Dr. Virtut Velmishi: 10 fëmijë me hepatit kronik C kanë nevojë trajtimi me medikamentet e reja, por ende në pritje të miratimit nga FSDKSH

5 janë llojet e hepatiteve që njihen më tepër por më agresivet janë 2, hepatitis B dhe C. Për hepatitin B ka një vaksinë ndërsa për hepatitin C akoma nuk ekziston një e tillë, por medikamentet kanë bërë të mundur ta kurojnë deri në 95 % të rasteve.

Hepatiti C njihet ndryshe edhe si “vrasësi i heshtur”, mos marrja e medikamenteve bën që këta fëmijë të kenë problem serioz me funksionin e melcise ne te ardhmen. Mjeku pediater gastrohepatolog, Virtut VeImishi në një intervistë për gazetën Shëndet plus tregon nevojën që kanë këta fëmijë për trajtimin e ri.

Doktor, nga të 5 hepatitët (A, B, C, D, E) cili është më kryesori tek fëmijët?

Viruset e hepatit janë më shumë se sa ju përmendet por ata që ju thatë mbeten 5 nga hepatitët më kryesorë. Hepatitet B dhe C ngelin me problematikët për shkak të kronicitetit që mund të shkaktojnë si dhe pasojave të rënda në funksionin e mëlçisë. Transmetimi i tyre në moshat pediatrike mund të jetë vertikal domethënë nga nëna te fëmija gjatë lindjes apo rruga hematologjjike nëpërmjet transfuzioneve të gjakut dhe derivateve të tij. Rastet me hepatitit B janë shumë të rrallë sepse ka një vaksinë ndaj tij, ndërsa për hepatitin C nuk ka ende një vaksinë dhe është një problem i madh edhe për shëndetin publik në tërësi.

Sa është numri i fëmijëve të prekur nga hepatiti C kronik në vendin tonë?

Ne kemi trajtuar më shumë se 100 fëmijë këtë 10 vjeçarin e fundit, pjesa më e madhe e tyre janë shëruar. Në rastet kur terapia standarte (interferon plus ribavirine) ka dështuar pritet të aprovohen ilaçet e fundit nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor. Janë 10 fëmijë me hepatit C kronik të cilët nuk janë të shëruar dhe terapia standarte ka dështuar.

Cila është mosha e këtyre fëmijëve me hepatit C kronik?

Fëmijët e prekur janë nga mosha 8-14 vjec.

A shërohet hepatiti C?

Po, hepatiti C ka trajtim. Ka skema të veçanta trajtimi dhe ne i kemi trajtuar.  Vitet e fudit janë futur barnat te rinj për hepatitin C të cilët i marrin të rriturit edhe ne Shqiperi, të cilat merren përafërsisht 3  deri 6 muaj ne varesi edhe te genotipit te hepatitit c. Shërimi shkon në mbi 95 % të rasteve, të paktën teorikisht.

Këto barna janë të lejueshme që të përdoren edhe tek fëmijët që janë të sëmurë me hepatit C?

Në shtator te vitit 2019 FDA aprovoi  trajtimin me keto barna ate quajtur DAA (Direct Acting Antiviral) edhe për fëmijët mbi 3 vjeç, Kjo është një arritje e madhe e shkencës nga e cila mund të përfitojnë edhe fëmijët tanë aq më tepër që këto barna egzistojnë edhe në listën e rimbursimit të FSKDSH.

Kemi ne fëmijë të trajtuar me këto barnat e reja kundër hepatitit C?

Jo, ne nuk kemi asnjë fëmijë të trajtuar me medikamentet e fundit  të miratuara nga FDA. Me këto barna në vendin tonë trajtohen vetëm adultët më Hepatit kronik C dhe indikacione te vecanta. I kemi dërguar kërkesë Fondit të sigurimeve që ta aprovojë edhe për fëmijët këtë trajtimin e ri. Nëse do të aprovohet nga Fondi besoj se terapia do të jetë një sukses për këta fëmijë. Pjesa me e madhe e ketyre fëmijëve me Hepatit C kronik janë trajtuar me terapinë standarte e cila është interferon plus ribavirin por fatkeqesisht ka dështuar në zhdukjen  e Hepatitit C . Terapia “e vjetër” nese do e quaja kështu ka një sukses deri 60-80% te rasteve, pra  jo të gjithë shërohen.

