Përshtati në shqip: Blertina Koka
Kaliumi është një mineral që ndihmon në funksionimin si duhet të qelizave. Nervat dhe muskujt – përfshirë edhe zemra- mund të mos funksionojnë siç duhet nëse nuk merrni mjaftueshëm kalium.
Ja përse trupi jonë ka nevojë për kalium:
Ndihmon me osteoporozën
Me kalimin e moshës, kockat fillojnë të dobësohen. Ushqimet e pasura në kalium, sidomos frutat dhe perimet – e ngadalësojnë këtë proces, duke parandaluar kështu zhvillimin e osteoporozës.
Parandalon formimin e gurëve në veshka
Gurët në veshka janë masa të forta kristalinash me forma dhe përmasa të ndryshme që formohen brenda sipërfaqes së veshkave. Ato zakonisht janë të përbëra nga kalciumi, fosfati dhe acidi urik. Prandaj, duke konsumuar një dietë të lartë në mish, që shkakton formimin e acidit në trup, jeni më të rrezikuar që të zhvilloni gurë në veshka. Kaliumi, nga ana tjetër, ndihmojnë në eliminimin e acidit dhe mbajtjen e mineraleve aty ku duhet (te kockat) duke parandaluar kështu zhvillimin e këtyre gurëve të dhimbshme).
Ndihmon në funksionimin e muskujve
Çdo njeri ka nevojë për dozën e duhur të kaliumit brenda qelizave dhe sodiumit jashtë tyre që muskujt të funksionojnë siç duhet. Më pak ose më shumë i bën muskujt më të dobët.
Parandalon rritjen e tensionit të gjakut
Kjo ndodh kur gjaku ushtron shumë presion në muret e venave dhe arterieve. Rritja e tensionit të gjakut mund të çojë në zhvillimin e goditjes në tru, sëmundjeve të zemrës e deri në mosfunksionim të këtij organi jetik.
Quhet shpesh “vrasësi i heshtur” sepse rrallë shfaq simptoma. Sodiumi në kripë e përkeqëson edhe më shumë gjendjen, ndërsa kaliumi ndihmon në eliminimin e sodiumit dhe lehtëson tensionin në muret e enëve të gjakut.
Parandalon goditjen në tru
Goditja në tru ndodh kur ka mungesë të rrjedhjes së gjakut në një pjesë të trurit për shkak të bllokimit të një ene të gjakut. Tensioni i lartë i gjakut mund të bëhet shkak i zhvillimit të kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse, prandaj jeni më pak të rrezikuar të pësoni një goditje nëse mbani nën kontroll tensionin e gjakut duke marrë sasinë e duhur të kaliumit. Disa nga simptomat e para të goditjes në tru janë probleme me të folurin, dobësi të krahëve ose paralizë të njërës anë të fytyrës. Nëse keni një nga këto shenja, kërkoni ndihmë mjekësore të menjëhershme.
Dozat e duhura të kaliumit?
Nëse jeni mbi 14 vjeç, duhet të merrni rreth 4700 miligramë kalium në ditë. Nënat që po ushqejnë fëmijën me gji duhet të marrin 5100 miligramë.
Për fëmijët:
- 0 deri 6 muajsh: 400 miligramë
- 7 deri 12 muajsh: 700 miligramë
- 1 deri në 3 vjeç: 3000 miligramë
- 4 deri në 8 vjeç: 3800 miligramë
- 9-13 vjeç: 4500 miligramë
Burimi: WebMD / Shendeti.com.al

