Dr. Alma Hoxhaj, mjeke infeksioniste
Me ardhjen e stinës së dimrit, në qarkullim kemi dhe shumë viroza të cilat janë kryesisht të rrugëve të sipërme respiratore. Sëmundja më e rëndësishme për këtë sezon është Gripi.
Gripi stinor është një infeksion akut viral respirator (sëmundje) i shkaktuar nga viruset e gripit stinor. Çdo vit gripi stinor përhapet nga viruse të ndryshme të tij dhe mund të prek të gjithë njerëzit në bazë të aftësisë së trupit të tyre për të luftuar infeksionin.
Ekzistojnë disa lloje virusesh që shkaktojnë gripin, si tipi A, B e C. Llojet e viruseve A e B janë shkaktarët më të shpeshtë të gripit.
Si përhapet gripi?
Gripi stinor është një infeksion akut viral shumë ngjitës. Gripi stinor transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri nëpërmjet kollitjes, teshtimave ose indirekt nga dhënia e dorës një personi të infektuar apo prekja e objekteve të ndotura me virusin e gripit stinor, dhe më pas ata prekin sytë, gojën apo hundën. Viruset përhapen në ajër dhe nëpërmjet grimcave të ajrit kalojnë në grykë e hundë, shtohen dhe mbas 1-4 ditë japin shenjat e gripit stinor.
Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?
Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët,1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shenjave të gripit. Por, veçanërisht te fëmijët apo personat me imunitet të ulur, periudha infektuese mund të jetë pak më e gjatë.
Kush rrezikon prekjen nga gripi stinor?
Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit stinor dhe ta përhapë atë tek të tjerët.
Por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit stinor ose të bëjnë komplikacione nga gripi.
Në rrezik më të madh janë:
- Fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, sidomos deri në 2 vjeç.
- Njerëzit 65 vjeç e sipër.
- Gratë shtatzëna.
- Njerëzit me sëmundje kronike si: astma, diabeti, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive, sëmundjet e veshkave, sëmundjet e mëlçisë, sëmundjet e gjakut, sëmundjet me ulje të sistemit imunitar si HIV/AIDS, kancer etj. Kushte neurologjike, si epilepsia, distrofia muskulare, vonesa të rënda të zhvillimit, etj. Njerëzit obezë. Të rinj nën 19 vjeç që kanë përdorur gjatë aspirinën.
Shenjat e zakonshme të gripit stinor janë:
Karakteristike e klinikës së gripit është se fillimi është i menjëhershëm, aq sa i sëmuri mban mend dhe orën e fillimit.
Shenja të tjera janë:
- Temperaturë e lartë
- Kollë
- Dhimbje fyti
- Dhimbje muskulare të artikulacioneve
- Dhimbje koke
- Dobësi e theksuar
- Skuqje sysh e lotim
- Rrjedhje të hundëve
- Mund të shoqërohet edhe me dhimbje barku të përziera, të vjella e diarre.
Në të gjitha rastet duhet t’i drejtoheni mjekut të familjes ose infeksionistit.
Duhet të dini se sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë, ”POR” drejtohuni menjëherë tek mjeku infeksionist nëse:
Fëmijët shfaqin:
- Frymëmarrje e shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen.
- Ndryshim të ngjyrës së lëkurës.
- Nuk konsumon lëngje të mjaftueshme.
- Nuk ka gjallëri ose nuk bashkëvepron.
- Bëhet nervoz aq sa nuk dëshiron të mbahet në krah.
- Rikthim të shenjave të gripit, me ethe dhe kollë të keqe.
- Ethe me një skuqje të lëkurës.
- Fortësi e ngurtësim i qafës.
Të rriturit shfaqin:
- Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim.
- Dhimbje apo presion në gjoks apo bark.
- Ankon marramendje.
- Konfuzion mendor.
- Të vjella të menjëhershme ose të vazhdueshme.
Çfarë mund të bëni për të parandaluar veten nga virusi i gripit stinor?
Për parandalimin nga gripi me efikasi është vaksinimi, marrja e vitaminës D, përdorimi i lëngjeve, veprimet e përditshme parandaluese dhe përdorimin e saktë të barnave antivirale nëse mjeku i rekomandon.
Mënyra më e mirë e parandalimit të gripit është vaksinimi me vaksinën anti-grip.
Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në mos përhapjen e gripit.
Vaksinimi duhet të bëhet çdo vit pasi ka shumë lloje virusesh dhe çdo vit dalin vaksina të reja që mbrojnë nga nënlloje të reja të virusit. Vaksina përmban dy nënlloje të virusit A dhe virusit B të gripit.
Vaksinimi kundër gripit bëhet në muajt tetor–dhjetor.
Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë e arrin mbrojtjen pas1 muaji dhe mbas marrjes mbrojtja vazhdon rreth një vit.
Injeksioni i vaksinës kryhet në pjesën e sipërme muskulare të krahut.
Tek njerzit që vaksinohen për herë të parë rekomandohen 2 doza me diferencë një muaj dhe vitet e tjera një dozë.
Vaksina kundër virusit të gripit i rekomandohet të gjithëve, sidomos:
- Fëmijëve mbi 6 muaj.
- Personave mbi 50 vjeç.
- Personave të grupit që kanë rrezik më të madh për të marrë virusin e gripit.
- Personelit shëndetësor.
- Grave shtatzëna.
- Personave që jetojnë në kolektiv apo spitale kronike.
- Personat kujdestarë për të tjerë si edukatoret e çerdheve, kopshteve, kujdestarët e moshave të treta etj.
Vaksina kundër virusit të gripit NUK i rekomandohet :
- Personave që kanë alergji nga veza.
- Gjendje akute me temperature.
- Sindroma Guillain–Barre.
- Personat që kanë patur reaksion të mëparshëm.
- Fëmijët nën 6 muaj (kanë antitrupat e fituara nga nëna).
Kohët e fundit rekomandohet edhe tek personat që kanë alergji nga veza apo vaksina, sigurisht nën kujdesin e mjekut infeksionist ose alergolog pranë qendrave spitalore.
A jep vaksina efekte të padëshirueshme?
Vaksina zakonisht nuk jep efekte të padëshirueshme, edhe nëse shfaqen, ato janë me efekte lokale në vendin e injeksionit, që zgjasin 1-2 ditë, si skuqje apo dhimbje.
Shumë rrallë kemi reaksione alergjike nga vaksina e gripit.
Veprimet e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit stinor:
- Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me shami.
- Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni solucione duarsh me alkool.
- Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës.
- Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë.
- Ushqehuni shëndetshëm.
- Bëni aktivitet fizik.
- Bëni gjumë të mjaftueshëm.
- Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni.
Mjekimi
Zakonisht mjekimi i gripit është simptomatik, sipas klinikës.
Ilaçet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues por mjekues. Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes.
Kujdes!
Antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut. Konsultohuni me mjekun infeksionist për mjekimin me medikamentet kundër gripit
Këshilla
- Qëndroni në shtëpi (veç nga të tjerët).
- Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë.
- Mbuloni gojën dhe hundën me shami kur kolliteni apo teshtini.
- Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtime.
- Informoni familjarët dhe miqtë për sëmundjen tuaj.
- Evitoni kontaktet me njerëzit.
- Pastroni dhe dezinfektoni mjediset e banesës.
- Ajrosni sa me shpesh ambientin./ Shendeti.com.al


