Kryefaqja Aktualitet Durrësi, qyteti bregdetar ku ende mbeten problematike aktivitetet ndotëse të ajrit. Të...

Durrësi, qyteti bregdetar ku ende mbeten problematike aktivitetet ndotëse të ajrit. Të dhënat e matjeve tregojnë nivele shqetësuese të pranisë së dioksidit të azotit dhe dioksidit të karbonit në ajër!  

0
Shpërndaje
port of durres albania in beautiful green water. fisherboats in the front. shot with a dji phantom 4 pro.

Vitet e fundit, janë shkruar shumë artikuj dhe publikuar kronika që theksojnë vështirësinë për të jetuar në mënyrë të shëndetshme në qytetin bregdetar të Durrësit për shkak të ndotjes së ajrit dhe mjedisit në përgjithësi. Ky përbën një fakt shqetësues!  

Ndotja e ajrit është një ndër shkaktarët kryesorë që në formë të ngadaltë dhe të pakuptueshme, rrëmbën vitet e jetës. Ajo ndikon drejtpërdrejtë tek funksioni i mushkërive dhe zemrës, duke shkaktuar sëmundje akute por edhe të rënda kronike. Rrjedhimisht, qytetarët që banojnë në një qytet ku vazhdimisht nuk mund çojnë në mushkëri burimin e jetës që është ajri i pastër, janë automatikisht të prirur për të jetuar më pak vite jetë, pa patur rëndësi në çfarë moshe janë. Sipas Lancet Health Planet 2022, ajri i ndotur përbën rriskun më të madh ambiental për vdekjet e parakohshme, përgjegjës për më shumë se 9 milion vdekje të parakohshme çdo vit. [1] 

Sipas të dhënave të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Shqipëri (FSDKSH) të vitit 2021 të arritura nga 5 qarqe të vendit, Durrësi ka rezultuar në vend të dytë, me prevalencën më të lartë të bronkitit kronik ndër të sëmurët kronikë me sëmundje të astmës bronkiale.[2] 

“Unë jam farmaciste dhe shëndeti për ne është primar. Edhe njerëzit e shëndetshëm mund të pësojnë ndikime shëndetësore nga ajri i ndotur këtu në Durrës, duke filluar që nga vështirësitë në frymëmarrje, irritimi i syve, hundës dhe fytit, kollitjes, shtrëngimi i kraharorit, lodhje gjatë ecjes apo ushtrimeve ose aktiviteteve tjera në natyrë, e deri tek përkeqësimi i sëmundjeve kardiovaskulare dhe ato respiratore kronike. Ndihesh sikur të kanë marrë oksigjenin që natyra bujare ta ofron pa pagesë. E sikur të mos mjaftonte, po priten pemët, po tymoset ambienti me shtulluma tymi dhe bloze. E pas 50 viteve janë po këta njerëz që kanë bërë këtë masakër natyrore, që paraqiten në dyert e farmacisë dhe marrin mjekim për astmën deri sa përfundojnë me bombolë oksigjeni.” – shprehet Arjana Ballolli, Farmaciste që banon në qytetin e Durrësit. 

Qyteti i Durrësit, duke qënë një ndër qytetet më të zhvilluara në Shqipëri pas Tiranës, është i njohur për veprimtarinë e tij me portin më të madh në vend dhe lëvizjen e shtuar të automjeteve si qytet me një numër të madh banorësh dhe turistësh që e vizitojnë, sidomos në stinën e verës. Në bazë të të dhënave të DPSHTRR në Durrës janë shtuar 8583 mjete nga viti 2021 në vitin 2022.[3] Sipas banorëve, automjetet dhe autobuzat urbanë janë të vjetër e të amortizuar, dhe përveçse ndosin në përditshmëri ajrin, ka ndodhur që edhe kanë marrë flakë. Qytetarët vazhdojnë dhe i përdorin linjat e transportit urban sepse nuk kanë rrugë tjetër dhe edhe pse janë ankuar në Bashki, përgjigja është që janë linja private dhe Bashkia nuk mund të bëjë asgjë.  

