Në vendin tonë e kanë bërë vaksinën antiCOVID rreth 500 persona. Rasti i dr. Piperos ishte i pari që u infektua edhe pse e kishte bërë vaksinën. I pyetur nga gazeta “Shëndet +” pse mund të ketë ndodhur infektimi, mjeku infeksionist Petrit Gjorgji shprehet:
Po, mund të infektohesh edhe nëse ke bërë vaksinën antiCOVID dhe kjo ndodh për dy arsye:
E para, pasi aplikohet vaksina në trup i duhet 10 ditë deri në dy javë që të krijojë imunitet. Nëse vaksina është me virus të dobësuar, (të theksojmë që po prodhohen disa modele vaksinash), mund të ndodhë riinfektimi me virusin sepse pëson mutacion virusi i dobësuar i vaksinës. Kjo vaksinë që u bë mund të mos ketë funksionuar sa duhet, pavarësisht nga ishte origjina.
Nuk përjashtohet mundësia që të ketë defekt në sistemin imun të trupit të njeriut, kjo ndodh në raste të rralla. Ashtu si në rastin e Dr. Piperos që nuk mund të këtë krijuar imunintetin brenda dy javësh.
E dyta, ndodh sepse vetë virusi pëson mutacion, siç po ndodh dhe në Angli tani dhe kjo vaksinë që bëhet nuk është e përshtatshme për virusin me mutacion. Prandaj vaksinat janë akoma në fazë pothuaj eksperimentale sepse vetë virusi po pëson mutacion.
Unë e kam bërë vaksinën, kisha pak efekte anësore. Por, unë e bëra pas shërbimit 24 orësh në spital dhe ndjeva këputje dhe pak dhimbje pas 7-8 orësh (dhimbje e krahu ose dhimbje locale). Nuk pata efekte të tjera anësore.
Unë si mjek infeksionist e këshilloj që të bëhet vaksina, sepse ndoshta nuk e ka 100% imunitetin por të paktën edhe sikur 50% të jetë efektshmëria është shumë mirë./Desara Çela

