INTERVISTA/ Flet mjekja gastro-hepatologe, Albana Duni
Cirroza alkoolike e mëlçisë, si shmangen ndërlikimet
Alkooli ndikon në shfaqjen e mjaft sëmundjeve serioze, një prej të cilave cirroza alkoolike e mëlçisë. Mjekët shpjegojnë se metabolizmi i këtij produkti në mëlçi dhe sasia e tepërt e tij çon në shfaqjen e sëmundjeve akute dhe kronike të këtij organi.
Në një intervistë për “Panorama”, mjekja gastro-hepatologe Albana Duni, shpjegon si shfaqet dhe çfarë pasojash sjell në organizëm cirroza alkoolike e mëlçisë:
Çfarë funksioni luan mëlçia në organizmin e njeriut?
Mëlçia, duke vepruar si fabrika me e madhe kimike e organizmit tonë, ka shumë funksione të cilat përfshijnë: prodhimin e faktorëve të gjakut, proteinave, tëmthit, dhe të më shumë se 100 enzimave të ndryshme. Po ashtu ndikon në metabolizmin e kolesterolit, depozitimin e glukogjenit si burim energjie, mbajtjen normale të përqendrimit të sheqerit në gjak. Por dhe në rregullimin e hormoneve të ndryshme dhe detoksifikimin e medikamenteve dhe helmeve duke përfshirë alkoolin.
Alkooli konsiderohet “armiku“ kryesor i mëlçisë. Si ndikon konkretisht alkooli në dëmtimin e këtij organi?
Alkooli dëmton shumë organe, por në mënyrë të veçantë dëmton sistemin nervor qendror dhe mëlçinë. Alkooli metabolizohet në mëlçi dhe sasia e tepërt e tij çon në sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë. Abuzimi me alkoolin çon në tre patologji të sëmundjeve të mëlçisë, të cilat në klinikën praktike mund të shfaqen së bashku në të njëjtën kohë, në të njëjtin pacient.
Patologjia e parë është steatoza (dhjamosja e mëlçisë), e cila çon në akumulimin e yndyrës në qelizat e mëlçisë. Kjo gjendje është e rikthyeshme në qoftë se pacienti ndërpret alkoolin. Megjithatë dhjamosja e mëlçisë mund të çojë në steatohepatit, që është dhjamosje e mëlçisë e shoqëruar me inflamacion. Kjo gjendje mund të çojë në dëmtime të mëlçisë dhe cirrozë.
Patologji tjetër që mund të shfaqet është hepatiti. Alkooli mund të shkaktojë hepatit akut ose kronik. Hepatiti alkoolik mund të ndryshojë nga një formë e butë e hepatitit me teste anomale laboratorike, në një formë të ashpër më ndërlikime, si ikter (zverdhje e lëkurës shkaktuar nga mbajtja e bilirubinës), me encefalopati hepatike (disfunksion neurologjik shkaktuar nga pamjaftueshmëria e mëlçisë), ascit (grumbullimi i ujit në bark), hemorragji nga variçet e ezofagut. Patologji tjetër që shfaqet është cirroza, që karakterizohet anatomikisht nga përhapja në mëlçi e nodujve të rigjenerimit të kombinuar me fibrozë. Këto dëmtime përfshijnë të gjithë mëlçinë dhe shkaktojnë çrregullim të madh të qarkullimit intrahepatik të gjakut. Mëlçia cirrotike ka një sipërfaqe të nodozuar dhe konsistencë të fortë e margo të mprehtë. Madhësia e mëlçisë ndryshon nga një i sëmurë te tjetri. Kjo do të thotë që një mëlçi cirrotike mund të jetë e zmadhuar,
(hipertrofike) ose e zvogëluar (atrofike). Ekziston edhe forma mikse, ku atrofia e një lobi të mëlçisë kombinohet me hipertrofinë e një lobi tjetër. Në varësi nga noduset që formohen, cirroza klasifikohet në mikro dhe makronodulare.
Si shfaqet cirroza?
Cirroza mund të zhvillohet pa precedentët e steatozës ose të hepatit alkoolik. Cirroza alkoolike është forma finale e parikthyeshme e sëmundjes hepatike gjatë efekteve kronike, toksike dhe inflamatore të etanolit në mëlçi. Në cirrozë qelizat e mëlçisë zhvendosen nga indi fibroz. Fibroza gjithashtu çon në zhvillimin e hipertensionit portal dhe hipertensioni portal çon në formimin e variçeve të ezofagut, stomakut, zorrës etj. Stimulimi i fibrozës, i induktuar nga alkooli është multifaktorial.
Sa ndikon alkooli në shfaqjen e cirrozës?