Gjithashtu, duke marrë parasysh edhe rindërtimin e qytetit pas tërmetit të muajit Nëntor 2019, këto vitet e fundit aktivitetet lidhur me sektorin e ndërtimit kanë patur një hov shumë të madh duke përfshirë si shembjen por edhe rindërtimin e ndërtesave, duke rritur kështu ndjeshëm nivelin e ndotjes. Së fundmi, është shtuar edhe aktiviteti për ndërtimin e parkut ekologjik në zonën e quajtur fusha e mbetjeve në zonën e Kënetës. Të gjithë këto, faktorë të rëndësishëm për t’u marrë parasysh nga institucionet shtetërore lidhur me ndikimet në ndotjen e ajrit.  

“Edhe unë si çdo qytetar i qytetit bregdetar të Durrësit, kam vërejtur disa problematika përsa i përket ndotjes së ajrit. Ndërtimet e shumta të ndërtesave private apo komplekseve të apartamenteve të banimit nuk kanë lënë hapësira të mjaftueshme gjelbërimi. Infrastruktura rrugore është bërë beton, beton, beton. Bizneset kanë zaptuar hapësirat e gjelbra. Ka një mbingarkesë të lëvizjes së mjeteve motorrike…” – shprehet Esterina Mema, banore në qytetin e Durrësit. 

“Qyteti i Durrësit sipas vlerësimeve të ndryshme të bërë nga ekspertë por dhe nga puna jonë e përditshme në terren, kemi vënë re se zonat e ngarkuara me trafik si Stacioni i Trenit, zona pranë Rajonit të Policisë etj. kanë një nivel të rritur të ndotjes së ajrit që vjen drejtpërdrejtë nga trafiku i rënduar.” – shprehet Klaudio Hyseni, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës “Durrësi Aktiv”. 

Vlerësimi i ndikimeve aktuale të ndotjes së ajrit në shëndet në Shqipëri, pengohet nga mungesa e të dhënave sistematike që duhet të prodhohen nga institucionet shtetërore. Agjensia Kombëtare e Mjedisit nuk ka publikuar ende “Raportin e gjendjes në mjedis 2022”, ndërkohë në atë të vitit 2021 të dhëna të paplota paraqiten për qytetin e Durrësit vetëm për parametrin NO2 dhe CO. Ndërkaq, në buletinin periodik ”Mbrojmë Mjedisin” publikuar në Janar 2023, nuk duket t’i jetë kushtuar vëmendje e veçantë çështjeve të cilësisë së ajrit ndër aktivitetet e organizuara gjatë vitit 2022. 

Vlerësimi i gjendjes së mjedisit duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i bazuar në të dhëna relevante. Është shumë e rëndësishme që gjendja e mjedisit të përcillet në kohë me qëllim që të vlerësohen trendet e zhvillimit në sektorin e mjedisit dhe ndikimet që vijnë nga sektorët e zhvillimit në të. Si entiteti kryesor kompetent për monitorimin e gjendjes së mjedisit dhe matjen e cilësisë së ajrit urban, e pyetur lidhur me problematikat apo pengesat që ndikojnë institucionin në realizimin e matjeve të parashikuara në kohë, AKM është përgjigjur: “Problematika kryesore është mirëmbajtia e stacioneve të ajrit. Stacionet e ajrit kanë nevojë për mirëmbajtje vjetore, e cila për shkak të procedurave dhe buxhetit të limituar, ka pasur raste që nuk është kryer e plotë”.  

Lidhur me pyetjen mbi masat që janë ndërmarrë konkretisht për qytetin e Durrësit, komunikimi që jepet është që “AKM ka si detyrë dhënien e rekomandimeve për marjen e masave nga pushteti lokal. AKM rekomandon pushtetin lokal për marrjen e masave”, ndërkohë që nuk kemi një përgjigje mbi masat konkrete që janë rekomanduar specifikisht për qytetin e Durrësit.   