Mendoni që, nëse këto 10 fëmijë me hepatit C kronik e marrin këtë trajtimin e ri të miratuar nga FDA mund të shërohen?

Po! Ne jemi në pritje të miratimit nga FSDKSH për medikamentet e reja të miratuara nga FDA dhe EMA. Protokolli është që nëse dështon terapia standarte duhet të merren trajtimet e reja të miratuara për këtë sëmundje, për shembull është medikamenti Sofosbuvir/ledipasvir. Terapia e re e miratuar është 95% efikasë në zhdukjen e Hepatit C kronik.

Kemi shtim të rasteve me hepatit në vendin tonë?

Jo. Kemi reduktim të rasteve me hepatit .Rastet me hepatit C janë më se shumti tek fëmijet që kanë probleme hematologjike dhe kryejnë transfuzione të shpeshta, por duke patur një sistem më të kontrolluar të transfuzioneve te gjakut edhe numri i rasteve ka ardhur duke u reduktuar.

Si po ndikon Covid -19 tek këta pacientë?

Për fat, COVID -19 ka qenë më i kursyer me fëmijët. Këtë periudhë nuk kemi patur fëmijë nën trajtim me Interferon, por është interesant fakti se interferoni është studiuar edhe si nje agjent anti covid 19 megjithë të dhënat kontradiktore. Për fat të mirë deri tani nuk kemi asnjë fëmijë me co-infeksion Hepatit c plus Covid 19.

*****

Çfarë duhet të dimë për Hepatitin C: 

  • Hepatiti C është një sëmundje e mëlçisë e shkaktuar nga virusi i hepatitit C.
  • Virusi mund të shkaktojë si hepatit akut ashtu edhe hepatit kronik. Hepatiti C mund të shkojë nga një sëmundje e lehtë që zgjat disa javë, deri në një gjendje të rëndë apo të përjetshme që mund të çojë në cirrozë apo kancer të mëlçisë.
  • Virusi i hepatitit C transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar. Mënyrat më të zakonshme të infeksionit janë nëpërmjet praktikave të pasigurta të injektimit, sterilizimit të papërshtatshëm të pajisjeve mjekësore në disa mjedise të kujdesit shëndetësor, si dhe gjakut dhe produkteve të tij të pakontrolluara.
  • 130-150 milionë njerëz në nivel global kanë hepatit kronik C. Një numër i konsiderueshëm i personave me infeksion kronik do të zhvillojnë cirrozë ose kancer të mëlçisë. Në 25% të pacientëve me kancer të mëlçisë, shkaku kryesor është hepatiti C.
  • Çdo vit, 700.000 njerëz vdesin nga sëmundje të mëlçisë të lidhura me hepatitin C.
  • Medikamentet antivirale mund të kurojnë gati 90% të personave me hepatit C, dhe të reduktojnë rrezikun e zhvillimit të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë, por mundësia për diagnostikim dhe trajtim është e ulët.
  • Aktualisht nuk ka vaksinë për hepatitin C, megjithatë studimet në këtë fushë vazhdojnë.

Infeksioni nga virusi i hepatitit C shkakton hepatit akut dhe kronik. Infeksioni akut nga virusi i hepatitit C zakonisht është pa shenja. Rreth 15-45% e personave të infektuar pastrohen në mënyrë spontane nga virusi, brenda 6 muajve të infektimit pa asnjë lloj trajtimi. Pjesa e mbetur prej 55-85% e këtyre personave zhvillojnë hepatitin C kronik, ku rreziku i cirrozës së mëlçisë është 15-30% brenda 20 viteve.

