtme:
- Paratiroidja
- Kalsitonina
- Vitamina D
Paratiroidja prodhohet nga gjëndra paratiroide dhe ka këto veprime në organizëm:
- Aktivizon prodhimin e vitaminës D nga veshkat e cila rrit përthithjen e kalciumit nga aparati tretës.
- Pengon shkarkimin e kalciumit nga veshkat.
Kalsitonina prodhohet nga gjëndra tiroide dhe ka këto efekte:
- Pengon aktivizimin e vitaminës D, me pasoje uljen e përthithjes së kalciumit nga aparati tretës.
- Rrit shkarkimin e kalciumit nga veshkat.
Vitamina D vepron si një hormon në organizëm dhe është e domosdoshme për përthithjen e kalciumit. Këtë vitaminë mund ta marrim nga ushqimi por gjithashtu, e sintetizojmë në lëkurën tonë nëpërmjet aktivizimit që shkaktojnë rrezet e diellit në të. Por, që vitamina D të kryejë punën e saj në trupin tonë, duhet që të aktivizohet. Ky aktivizim ndodh në veshka dhe mëlçi. Dhe është forma e saj aktive që ndihmon absorbimin e kalciumit nga aparati tretës, si dhe depozitimin e saj në kocka.
Kujdes, kjo vitaminë që të përthithet, ka nevojë praninë e yndyrave në vakt si p.sh., vajin e ullirit.
Burime të mira të kalciumit janë
- Qumështi, kosi, djathi
- Brokoli, lulelakra
- Pazitë, lakrat jeshile
- Fiqtë
- Bajamet
- Portokalli
- Sardelet dhe acuget (bashkë me hala)
- Salmoni
- Bamjet
- Fasulet e bardha
- Farat e sausamit
- Borziloku, majdanozi
Mbani mend
Masa kockore ndërtohet deri në moshën 25-30 vjeç. Më pas ajo fillon dhe humb. Është domosdoshmëri ngadalësimi i humbjes së saj. Kjo mund të arrihet me ushqim të pasur në kalcium, që do të thotë minimumi 1200mg/ditë, dhe me aktivitet fizik sistematik.
Faktorët që ndikojnë në përthithjen optimale të kalciumit
- Vitamina D ndihmon përthithjen e tij
- Hekuri e pengon absorbimin e kalciumit, për këtë arsye nuk duhet të kombinojmë shpesh mishin e kuq apo thjerrëzat, me bulmet.
- Fibrat bimore dhe oksalatet qe permbahen te bimet luajne rol pengues per perthithjen e kalciumit.
- Drithërat e plotë përmbajnë në lëvoren e tyre fitate, që lidhen me kalciumin duke e bërë atë të padisponueshëm.
- Kafja dhe alkooli rrisin shkarkimin e kalciumit nga kockat.
- Duhanpirja ndikon negativisht në qelizat thelbësore për rigjenerimin e kockave.
- Rënia drastike në peshë ndikon në humbje të masës kockore.
Për mirëmbajtjen e kockave nevojitet një dietë e balancuar. Dietat me përmbajtje të larte të proteinave shtazore ndikojnë negativisht në shëndetin e kockave pasi nxisin shkarkimin e kalciumit nga veshkat. Nga ana tjetër, dietat vegane, të varfra në proteina, mund të shkaktojnë ulje të albuminës dhe si rrjedhojë transporti I kalciumit çalon.
Si mund të marrim 1200mg kalcium në ditë nëpërmjet ushqimit
- 1 gotë qumësht + 1 kupë kos + 30gr djathë të bardhë + 1 sallatë me spinaq ≈ 1200mg kalcium. /Shendeti.com.al