Nga ana tjetër, aktualisht organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri kanë një rol aktiv dhe domethënës në adresimin e çështjeve mjedisore përmes monitorimit, avokimit, lobimit dhe informimit. Monitorimi i cilësisë së ajrit mundësohet në kohë reale, me pajisjet e instaluara IQAir në Bashkinë Durrës në kuadër të projektit “Ajër i pastër, jetë e shëndetshme” i cili zbatohet nga organizatat partnere Milieukontakt Shqipëri, Together for Life, GO2 Shkodër, Qendra EPER Korçë. Projekti zhvillohet në kuadër të “Green-AL”, një projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fondet e Qeverisë Suedeze, i zbatuar nga Co-PLAN Institute for Habitat Development në bashkëpunim me VIS Albania, COSV – Cooperazione per lo Sviluppo dhe CISP – Sviluppo dei Popoli. 

Të dhënat kanë treguar një tejkalim të normës së parametrit PM2.5 pothuajse dyfish më shumë se vlera e normës së lejuar të Bashkimit Evropian (BE) dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Standardi i lejuar për PM2.5 është 25 µg/m3, ndërsa matjet në kohë reale kanë treguar që vlera mesatare në Bashkinë Durrës është 37.7 µg/m3 (Dhjetor 2022). Ky është një tregues për pasoja negative në shëndetin e qytetarëve të Durrësit, e sidomos të atyre që janë kategori më të ndjeshme dhe ju nevojitet të lëvizin në qytet në përditshmërinë e tyre. Pasojat mund të jenë të rënda deri në fatale nëse ekspozimi zgjat për një kohë të gjatë. 

Shumica e vdekjeve që lidhen me ndotjen e ajrit shkaktohen nga ekspozimi i njeriut ndaj thithjes së grimcave të imëta të pluhurit PM2.5. Banka Botërore vlerëson se, rreth 6.4 milionë njerëz vdiqën para kohe në mbarë botën në vitin 2019 për shkak të ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit. Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore, Shqipëria kishte 79 vdekje për 100 mijë banorë nga faktorët e ndotjes ambientale, një vlerë e lartë në krahasim me vendet në zhvillim, por e kishte këtë tregues më të ulët se vendet e rajonit.[4]

Nga ana tjetër, nëse flasim për matjet e lëvizshme specifikisht në periudhën e verës, në fund të muajit Gusht 2022 dhenë fillim të muajit Shtator 2022, janë monitoruar në total 100 pika/stacione në Bashkinë Durrës, duke përfshirë rrugët dhe lagjet kryesore të qytetit. Procesi i monitorimit është realizuar përmes pajisjes Aeroqual, duke matur 4 parametrat PM2.5, PM10, NO2 dhe CO2. Nga monitorimi i realizuar gjatë periudhës së verës u vu re se sidomos vlera mesatare e dioksidit të azotit dhe dioksidit të karbonit, ishin mbi normat e lejuara të BE duke arritur vlerat maksimale 56-76 µg/m3 për dioksidin e azotit NO2 dhe 403-417 ppm/m3 për dioksidin e karbonit CO2 (normat standarte janë 40 µg/m3 për NO2 dhe 350 ppm/m3 për CO2). Duke patur parasysh që këto 2 elementë çlirohen në ajër kryesisht nga djegia e karburanteve dhe sektori i transportit në përgjithësi, ritheksojmë faktin që një ndër problematikat kryesore në qytetin e Durrësit mbetet mbingarkesa e lëvizjes së dendur të automjeteve të pakontrolluara. Ndërkohë që lidhur me grimcat PM10 dhe PM2.5, problematika mund të lidhet me punimet dhe rikonstruksionet e kryera nga Bashkia si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit 2019 dhe ndërtimeve pa kriter.  

“Ulja e sasisë së ndotjes në qytet nga pluhurat PM10 dhe PM2.5 do mund të bëhet ndër të tjera nga vënia në përdorim e mjeteve të teknologjisë bashkëkohore për pastrimin e qytetit, edhe pse vitin e fundit Bashkia Durrës ka vënë në dispozicion për ‘Ndërrmarjen e Pastrimit të Qytetit’ automjete për pastrimin e qytetit të teknologjisë së lartë, ndotja vazhdon të jetë prezente” – cilëson aktivistja që ka realizuar procesin e monitorimit të cilësisë së ajrit në Durrës në kuadër të projektit. 