Hepatiti C është i përhapur në mbarë botën. Ka variacione të shumta të virusit të hepatitit C dhe shpërndarja e tyre ndryshon sipas rajonit/vendeve. Në varësi të vendit, hepatiti C mund të përthapet në popullata të veçanta (p.sh. ata që injektojnë drogë) dhe/ose  te popullata e përgjithshme.

Si transmetohet:

  • Virusi i hepatitit C është një virus që zakonisht transmetohet:
  • Duke injektuar drogë nëpërmjet shkëmbimit të pajisjeve të injektimit.
  • Në institucionet shëndetësore për shkak të ripërdorimit apo sterilizimin jo adekuat të pajisjeve mjekësore.
  • Nëpërmjet transfuzionit të gjakut dhe produkteve të tij të pakontrolluara.
  • Hepatiti C mund të përhapet edhe nëpërmjet rrugës seksuale dhe të kalojë nga një nënë e infektuar tek bebi i saj; megjithatë këto mënyra transmetimi janë shumë më pak të zakonshme.
  • Hepatiti C nuk përhapet nëpërmjet qumështit të gjirit, ushqimit ose ujit, apo nga kontaktet e përditshme të tilla si puthja, përqafimi, ngrënia e ushqimit ose pirja nga një person i infektuar.

Cilat janë shenjat e hepatitit C ? 

Periudha e inkubacionit për hepatitin C është 2 javë deri 6 muaj. Pas infektimit fillestar, përafërsisht 80% e njerëzve nuk shfaqin asnjë simptomë. Ata njerëz që shfaqin shenja mund të kenë ethe, lodhje, rënie të oreksit, të përziera, të vjella, dhimbje barku, urinë të errët, fece të çngjyrosura në gri, dhimbje të kyçeve, si dhe zverdhje të lëkurës dhe të bardhës së syve.

Si vendoset diagnoza?

Për shkak të faktit se infeksioni akut me virusin e hepatitit C është zakonisht asimptomatik, diagnoza e hershme e infeksionit është e rrallë. Tek ata njerëz që zhvillojnë infeksionin kronik, infeksioni mund të mbetet i padiagnostikuar deri kur shfaqen dëmtime serioze të mëlçisë.

Infeksioni me virusin e hepatitit C diagnostikohet në 2 hapa:

Kontrolli për antitrupat antivirus C, me një test serologjik i cili identifikon personat që kanë qenë të infektuar me virusin e hepatitit C.

Nëse testi është pozitiv për antitrupat C, një test tjetër (RNA) është i nevojshëm për të konfirmuar infeksionin kronik. Kjo sepse rreth 15-45% e njerëzve të infektuar me virusin e hepatitit C pastrohen spontanisht prej infeksionit nga një përgjigje e fortë imunitare e organizmit, pa patur nevojë për trajtim. Edhe pse nuk janë më të infektuar, ata ende do të rezultojnë pozitivë për antitrupat antivirus C.

Përveç kësaj, këta persona duhet të bëjnë një test laboratorik për të identifikuar gjenotipin/llojin e virusit të hepatitit C. Kjo për arsye se a) ka disa (6) gjenotipe të virusit të hepatitit C, b) personat e infektuar reagojnë në mënyra të ndryshme nga trajtimi c) është e mundur që një person të infektohet me më shumë se një gjenotip. Të dyja së bashku, shkalla e dëmtimit të mëlçisë dhe gjenotipi i virusit përdoren për të marrë vendimet e trajtimit dhe menaxhimit të sëmundjes.

Pasi personi është diagnostikuar me infeksion kronik të hepatitit C, ai duhet të bëjë një vlerësim të shkallës së dëmtimit të mëlçisë (nëse ka fibrozë apo cirrozë). Kjo arrihet nëpërmjet bërjes së biopsisë së mëlçisë ose shumë testeve të tjera.

Diagnoza e hershme mund të parandalojë problemet shëndetësore që mund të rezultojnë nga infeksioni, si dhe të parandalojë transmetimin e virusit te të tjerët.

