Blertina Koka
Mëlçia e dhjamosur është grumbullimi i yndyrave në qelizat e mëlçisë. Abuzimi me alkoolin çon në grumbullimin e shumtë të yndyrave brenda qelizave të mëlçisë, duke vështirësuar funksionimin e këtij organi jetik. Por, mund të prekeni nga sëmundja e dhjamosjes së mëlçisë edhe nëse nuk keni pirë shumë alkool.
Dhjamosja e mëlçisë nga alkooli
Abuzimi me alkoolin mund të çojë në shfaqen e kësaj sëmundjeje. Fillimisht kjo sëmundje nuk shfaq simptoma, por, me zmadhimin e mëlçisë, pacientët fillojnë të ndiejnë dhimbje dhe parehati në anën e djathtë të sipërme të abdomenit. Kjo sëmundje mund të parandalohet dhe përmirësohet nëse hiqni dorë nga alkooli. Nëse vazhdoni të pini, ajo mund të shkaktojë probleme serioze, si:
Hepatit alkoolik – mund të shkaktojë ethe, të përziera, të vjella, dhimbje barkut dhe verdhëz (zverdhje të lëkurës dhe syve).
Cirroza alkoolike – është faza e fundit e dëmtimit të mëlçisë nga përdorimi i alkoolit. Karakterizohet nga dëmtimi i rëndë i qelizave të mëlçisë dhe deformimi i strukturës së saj. Më shumë se 20% e përdoruesve të alkoolit përfundojnë në cirrozë alkoolike të mëlçisë. Mund të shkaktojë të njëjtat simptoma si hepatiti alkoolik plus:
- Tension i lartë i gjakut në mëlçi
- Hemorragji
- Mungesë përqendrimi dhe ndryshime në sjellje
- Zgjerim të shpretkës
Fillimisht shkaktohet dhjamosja e mëlçisë, pastaj mund të përkeqësohet dhe kalon në hepatit alkoolik, ndërsa faza e fundit është cirroza alkoolike.
Sëmundja e dhjamosjes së mëlçisë jo nga alkooli
Ashtu siç emërtohet, shkaku i kësaj sëmundjeje nuk është alkooli. Ka disa lloje të ndryshme të kësaj sëmundjeje.
Dhjamosje e lehtë e mëlçisë, do të thotë që janë grumbulluar yndyra në mëlçi, megjithatë mund të mos keni asnjë inflamacion apo dëmtim në qelizat e mëlçisë. Zakonisht kjo gjendje nuk përkeqësohet dhe nuk shkakton probleme me mëlçinë.
Steatohepatiti joalkolik, i njohur si NASH, është një tjetër formë më e rëndë se dhjamosja e lehtë e mëlçisë. NASH tregon për inflamacion të mëlçisë dhe dëmtim të qelizave. Këto dëmtime mund të çojnë në probleme me serioze, si:
Fibrozë: dëmtim të mëlçisë
Cirrozë: dëmtim të rëndë dhe insuficiencë të mëlçisë
Kancer të mëlçisë
Shkaqet
Për rastin e parë, shkaku është alkooli. Gjithashtu jeni më të rrezikuar nga kjo sëmundje nëse pini shumë alkool dhe:
- Jeni obezë
- Ushqeheni keq
- Vuani nga hepatiti kronik, sidomos hepatiti C
Ndërsa dhjamosja e mëlçisë jo nga alkooli shkaktohet nëse:
- Jeni mbipeshë ose obezë
- Trupi nuk reagon siç duhet ndaj insulinës
- Keni nivele të larta të triglicerideve ose koelsterolit të “keq” (LDL), dhe nivele të ulëta të kolesterolit të “mirë” (HDL)
- Vuani nga diabeti i tipit 2
- Vuani nga sindroma metabolike
Me sindromën metabolike mund të keni një nga këto gjendje:
- Indeks të madh trupor
- Trigliceride të larta
- Nivele të ulëta të kolesterolit të mirë (HDL)
- Tension të lartë të gjakut
- Nivele të larta të sheqerit në gjak
Ka disa arsye të tjera përse njerëzit zhvillojnë dhjamosje të mëlçisë, si:
- Sëmundje të tjera që ndikojnë në mënyrën si trupi përdor yndyrat
- Hepatiti C ose infeksione të tjera
- Rënia e shpejtë nga pesha
- Përdorimi i disa ilaçeve të caktuara
- Heqja e gurëve nga tëmthi
Burimi: WebMD / Shendeti.com.al