Sipas progres raportit të KE për Shqipërinë (2022) në kapitullin e mjedisit, në një ndër rekomandimet e cituara thekson: “Nevojiten më shumë përpjekje për cilësinë e ajrit dhe për të përmirësuar sistemin e monitorimit. Zbatimi i strategjisë kombëtare të cilësisë së ajrit 2014 ende është në pritje dhe Plani kombëtar mbi menaxhimin e cilësisë së ajrit 2019 nuk parashtron një system funksional monitorimi”.[5] 

Duke marrë parasysh gjithçka u përmend, është i nevojshëm dhe i domosdoshëm monitorimi më i gjerë i ndotësve të ajrit dhe aktiviteteve me ndikim negativ në rritjen e nivelit të ndotjes në Bashkinë Durrës, si edhe marrja e masave nga Bashkia për parandalimin e veprimit të mëtejshëm të këtyre faktorëve ndotës, duke zbatuar në mënyrë rigoroze udhërrëfyesin e OBSH dhe ndërmarrë zbatimin e një plani veprimi konkret për cilësinë e ajrit. Nga ana tjetër, përgjegjësitë për zbatimin e legjislacionit mjedisor duhet të përcaktohen më qartë dhe vetë zbatimi duhet të forcohet shpejt, veçanërisht për aktivitetet e pakontrolluara dhe abusive ndaj mjedisit. 

“Deri tani nuk kemi dijeni se Bashkia e Durrësit do të marrë masa për përmirësimin e ajrit ose fillimin e punës për “Planin e Veprimit për Ndotjen e Ajrit”, një mangësi shume e madhe që ka Durrësi si qyteti i dytë më i madh në Shqipëri. Aksionet, vëzhgimet dhe raportet e ndryshme të sjellin politika të cilat duhet mbështeten dhe të zbatohen nga institucionet përgjegjëse dhe të kthehen në legjislacion për qytetarët dhe bizneset. Ne si organizatë do t’i bëjmë kërkesa të vazhdueshme për përmirësimin e cilësisë të ajrit të bazuara në raportet dhe monitorimet e kryera në terren”. – shprehet Klaudio Hyseni, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës “Durrësi Aktiv”. 

Në Programin Kombëtar të Mbrojtjes së Mjedisit 2023 të publikuar në faqen zyrtare të AKM në kapitullin e parë mbi Monitorimin e Cilësisë së Ajrit, është cilësuar si prioritet për vitin 2023 përmirësimi i cilësisë së ajrit në zonat ku janë tejkaluar limitet dhe ato ku ekziston një risk i lartë i tejkalimit të tyre, si edhe ruajtjen e nivelit të cilësisë në pjesën e mbetur të territorit. Kjo synohet të realizohet duke zbatuar masa siç janë reduktimi dhe mos lejimi i shkarkimeve nga trafiku, burimet industriale apo burimet e ndërthurura, bazuar në standartet e vendosura në ligj në bazë te vendimit nr. 352, datë 29.04.2015 “Për vlerësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit dhe kërkesat për disa ndotës në lidhje me të”. Durrësi është ndër zonat prioritare pas Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. [6]

 

[1]Pollution and health : a progress update, Lancet Health Planet 2022, published May 17th , 2022, https://doi.org/10.1016/S2542-5196(22)00090-0

[2] Numri i njerëzve të sëmurë, burimi FSDKSH

[3] Sipas DPSHTRR në Durrës numri i mjeteve në Qershor 2021 ishte 93,654 mjete, ndërsa në Qershor 2022 ishte 102237 mjete. https://datastudio.google.com/u/0/reporting/88a5d7ed-d04e-42ae-8a3a-ff859bb0e965/page/RX1xB

[4] World Bank “Mortality from air pollution in Albania, the lowest in the Region”

[5] Albania Report 2022.pdf (europa.eu)

[6] Programi-Kombetar-i-Monitorimit-te-Mjedisit-2023.pdf

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here