OBSH-ja rekomandon testimin për njerëzit që mund të jenë në rrezik për infeksion si :

  • Personat që injektojnë droga dhe ata që marrin drogë intranazale.
  • Personat që marrin gjak/produkte të gjakut të infektuara, ose që i janë nënshtruar procedurave invazive në shërbime shëndetësore me praktika të papërshtatshme të kontrollit të infeksionit.
  • Fëmijët e lindur nga nënat e infektuara me virusin e hepatitit C.
  • Personat me partnerë seksualë të cilët janë të infektuar me virusin e hepatitit C.
  • Personat me infeksionin HIV.
  • Të burgosurit apo ata që kanë qenë më parë të burgosur.
  • Personat të cilët kanë bërë tatuazhe apo piercings.

Si trajtohet?

Hepatiti C jo gjithmonë kërkon trajtim, mbasi te disa njerëz një përgjigje e fortë imunitare  pastron infeksionin dhe te disa të tjerë me infeksion kronik nuk zhvillon dëmtime të mëlçisë. Kur trajtimi është i nevojshëm duhet përzgjedhur me kujdes, me qëllim përcaktimin e metodës më të përshtatshme për pacientin. Kjo mbasi mjekimi varet nga disa faktorë, midis të cilëve nënlloji i virusit të hepatitit C dhe tipi i mjekimit të dhënë.

Trajtimi aktual standard për hepatitin C është duke ndryshuar me shpejtësi. Deri kohët e fundit, trajtimi i hepatitit C është bazuar në terapinë me interferon e ribavirinë, e cila kërkonte injeksione javore. Kohët e fundit janë zhvilluar preparate të reja antivirale që janë shumë më efektive, më të sigurta dhe të toleruara më mirë nga organizmi se terapitë e vjetra. Kjo terapi mund të shërojë shumicën e personave me hepatit C, trajtimi është më i shkurtër dhe më i sigurt.

Parandalimi

Parandalimi parësor

Akoma nuk ka vaksinë për hepatitin C, megjithatë rreziku i infeksionit mund të reduktohet duke shmangur rrezikun e ekspozimit ndaj infektimit si: injeksionet e panevojshme dhe të pasigurta, produktet e pasigurta të gjakut, grumbullimin e pasigurt të shiringave e mbetjeve, përdorimin e drogave të paligjshme dhe shkëmbimin ë mjeteve të injektimit, seksin e pambrojtur me njerëz të infektuar me hepatit C, ndarjen e sendeve personale të mprehta që mund të jenë ndotur me gjak të infektuar, bërjen e tatuazheve, piercings dhe akupunkturën me pajisje të infektuara.

OBSH-ja rekomandon një listë të ndërhyrjeve parandaluese parësore:

  • Higjiena e duarve: duke përfshirë larjen e duarve dhe përdorimin e dorezave;
  • trajtimi i sigurt dhe asgjësimi i mjeteve të mprehta dhe i mbeturinave;
  • ofrimi i shërbimeve gjithëpërfshirëse-reduktimi i dëmit te njerëzit që injektojnë droga, duke përfshirë pajisjet sterile injektuese;
  • testimi i gjakut të dhuruar për hepatitin C dhe B (si HIV dhe sifilis);
  • trajnimi i personelit shëndetësor;
  • promovimi i përdorimit të saktë dhe konsistent të kondomëve.

Parandalimi dytësor dhe tretësor

Për njerëzit e infektuar me virusin e hepatitit C, OBSh-ja rekomandon:

  • Edukimin dhe këshillimin mbi mundësitë që ekzistojnë për parandalim, kujdesin dhe trajtimin.
  • Vaksinimin kundër hepatitit A e B për të parandaluar bashkëinfeksionin nga këto lloj virusesh për të mbrojtur mëlçinë.
  • Menaxhimin e hershëm dhe të përshtatshëm mjekësor, duke përfshirë terapinë antivirale nëse është e përshtatshme.
  • Monitorimin e rregullt për diagnostikimin e hershëm të hepatitit kronik.

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU