Bisedoi: Aishe Thartori
Ajo është një ndër ata gra të cilat rrezatojnë mirësi, një mirësi që është lehtësisht e perceptueshme prej kujtdo që jeta e ka shpjerë ta njohë atë. Është një grua inteligjente dhe si profesion jete ka zgjedhur një profesion disi të pazakontë për femrat: të jetojë mes “shifrave, bilanceve dhe statistikave”. Rreth tyre është vërtitur e gjithë trajektorja e jetës së saj.
Milva Ekonomi është një ndër shumë gra të zonja të vendit tonë e cila jo me pak mund dhe sakrificë ka arritur të bëjë përpara në jetë. Mishërimi i shprehjes, sa më e zgjuar të jetë, një grua aq më e thjeshtë është në raport me të tjerët, duket sikur të jetë krijuar enkas për të. Tejet modeste, ajo nuk preferon të “krekoset” shumë për arritjet, por puna që ka lënë pas, është pasqyra më e mirë për Milvën.
E gjejmë në zyrën e saj më të re atë që ndodhet në katin e dytë të Ministrisë së Shëndetësisë. Edhe pse orari zyrtar ka kaluar, ajo vazhdon ende të qëndrojë ngujuar përpara kompjuterit dhe dokumenteve të shumta mbi tryezë. Menjëherë sapo të sheh, nuk kursen buzëqeshjen dhe as përqafimin e ngrohtë.
Formimi dhe eksperiencat e kaluara
Milva është diplomuar për Ekonomi Agrare në vitin 1984, orientimi i saj ka qenë pikërisht në fushën e ekonomisë dhe të statistikës duke pasuar me specializime dhe mastera të shumtë po në këtë fushë, si: master në administrim Biznesi në UT, formime të avancuara në fushën e statistikave ekonomike dhe sociale, menaxhim në Byronë e Statistikave të Punës në SHBA, Erostat në Luksenburg si dhe Isat në Itali. Fakulteti i Ekonomisë renditej i pari nga drejtimet që dëshironte të merrte në jetë dhe duket se Milva ka ditur të bëjë realitet ëndrrën e saj. Teksa e shikon, të rrëfehet për eksperiencat në jetë nuk mund të mos vëresh grintën dhe përkushtimin që ka vënë në çdo angazhim të sajin. Përreth një dekade, e kemi parë në rolin e drejtoreshës në Institutin e Statistikave (INSTAT) ku arriti të ngrinte një institucion i cili më parë ka qenë pothuajse inekzistent. Puna e bërë ishte marramendëse dhe sot falë saj institucioni i statistikave është i denjë për t’u quajtur i tillë së bashku me indikatorët që e plotësojnë atë.
Pas shkëputjes nga Institucioni i Statistikave angazhimi i radhës e shpie Milvën në Kosovë, duke sfiduar tanimë veten edhe në tregun ndërkombëtar. Ajo u përfshi në Agjencinë Evropiane për Rindërtim (EAR) në Kosovë, në projektin mbi Mbështetjen në Sistemin Statistikor dhe përgatitjen e Rregjistrimit të Popullsisë në Kosovë duke e vijuar më pas kontributin e saj si këshilltare në fushën e statistikave në kooperacionin Suedez në Kosovë (EU.SIDA) duke punuar për hartimin e legjislacionit statistikor dhe ndërtimin e Programit Zyrtar të Statistikave Kombëtare të këtij vendi.
“Kam punuar në Kosovë në fusha shumë të përcaktuara ekspertize si monitorim, vlerësim të programeve statistikore, indekset e çmimeve, anketat e buxhetit të familjes, regjistrimi i popullsisë”, rrëfen ajo.
Angazhimi në shoqërinë civile
Në të njëjtën kohë Milva ka qenë dhe është një zë i fuqishëm në shoqërinë civile. Zëri i saj është dëgjuar kurdoherë që kanë pasur çështje që kanë prekur drejtpërsëdrejti rininë dhe femrën shqiptare. Shpeshherë ajo ka dalë në mbrojtje të sloganeve si “Ndal dhunës ndaj Gruas”, “Më shumë para për Arsimin Rinor” për të vijuar me angazhime të tjera në fushën e përgjegjshmërisë sociale etj. Gjithashtu jo pak herë ka qenë aktive edhe në media nëpërmjet një sërë shkrimesh dhe opinionesh në fushën e statistikës, zhvillimit ekonomiko-social si dhe në fushën e barazisë gjinore.
Propozimi në Shëndetësi
Aktualisht Milva ndodhet nën petkun e zv.ministres së Shëndetësisë dhe kjo është sfida më e re që ka ndërmarrë në fushën e saj profesionale. Ndryshe nga të tjerë që i mendojnë dy herë vendimet për të ndërmarrë sfida të tilla, ajo e sheh si diçka emocionuese por edhe që kërkon shumë impenjim .
“Propozimi për të qenë pjesë e shëndetësisë erdhi nga vetë ministri, i cili po përgatiste stafin që do të menaxhonte shëndetësinë. Kur pa boshllëkun që ekzistonte në shëndetësi, më bëri propozimin për të punuar pranë tij. E pashë si diçka shumë sfiduese dhe pranova menjëherë me idenë për të ndërtuar diçka. Kur isha në INSTAT, Shqipëria mori pjesë në si vend pilot i MDG-ve lokale. U punua për të ndërtuar objektivat për 12 prefekturat tona. Një pjesë të objektivave e zinte shëndeti. Kështu që indikatorët e shëndetit nuk janë të panjohur për mua, vetë demografia dhe shëndetësia janë indikatorë që rriten dhe zhvillohen së bashku. Ndaj dhe kur m’u bë propozimi për të qenë pjesë e ekipit të shëndetësisë, reflektimi i parë ishte “çfarë mund të bëj?” Kur lexova dhe kuptova gjendjen, kuptova që ka nevojë për një menaxhim statistikor në shëndetësi. Nëpërmjet ndërtimit të asaj që quhet “Health Management Sistem”, ti bën një bilanc të gjendjes, bën një matje të fluksit sesi lëvizin pacientët, sheh ku ke sëmundshmërinë më të madhe të vendit, si është sjellja e popullsisë ndaj disa elementëve të caktuar, pra kërkon të gjesh një optimum për të organizuar burimet me nevojat që ti ke.
“Një tjetër gjë e rëndësishme është edhe rritja e kërkesës shëndetësore duke para sesa të sëmurë i ke njerëzit, duke parandaluar dhe diagnostikuar sa më herët në mënyrë që të “kursesh” nga kjo gjë. Duhen menduar mirë protokollet dhe duhet bashkëpunuar mirë me institutet udhëheqëse në botë përsa i takon përshembull sëmundjeve tumorale. Nuk është një nismë e lehtë, do të thosha që është shumë e vështirë, madje shumë vende të botës e kanë filluar relativisht vonë dhe e kanë ndërtuar pjesë-pjesë”, rrëfen ajo me shumë pasion, ndërsa për të dhënë pak më shumë mbi veten, thotë: “Për mua, këtu qëndron e gjithë sfida: në gjetjen e asaj pjese që duhet ndërtuar e para. Ka disa gjëra të filluara në Shqipëri, por akoma nuk janë bërë të qëndrueshme”. Dhe Milva ka vendosur t’i bëjë të tilla.



