Elia Zaharia: Dhuna formësohet atje ku nuk ka dashuri

Elia Zaharia në aktivitetin “Ai dhe Ajo krijojnë jetën. Bëje botën portokalli”, zhvilluar në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” nga shoqata “Together for Life” mbështetur nga Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri

“Është kënaqësi dhe privilegj për mua të jem mes jush, mes njerëzish që  luftojnë fenomenin e shëmtuar të dhunës ndaj gruas. Kudo në botë, dhuna ndaj gruas mbetet një nga shkeljet e të drejtave të njeriut nga më të rëndat dhe fatkeqësisht nga më të toleruarat, shkak dhe  pasojë e pabarazisë dhe diskriminimit gjinor. Dhuna ndaj gruas është e pranishme në çdo shoqëri, racë apo kulturë.Ajo merr forma nga më të ndryshmet, fizike, psikologjike ekonomike ose morale.

Elia Zaharia“Të gjithë këtu të pranishëm e dimë mjaft mirë se të gjitha këto forma dhune, gruaja shqiptare i ka përjetuar dhe vazhdon t’i përjetoje sistematikisht. Nuk është e largët lufta në Kosovë për të na kujtuar fatin tragjik të gjithë atyre vajzave të dhunuara, që ende sot në mënyrën më paradoksale, gjykohen nga opinioni i mbrapshtë dhe diskriminohen, sikur krimin ta kishin kryer ato vetë. Ende sot ato kanë vështirësi për t’u integruar në jetën shoqërore, për të patur një status të respektuar. Ende sot ato mbajnë peshën e një turpi, të një krimi që u krye mbi to, të një krimi ku ato vetë ishin viktima.

“Të gjithë këtu të pranishëm e dimë mjaft mirë fatin e mjerueshëm të gjithë atyre motrave dhe bijave shqiptare, të cilat kundër çdo vullneti të tyrin, u trafikuan dhe akoma trafikohen barbarisht rrugëve të Europes, e sot nuk kanë kurajo t’u telefonojnë prindërve, për t’iu dëgjuar zërin e për t’iu thënë se ende janë gjallë.

“Nuk mund të rri pa u ndalur tek detyra e shtetit për të na mbrojtur, për të mbrojtur të drejtat tona, lirinë tonë. Por si mundem unë si femër të bëj një gjumë të qetë, kur deputetë dhe politikanë që duhet të më mbrojnë, akuzohen dhe janë në shenjestër nga organet ligjore për trafikim qeniesh njerëzore dhe prostitucion…

“Të gjithë këtu të pranishëm ende rrënqethemi kur kujtojmë të gjitha ato kronika të zeza që nuk kanë fund me bashkeshortë që vrasin gratë e tyre, duke i lënë fëmijët jetimë, me baballarë të krisur që masakrojnë bijat e tyre se me demek “u morën fytyrën’. Vrasin çdo ditë për të ashtëquajturin Nder, ata që janë më të pandershmit, më burracakët. Se nuk ka kod nderi që të justifikojë marrjen e jetës së një qenieje të pambrojtur, atë të gruas.

“Jam e bindur se kjo plagë shoqërore mund të luftohet vetëm kur të gjitha hallkat e shoqërisë veprojnë të koordinuara dhe në mënyrë të përqendruar, kur liderët, drejtuesit e përgjithshëm, ministra e kryeministra, artistë, mësues dhe edukues, persona publikë e opinionistë, të gjithë bashkë  të japin tonin e Zero Tolerancës ndaj dhunës gjinore. Vetëm nëpërmjet solidaritetit do të ndërtojmë një Shqipëri më të drejtë, ku gratë dhe vajzat do të mund të jetojnë të mbrojtura dhe të vlerësuara.

“Së fundmi do doja të thoja disa fjalë për rolin e Mbretëreshës Geraldinë, emrin e së cilës mban edhe ky maternitet, si simbol i antidhunës dhe dashurisë njerëzore. Bashkëkohësit e kanë përshkruar atë jo vetëm si simbol të bukurisë, por mbi të gjitha  si simbol të butësisë dhe dashurisë, madje edhe në momentet më të vështira të jetës. Dëshira e saj për t’u takuar dhe bashkëpunuar me Nënë Terezën nuk ishte e rastësishme, por një ndjenjë e brendshme, një thirrje që i vinte nga lart, ndoshta një thirrje që i vinte nga bota hyjnore, të cilën ajo e besoi dhe iu përkushtua deri në fund te jetës. Është domethënëse për ne që dy spitale sot mbajnë emrin e këtyre dy simboleve të dashurisë: Nënë Terezës dhe Mbretëreshës Geraldine.

“Dhuna nuk luftohet vetëm me armë, dhuna formësohet si fenomen dhe dukuri vetëm atje ku nuk ka dashuri dhe dashurinë më shume se kushdo e kultivon femra, gruaja, nëna! Dashuria është antiteza e dhunës. Roli i gruas kundër saj merr një rëndësi akoma më të madhe në luftën kundër terrorizmit, fenomen ky që po preokupon sot të gjithë botën e qytetëruar.

“Misioni ynë nuk është vetëm të mbrohemi nga e keqja, dhuna dhe terrori. Mbrojtja më e mirë për ne është mbjellja dhe kultivimi i dashurisë.  Vetëm kjo ndjenjë do të ishte mjekimi me i efektshem i luftës kundër dhunës. Një buzëqeshje, një falenderim, një fjalë e ngrohtë, do ta bente jetën më të bukur, më gazmore, dhe më me shumë shpresë. Ju faleminderit!”

Postime të ngjashme

Në Shqipëri u mbajt Forumi i Dytë Rajonal mbi Sipërmarrjen e të Rinjve
Konferenca finale për projektin “Development of New Interreligious Tools”
Tryezë e rrumbullakët: Përmirësimi i sigurisë dhe shëndetit në punë në Ballkanin Perëndimor
Radikalizimi dhe ekstremizmi në Shqipëri nga këndvështrimi i një të huaji
Indeksi global, 20 mijë shqiptarë në ‘skllavëri moderne’
E destinuar të abortohesh, braktisesh ose vdesësh vetëm se je vajzë
Liria sindikale dhe mbrojtja e punëmarrësve që denoncojnë korrupsionin
Radikalizimi i komunitetit romë dhe egjiptianë