Zhvillimi i cirrozës është direkt i lidhur me zgjatjen dhe sasinë e konsumimit të alkoolit. Cirroza alkoolike zhvillohet tek një burrë i cili konsumon mbi 300 gram alkool në ditë për 10-15 vjet dhe tek një grua, e cila konsumon 200 gram alkool në ditë për 10-15 vjet. Nga statistikat është parë se nga 26000 njerëz që vdesin çdo vit nga cirroza të paktën 40% e tyre kanë histori të abuzimit me alkoolin. Rol në zhvillimin e cirrozës alkoolike kanë dhe faktorët gjenetikë.
Çfarë pasojash sjell cirroza alkoolike?
Cirroza alkoolike sjell një sërë pasojash serioze për jetën e pacientit. Kështu së pari sjell pamjaftueshmërinë e qelizave të mëlçisë duke çuar në pakësimin e funksioneve që kryen kjo qelizë.
Po ashtu ndikon në shfaqjen e hipertensionit portal që është rritja e presionit në venën porta pasojë e së cilës është shfaqja e variçeve të ezofagut, stomakut dhe gastropatisë hipertensive.
Përvec këtyre sjell çrregullime hemodinamike me takikardi dhe hipotension arterial, asit (grumbullimi i ujit në bark) që vjen si pasojë e hipertensionit arterial, hemoragji digjestive që mund të vijë nga çarja e variçeve të ezofagut dhe nga ulçera gastrike ose duodenale. Po ashtu mund të sjellë encefalopati hepatike që karakterizohet nga stade të ndryshme të çrregullimeve neurologjike. Stadi i parë paraqitet me turbullime të ambientimit dhe me flapping tremor që karakterizohet me lëvizje, mbledhje, shtrirje dhe shtrëngimi të dorës. Në stadin e dytë, më i shprehur është konfuzioni dhe në stadin e tretë i sëmuri mund të bie në koma. Po ashtu në rastet e cirrozës alkoolike mund të shfaqen shpesh infeksionet bakterore, pasi janë dëmtuar mekanizmat mbrojtës antibakteriale. Po ashtu mund të shfaqet hiperglicemi e moderuar për shkak të rezistencës insulinike periferike.
Përveç pasojave që përmendëm më lart mund të shfaqet karcinoma hepatoqelizore, pra kanceri i mëlçisë, i cili zhvillohet në 10% të pacientëve me modelin makronodular të cirrozës alkolike.
Si është ecuria e sëmundjes?
Mund të themi që cirroza alkoolike ka një prognozë më të mirë në qoftë se të sëmurët heqin dorë nga alkooli.
Dëmi në mëlçi
Abuzimi me alkoolin bëhet shkak për shfaqjen e problemeve serioze me mëlçinë. Nga statistikat botërore rezulton se 80 % e personave që konsumojnë alkool zhvillojnë steatozë (dhjamosje e mëlçisë3), 10-35% zhvillojnë hepatit akoolik dhe 10% zhvillojnë cirrozë alkoolike.
Shenjat
Pacienti i prekur prej cirrozës nga alkooli mund të shfaq:
-dobësi dhe lodhje
-humbje të oreksit
-humbje të peshës
-humbje të masës muskulare dhe krampe (ngërç) muskulare
-ikter ose zverdhje të syve dhe të lëkurës
-ënjtje të këmbëve
-ascit ose fryrje e barkut nga grumbullimi i ujit në të
-të përziera dhe të vjella
-humbje të qimeve të trupit dhe të aftësisë seksuale tek burrat
-rritje të qimeve në fytyrë, zë të thellë, çrregullime menstruale tek gratë
STUDIMI
Vitamina C, e mirë dhe të kockat
Vitamina C mund të jetë një aleate e vlefshme e kockave. Të paktën ky është përfundimi i një studimi të kryer nga një ekip mjekësh londinez, sipas të cilëve estrogenët arrijnë të mbrojnë kockën nga kjo sëmundje, pasi stimulojnë prodhimin e antioksidantëve. Këto substanca, mes të cilave dhe vitamina C, ripastrojnë organizmin nga agjentët e dëmshëm që shkaktojnë mplakjen dhe çojnë në thërrmimin e kockave.
Deri më tani, pjesa më e madhe e kurave parandaluese të osteoporozës, synojnë marrjen e hormoneve sintetike. Por kohët e fundit, ishte parë se estrogenët sintetikë ndikonin në rritjen e rrezikut për shfaqjen e kancerit të gjirit. Sipas ekspertëve 20 gramë vitaminë C në ditë, arrijnë të mbrojnë nga osteoporoza (dëmtim i indit kockor). Ekspertët shpresojnë se zbulimi do t’i hapi udhë metodave të reja të trajtimit të kësaj sëmundje invalidizuese dhe mjaft të përhapur. Tani për tani, mjekët këshillojë se dozat ditore e vitaminës C duhet të jenë 100 miligramë në ditë.


