Vaji i Ullirit, “Nektar i Perëndisë”

Nga Blerina Bombaj, dietologe

Ullinjtë apo vaji i tyre

Ullinjtë në krahasim me vajin e ullirit kanë natyrisht më pak kalori për të njëjtën sasi, dhe përmbajnë fibrat bimore të cilat nuk gjenden te vaji. 1 kupë ullinj ka 150kalori, 24% hekur, 17% fibra. Vaji nuk i ka këto dhe vetëm 1 lugë ka kaq kalori. Por vaji është koncentrat vitamine E dhe antioksiduesish tepër të fuqishëm.

Ruajtja e ullinjve

Në ujë me kripë ose në vaj ulliri, në enë pa ajër ose në frigorifer.

Cili është lloji më i mirë i ullinjve për të ngrënë dhe cili për të bërë vaj?

Ullinjtë më të mirë për të ngrënë janë ata të kallamatës, ullinjtë e zinj. Ngjyra e zezë tregon edhe përmbajtje të larte antioksiduesish. Ullinjtë për vaj janë më të mirë ata jeshil, jo te pjekur shumë.

Vaj Ulliri Ekstra i Virgjër

Pikërisht aciditeti është një nga kriteret e përcaktimit të vajit ekstra i virgjër. Kriteri tjetër eshtë temperatura e përpunimit. Vaji ekstra duhet të jetë i përpunuar në të ftohtë, në mënyrë mekanike dhe pa solvente kimike. Kjo është cilësia e parë e vajit te ullirit, kur aciditeti është më pak se 0,8%. Cilësia e dytë është vaji thjesht “vergine” dhe me pas vaji puro.

Çfarë duhet të ketë parasysh një person në mënyrë që të blejë një vaj ulliri të mirë?

Natyrisht që duhet të shikojë etiketën dhe mënyrën e ambalazhimit. Etiketa duhet të ketë të dhëna për llojin (ekstra i virgjër, i virgjër etj), origjinën, aciditetin dhe skadencën. Ambalazhimi duhet të jetë në enë qelqi me ngjyrë të errët, në mënyrë që të mos depërtojë drita ose në enë teneqeje. Vaji i ambalazhuar në shishe plastike nuk mundet kurrsesi të jetë i cilësisë së parë. Përveç ambalazhit që e ruan nga ajri dhe nga drita, vaji ekstra duhet të vendoset në rafte ku nuk ekspozohen në dritë direkte dhe të fortë. Drita e oksidon vajin e ullirit dhe ai e humb cilësinë e tij.

Sa e ka jetëgjatësinë vaji i ullirit që prodhohet sot dhe sa e ka pasi ai hapet? Si duhet ruajtur në shtëpi?

Vaji ekstra ka jetëgjatësi deri në 1 vit, maksimumi 18 muaj. Pasi hapet, e mira e te mirave është të mos zgjasë më shumë se 90 ditë. Maksimumi është 9 muaj.

Çfarë rëndësie ka aroma e vajit për cilësinë e tij?

Aroma është një nga treguesit kryesorë të cilësisë së vajit dhe të vlerave të tij. Aroma duhet të jetë patjetër e fortë dhe impresionante. Ngjyra ndërkohë është një tregues i veçorive të vajit. Ngjyra e verdhë tregon përmbajtje karotenoidesh dhe aromë frutash. Ngjyra jeshile tregon përmbajtje klorofili dhe antioksiduesish, si dhe shije të hidhur. Sa më e fortë shija, aq më të shumta benefitet për shëndetin.

Vaji i ullirit dhe shëndeti i zemrës

Rekomandohen 2 lugë të mëdha në ditë vaj ulliri për të pasur efekt në uljen e LDL-ës, (kolesterolit të keq).

Çfarë vlerash të tjera ka për shëndetin? A duhet konsumuar vaji pa teklifë?

Përveç dilatacionit të arterieve dhe përmirësimit të HDL-ës (kolesterolit të mirë), vaji i ullirit ka edhe veti anti-inflamatore të ngjashme me ibuprofenin. Kjo u zbulua pas vënies re se konsumi i vajit ekstra provokonte të njëjtën ndjesi djegieje në fyt si aspirina. Efekti anti-inflamator i vajit të ullirit është shumë i rëndësishëm për mjekësinë pasi pas inflamacionit fshihen një sërë sëmundjesh, si të zemrës deri te tumoret.

Vaji i ullirit duket se ka një efekt pozitiv edhe mbi prodhimin e insulinës.

Këshillat më të rëndësishme:

  • Nga të gjitha llojet e vajit të ullirit që qarkullojnë në treg, zgjidhni vaj ulliri ekstra të virgjër, mundësisht të certifikuar.
  • Zëvendësoni pjesën më të madhe të yndyrës që përdorni me vaj ulliri ekstra, por kujdes me sasinë se është shume kalorik!
  • Mbani mend: një vaj ulliri që tregtohet në shishe plastike dhe në ambiente me dritë nuk është kurrë vaj ulliri ekstra i virgjër.

Për të provuar vajin e ullirit, jepini rëndësi:

  1.  Aromës, e cila duhet të jetë e fortë dhe e freskët,
  2.  Duke mbajtur një gllënjkë në gojë pa e gëlltitur shëtiteni në të gjithë sipërfaqen e gjuhës dhe prisni një ndjesi hidhësire të lehtë dhe pak djegie në fyt. Këto dy ndjesi tregojnë se vaji është ekstra i virgjër.

Vaji ekstra i virgjër ka kosto më të lartë dhe për këtë arsye ka dhe çmim më të lartë.
Në Shqipëri ka 180 punishte që prodhojnë vaj por vetëm pak prej tyre janë të certifikuara për vaj ekstra të virgjër dhe bio. Prandaj bëni kujdes, mos e blini sapunin për djathë!/ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

3 rregulla të thjeshta për të humbur peshë shpejt
Shqipëria, drejt “superplakjes” raporti: Nevoja për shërbime të kujdesit afatgjatë në rritje
8 mënyra të thjeshta për të shmangur sëmundjet
Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë